Vështrime

Politikat kundër shpëlarjes së parave dhe dukurive tjera negative në kohën e pandemisë

Pandemia COVID 19 ka vënë gjithë botën para një sfide të paprecedent deri më tani. Shtetet e ndryshme tani duhet që të identifikojnë sfidat kryesore dhe t’u japin përgjigje adekuate kërcënimeve dhe rreziqeve nga shpëlarja e parave, financimi i terrorizmit apo formave tjera të krimeve financiare me anë të politikave dhe praktikave sa më efektive, të dizajnuara sipas standardeve ndërkombëtare, kornizës ligjore përkatëse dhe nevojave të ekonomisë dhe tregut vendor.

COVID 19 ka vënë në dritë përgjigje të ndryshme nga ana e qeverive, duke filluar nga asistenca sociale (ndihma financiare nëpërmjet pakove të ndryshme) dhe lirimit nga tatimet, e deri te zbatimi i masave më rigoroze dhe ndalesat e lëvizjes. Këto masa nganjëherë edhe në mënyrë të pavërejtur dhe jo qëllimisht, mund të krijojnë hapësira dhe mundësi të reja për aktivitete dyshimta për të gjeneruar të ardhura, të fituara nga këto aktivitete. Meqenëse tregtia globale pësoi rënie dhe liria e lëvizjes në botë u kufizua në masë të madhe nga pandemia COVID 19, kjo pamundësoi apo vështirësoi në masë të madhe operimin e skemave dhe grupeve të ndryshme të dyshuara, të cilat përfitojnë në mënyrë të paligjshme në zinxhirin e qarkullimit të mallrave në nivel global dhe trans-nacional, andaj këto grupe eksplorojnë forma të reja alternative, ku potencialisht mund të jenë format ‘online’, të cilat përjashtojnë elementin e lëvizjes apo kontaktit fizik gjatë operimit dhe fatkeqësisht shihen atraktive dhe mund të keqpërdoren nga individët apo grupet me qëllim të përfitimit të paligjshëm.