Vështrime

Kosovë, një ushtrim i pandershëm demokracie

Në mbrëmje vonë, më 25 mars, Kuvendi i Kosovës votoi me më shumë se dy të tretat në mbështetje të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, paraqitur nga LDK, e cila ishte njëherësh edhe njëra nga dy shtyllat kryesore, mbi të cilat mbështetej kjo qeveri e dalë nga zgjedhjet e fundit, në tetor 2019.

Shtylla tjetër ishte LVV, e cila, si parti e parë, në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, kishte gëzuar edhe të drejtën për ta kryesuar. Duke parë rrethanat që po kalon edhe Kosova si mbarë bota, për shkak të virusit Covid – 19, do menduar se vetëm një hall jashtëzakonisht i madh për kombin e detyroi parlamentin të mblidhet në seancë plenare. Dhe, në fakt, të gjithë deputetët ishin të pajisur me maska, gjë që i jepte atij ansambli një pamje teatrale në kuptimin jo serioz të kësaj fjale. Në përmbyllje të seancës, qeveria me kryeministër Albin Kurtin u rrëzua, ani pse nuk e kishte filluar ende realizimin e programit, për të cilin ishte votuar. Ajo ishte në detyrë prej vetëm 51 ditësh.