Vështrime

Kriza ekonomike mundësi për një model të ri ekonomik Kosovë-Shqipëri

Ajo që duhet të bëhet tani është shfrytëzimi i kësaj situate ekonomike që ekonomitë tona, të Kosovës dhe të Shqipërisë, të dalin nga korniza e të vepruarit dhe të menduarit në të cilën janë tash e dy dekada. Ekonomitë tona të vogla, nuk do të duhej të izoloheshin më tej nga njëra tjetra si pasojë e krizës ekonomike, por do të duhej shfrytëzuar kjo situatë që të shndërrohen në një ekonomi të përbashkët. Në rrugë e sipër për t’u shndërruar në një ekonomi të përbashkët edhe masat e luftës kundër krizës do të ishin të tilla që nuk do të kishin një efekt afatshkurtër socio-ekonomik por ndikimi i tyre do të ishte afatgjatë, e në funksion të ndryshimit të strukturës sonë ekonomike dhe të orientimit në zhvillim të përshpejtuar por edhe të qëndrueshëm ekonomik

1. Zakonisht krizat nëpër të cilat kalojnë shoqëritë, e ndonjëherë edhe pjesë të mëdha të njerëzimit, përveçqë krijojnë rreziqe të mëdha për shoqëritë dhe njerëzimin, ato njëkohësisht mund të ofrojnë edhe mundësi të mëdha. Ato mund të shtrojnë rrugë deri atëherë jo shumë të njohura, por të cilat, duke mos qenë konvencionale, mund të bëjnë kapërcime të mëdha në zhvillimin njerëzor. Të tilla janë edhe krizat ekonomike. Modelet ekonomike që deri në kriza ekonomike nuk kanë mundur as të paramendohen se mund të realizohen, në situata të tilla mund të gjejnë zbatim me më shumë lehtësi. T’i përmendim dy prej tyre, të njohura për shumicën, si dëshmi e kapërcimeve të mëdha: atë që njihet si New Deal (“Marrëveshja e re”) në SHBA pas Depresionit të Madh të viteve 1929-1933, si dhe rimëkëmbja e ekonomive evropiane pas Luftës së Dytë Botërore përmes Planit Marshall. Në të dyja rastet, por gjithsesi në rrethana krejtësisht të ndryshme, në shoqëritë me ekonomi të tregut kemi ndërhyrje të shtetit (të SHBA-ve) në funksion të kapërcimit të krizës dhe të shtrimit të rrugës për zhvillim të hovshëm ekonomik. Në rastin e parë është karakteristike ndërhyrja ekonomike e qeverisë amerikane, sidomos përmes investimeve në projekte të mëdha publike, për të tejkaluar një krizë të thellë ekonomike si pasojë e recesionit të madh dhe në të dytën përmes ndihmave financiare amerikane të gjithanshme në rindërtimin e ekonomive të Evropës Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore. Në të dy rastet është arritur kthimi i ekonomive jo vetëm në normalitet, por lakorja e zhvillimit ka marrë përpjetën dhe njëkohësisht mirëqenia e qytetarëve është rritur.