OpEd

“Lëvizja e rreme është më e shpejta”

Ende po mundohemi ta gjejmë se çfarë tha Aleksandër Vuçiqi, presidenti i Serbisë.

Mbase e keni parë atë xhirimin e shkurtër: presidenti i të gjithë serbëve, me një shprehje fytyre që i tejkalon njohuritë tona për shprehjet e fytyrës dhe vetë njohuritë bihejvorale, qëndron i ulur dhe i heshtur, teksa ia beh papritur, duke thënë se “duhet të mendojë diçka më të rëndë se ‘Sajmishtja’”.

Në këtë hapësirë të madhe, të mbyllur, të Beogradit, salla 1 është kthyer në një megadhomë spitali, ku “rastet më të lehta” të virusit duhet të … shërohen.

Të mos humbim kohë me atë se çfarë mendoi të thoshte presidenti serb. Mbase mendja i ka shkuar t’i frikësojë qytetarët. Nëse sëmureni – do të shkoni në një kamp të shëmtuar grumbullimi, e jo në një qendër bashkëkohore grumbullimi.

Ajo çfarë na intereson janë koncepti, mendimi, logjika dhe strategjia, shkaku i së cilës “duhet të mendohet diçka më e rëndë”.

Mbesim në terrenin “serb” i cili, për Serbinë zyrtare, e përfshin edhe Kosovën.

Për Serbinë është e qartë, kryesisht. Performancat e burrështetasit radikal-përparimtar numër 1 zor se mund të mashtrojnë vëzhguesit prej jashtë, pra ata që jetojnë jashtë Serbisë. Vuçiqi përzien me të majtën e më të djathtën, me Lindjen e me Perëndimin.

Me lot apo pa ta, ai mbledh “liderët” serbë të rajonit, pra ata që janë dhe ata që kanë mbetur. Në aspektin intelektual, të kuptohemi. E pastaj, ai luan “ftohtë-nxehtë” me kishën serbe, të cilën e udhëheq dhe e cila e udhëheq atë, varësisht prej problemit, llojit të biznesit dhe skandalit në pyetje. Të gjitha këto mund t’i bëjnë Vuçiqi dhe kamarila, pasi që opozita është e njëjtë si edhe ai – plus-minus lotët, “performancat” dhe performancat. E kemi parë qartë këtë gjë gjatë shpërthimit të urrejtjes, mjerimit dhe mllefit ndaj Malit të Zi, rreth ligjit ndaj të cilit shumica që e kundërshtojnë, edhe këndej, e edhe andej, as që e kanë lexuar, apo bëhen se nuk e kanë lexuar. Të njëjtë janë edhe Vuçiqi dhe opozitarët nacionalistë. “Dallimi është tek diferenca”.

Të menduarit e diçkaje më të rëndë, pra është rrjedhojë logjike në një sistem dhe shoqëri ku logjikën dhe normalitetin moti i ka mbuluar terri. Gjendja e jashtëzakonshme me orë policore – gjithçka shkaku i koronavirusit – duket e pritshme në një politikë që nuk ka forcë ta nxjerrë Serbinë nga spiralja historike, në të cilën e ka futur Milosheviqi, “ndodhitë e popullit” dhe katër luftëra të humbura. Është lehtë të shpallet ajo gjendje, e zor të dilet prej saj.

Politika e Jashtme e Serbisë, ashtu si edhe të gjitha tjerat, janë pasqyrë e rrethanave të brendshme dhe politikës së brendshme.

Politikat perëndimore (shumica, natyrisht) e kanë një pikë të dobët, të cilën mund ta quajmë “sindromë pas-Milosheviqit”. Pasi që përfundimi i konfliktit tragjik jugosllav nuk e ka nënkuptuar edhe disfatën definitive të politikës nacionaliste serbomadhe, por vetëm ndaljen e saj, të gjitha, që bëhen me Serbinë dhe karshi saj, që nga dorëzimi i Milosheviqit në Hagë do të mund të quheshin përpjekje të vazhdueshme që ky shtet dhe politika e saj të bëhen paqësore, por nacionalizmi i saj të mos preket.

