OpEd

Vjosa nuk ecën vetë

Se nuk është më koha që gruaja të hyjë në politikë, është koha që politika të hyjë te gruaja e Vjosa të marrë rol parësor në bisedimet me Serbinë, ku Vuçiqi shkon me një fitore përrallore, ndërsa Kosova me kryeministrin e një qeverie të dalë nga votat për hatër të presidentit të akuzuar për krime lufte

Dielli për shqiptarët lind në perëndim

Lajmi që 38-vjeçarja Ylfete Fanaj u zgjodh kryetare e Parlamentit të kantonit të Lucernit qe një dritë e fortë shprese për rolin e gruas shqiptare në politikë. Fakti që dritat tona ndizen në perëndim është i njohur tashmë në historinë tonë, por kjo dritë që ndizet tash, në kohën e rritjes së ekstremizmit të djathtë, e bën zgjedhjen e Ylfetes një fitore të madhe edhe të gruas shqiptare. Kënga që arbëreshët e morën me vete në eksodin e tyre masiv duke e ruajtur si simbol të shenjtë të identitetit të lashtë “Moj e bukura More”, e kënduar për nder të origjinës prizrenase të Ylfetes, ishte njohja më e çmuar jo vetëm e komuniteit shqiptar të Zvicrës, por edhe e kulturës e historisë së një populli të lashtë evropian, i cili iu shkëput Perëndimit me pushtimin osman.

U deshën 2 minuta këngë që gjithë historia të rikthehej aty ku ishte shkëputur filli e ti si shqiptar, që në shekuj të është mohuar identiteti e të është luftuar ekzistenca, të ndiheshe si fëmija i mbajtur peng, të cilit nëna ia ka hapur dyert. Nuk do të doja të isha në vendin e Ylfetes, nuk do t’i kisha mbajtur dot lotët përpara një akti të tillë, e lotët e gruas nuk i duron dot politika. Ylfetja e di këtë. Ajo është futur në politikë për të fituar, jo vetëm për vete.

Roli i gruas shqiptare në politikë

Roli politik i gruas është parë gjithmonë si rol pasiv, në një shoqëri si e jona që si kusht për njohjen e grave ka paragjykimin, kjo gjë është shumë më e theksuar. U desh të diktohej një “kuotë rozë” që të paktën 30% të ishin gra në Parlament, ndërkohë që pa ndonjë kuotë rozë a manushaqe do të duhej që 50% të ishin gra aty brenda. Nga kjo përqindje del qartë se 20% e grave nuk përfaqësohen fare në Parlamentin e Kosovës. Në një vështrim të shpejtë të figurave gra në politikë dominojnë dy kategori, gruaja burrneshë dhe ajo dekor, dy kategori ekstreme të cilat nuk e përfaqësojnë realisht gjysmën e popullatës, e cila është shumë më tepër dhe shumë më komplekse se kaq.

Tendenca për t’i burrëruar gratë është e theksuar te shqiptarët. Në kohën e diktaturës në Shqipëri, për shembull gruaja duhej të paraqiste sa më shumë tipare mashkullore. Një nga tiparet estetike më të forta ishte ndalimi i depilimit. Këmbët me lesh ishin simbol i gruas së rendit të ri, ndërsa depilimi ishte trasgresion i dënueshëm. Grave në Shqipëri iu desh të luftonin edhe për të ruajtur feminilitetin e tyre, për aq sa ishte e mundshme, pasojat i bartëm edhe ne, bijat e tyre që vazhdojmë të luftojmë për të mbetur gra në një shoqëri që na do gjithmonë ndryshe.

Na duhet të fitojmë lirinë, në kuptimin e plotë të fjalës. Lirinë, jo vetëm në aspektin ekonomik, që është motori i saj, por duhet të fitojmë lirinë e të menduarit e t’i besojmë asaj. Liria është koncepti absolut i një shoqërie humane, është çelësi i politikës i kësaj shoqërie, ku gruaja ka rol protagonist dhe shfaq natyrshëm bindjet e dëshirat e saj, shpalos lirshëm aftësitë e përvojën e saj. Në një shoqëri të tillë nuk do të kishte asnjë të humbur.

Vjosa nuk ecën vetëm

Forca e gruas ka diçka që psikologjia nuk mund ta shpjegojë, shkruan Oscar Wilde, dhe ka të drejtë. Gruaja ka një forcë ende misterioze brenda që ia mundëson të tejkalojë shumë vështirësi e sërish të buzëqeshë. Të tillë e pamë gruan më të votuar të Kosovës, kryeparlamentaren Vjosa Osmani, pas shkarkimit të saj nga Kryesia e LDK-së dhe fillimit të një fushate të egër kundër saj. Ajo që në fushatë zgjedhore ishte ngritur deri në qiell, që burra të rëndomtë, por me funksione të larta brenda partisë e kishin quajtur me mediokritet Hyjnesha në fron, tani nga po të njëjtët ia ngjitën gjithë epitetet linçuese, pse guxoi të ishte e lirë të mbronte mendimin e saj, e lirë të mos shkonte mbas turmës, e lirë të mos bëhej marionetë e pazareve të odave të natës.

Në këtë pikë Vjosa Osmani nuk i përket më vetëm LDK-së, por i përket gjithë shoqërisë sonë. Ajo është politikania që jo vetëm mishëron idealet e gjithë grave që sakrifikuan para saj, por bëhet shpresë e model edhe i gjithë atyre që do të vijnë. Vjosa tashmë nuk luan më vetëm betejën e saj personale, por bëhet protagoniste e betejës së përbashkët që e luajmë secili për një shoqëri ku gruaja e burri janë të lirë e të barabartë, ku gruaja nuk shantazhohet nga asnjë parti për të ruajtur bindjet e saj, sepse ky do të ishte frikësim i gjithë grave të tjera në politikë.

Se nuk është më koha që gruaja të hyjë në politikë, është koha që politika të hyjë te gruaja e Vjosa të marrë rol parësor në bisedimet me Serbinë, ku Vuçiqi shkon me një fitore përrallore, ndërsa Kosova me kryeministrin e një qeverie të dalë nga votat për hatër të presidentit të akuzuar për krime lufte. LDK-ja do t’ia bënte një shërbim të madh vendit duke e korrigjuar veten e duke vënë profesionistët në rolin e tyre në këtë situatë emergjente, në vend që t’ia tregonte Vjosës vendin, si mësues të dobët të një kohe vendimtare.