Vështrime

1445 herë – dhe një lamtumirë

Helmut Hubacher, 94-vjeçar, është një hero i politikës zvicerane: socialdemokrat, politikan që ka karakterizuar rrjedhat politike të Zvicrës, mendimtar për punë lokale dhe çështje globale. 34 vjet anëtar parlamenti, 16 vjet kryetar i Partisë Socialdemokrate. Autor i 1445 kolumnave në një gazetë zvicerane. Sot është botuar kolumna e tij e fundit. Si çdo politikan i rëndësishëm zviceran që ka përjetuar vitet 1990-të, edhe Hubacher ka një mendim për Kosovën.

Helmut Hubacher është 94-vjeçar. Në vitet 1950-të ai ishte punëtor në hekurudhat e Zvicrës, pastaj u bë redaktor në një gazetë majtiste, mandej – nga viti 1963 – ishte anëtar i parlamentit të Zvicrës. 34 vjet me radhë! Nga mesi i viteve 1970-të provoi të bëhet ministër në Basel, por elektorati konservator nuk e pranoi. Hubacher ishte tepër i majtë, tepër kryengritës, tepër “i egër”, një “ardhacak”, siç i përçmojnë qytetarët e Baselit (dhe jo vetëm) njerëzit që vijnë nga shtresat më pak të privilegjuara.