A është e nevojshme të thuhet që përpjekjet e tilla nuk janë duke dhënë rezultate? Apo një gjë e tillë nuk është korrekte politikisht? Gjërat me Kosovën qëndrojnë keq. Derisa e lexojmë kumtesën zyrtare nga SHBA-ja, në të cilën Grenelli, Kosnetti dhe Palmeri në të vërtetë arsyetohen se qëllimi i tyre nuk ka qenë ta destabilizojnë Kosovën dhe se nuk ekziston anim në dobi të Serbisë, miqtë që e njohin gjendjen në Kosovë na e konfirmojnë se popullariteti i kryeministrit të deritanishëm Kurti – ndaj të cilit në të vërtetë u votua mocioni i mosbesimit në Parlament – kurrë nuk ka qenë më i madh. Dyshojmë se ky ka qenë qëllimi i kësaj ndërhyrjeje amerikane.

Amerikanët, edhe më shumë se gjermanët (që po ashtu, në rend të parë, janë marrë me ekonominë) kanë insistuar në bashkëpunimin ekonomik dhe lidhjen e Republikës së Serbisë dhe Republikës së Kosovës. Kjo thuhet edhe në njoftimin e sipërpërmendur të tre diplomatëve amerikanë. Ai plan do të ishte logjik dhe i mrekullueshëm – po të ishte problemi midis Kosovës dhe Serbisë ekskluzivisht apo në mënyrë dominuese, i natyrës ekonomike. Të gjithë e dinë se nuk është ashtu, kështu që vendosja e linjës ajrore dhe transportit hekurudhor, ashtu si edhe heqja e taksës, janë gjëra të mrekullueshme, por nuk paraqesin lëvizje të njëmendtë dhe të vërtetë, posaçërisht nëse gjithçka është pasojë e presioneve të mëdha dhe detyrimeve. Zhvillimi i bashkëpunimit harmonik ekonomik me mediet e mllefosura në Serbi, të cilat vlojnë nga nacionalizmi i fuqizuar dhe ksenofobia – tingëllon aq euroatlantik! E ligë dhe e mbrapshtë – zotërinj, miq dhe shokë!

Sigurisht se miqtë amerikanë nuk kanë dashur diçka që do të dukej më keq, por më mirë. Sidoqoftë, rezultati i raporteve sipërfaqësore dhe shkurtpamëse karshi problemeve komplekse, si nyja serbo-kosovare, është gjithnjë i keq, sado i mirë të duket fillimisht.

Kosova ka mbetur dopingu kryesor për nacionalizmin në Serbi, por edhe në Bosnjë dhe në Mal të Zi. A shihet kjo gjë në Perëndimin e largët?

Derisa Evropa po lëngon prej problemeve akute dhe kronike, administratës Trump i duhen suksese të menjëhershme. Një gjë e tillë është e qartë – prej Koresë Veriore, tek Turqia dhe Siria, Izraeli dhe Palestina, e deri te Kosova dhe Serbia.

Do të ishte mirë që tre diplomatët e rëndësishëm amerikanë ta nënshkruajnë se nuk ka qenë fjala për shkëmbim territoresh (dhe banorësh). Të gjitha përpjekjet në Ballkan, prej 1995-tës e më tej, do të binin në ujë; disa tensione “të pavarura” dhe kriza do të bëheshin bashkë në një të madhe.

Nuk ka arsye dhe as kohë për akrobacione të tilla para zgjedhjeve presidenciale në SHBA.

Rrjedhimisht, të menduarit e diçkaje që duket më e rëndë, nuk është edhe aq e pakuptimtë. Mendojeni më të keqen, e pastaj shpëtojeni vendin dhe botën me diçka më të mirë, gjë që tashmë ekziston – është mendim i bukur – pa marrë parasysh se a është fjala për Vuçiqin, për (disa) strategë amerikanë të politikës së jashtme, apo edhe dikë të tretë. Përshtypje e suksesit!

E mrekullueshme, në të vërtetë.

Gëzuar!

Moti e pati shkruar shkrimtari i pafat serb, Branko Milkoviq, se “lëvizja e rreme është më e shpejta”.

(Autori shkruan me pseudonim. Vështrimi është botuar në portalin Antena M.)