Vështrime

Lumturia e një karantine të verbër

Presidenti gjithmonë fluturon i pari, e kjo vërtet është një shenjë e mirë. Ndoshta pas tij do të fillojmë të fluturojmë të gjithë. Secili në mënyrën e vet

Gjithçka fillon në një semafor. Ndizet drita e gjelbër. Makina e rreshtit të parë nuk niset. Të tjerat mbas u bien sirenave. Shoferi kthen kokën anash. Kushdo që ndeshet me shikimin e tij verbohet. Kështu nis pandemia e verbërisë në një nga romanet më të bukura të letërsisë botërore. Sy që zbardhëllohen. Shikime që vdesin duke infektuar njëri-tjetrin. Njerëz që dynden nëpër karantina ku sundojnë më të fortët e si gjithmonë të fortët i shtypin të dobëtit, në të gjitha format, edhe për zbavitje.

Kur del nga romani i Saramagos pështjellimi është i madh, ishte vetëm fantazi, i thua vetes, por në mendje kujton sa herë në jetë ke qenë i verbuar e shumë më vonë e ke kuptuar, kur verbëria ishte vizatuar tashmë në histori. Kështu është raca njerëzore, vazhdon të të befasojë me të njëjtat befasi. Ndoshta se nuk e ke mësuar mësimin, ndoshta se pësimin do ta tregosh si hero i një përralle së cilës nuk do t’i besojë më askush.