Vështrime

Interpretimi i Kushtetutës rreth formimit të Qeverisë

Dymbëdhjetë vjet që prej miratimit, Kushtetuta e Republikës së Kosovës vazhdon të nxisë debate të reja rreth interpretimit të disa prej neneve të saja më të rëndësishme lidhur me formimin, funksionimin, detyrat dhe kompetencat e institucioneve kyç. Rëndom, pasi që Gjykata Kushtetuese e jep vendimin përfundimtar për çështje të rëndësishme politike që i referohen, të gjithë akterët politikë dhe pjesëmarrësit relevantë të jetës politike i nënshtrohen asaj që Gjykata konstaton. Sidoqoftë, Gjykata fatkeqësisht ka manifestuar prirje për t’i ndryshuar interpretimin dhe arsyetimin për t’iu përshtatur kujtdo që aktualisht ushtron ndikim dhe pushtet më të madh politik për çështjen e nxjerrë para saj. Kjo gjë ka gërryer besueshmërinë dhe respektin që qytetarët e Republikës kanë për Gjykatën Kushtetuese.

Në vitin e parë të ekzistencës së saj, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ishte përballur me njërën prej rasteve më të vështira, me të cilat mund të përballet një gjykatë e këtij lloji.