Vështrime

Ndërkohë që viktima e parë e virusit po bëhet gati për varrim...

...çfarë duhet të bëjnë tani Albin Kurti dhe Isa Mustafa? Mund të vazhdojnë të shahen. Njëri duke u bërë pishman për koalicionin, tjetri duke u sjellë si karateist politik. Kësisoj humbës do të jenë të dy. Ose të dy kthehen në terrenin racional dhe vendosin që urgjentisht të ndërmarrin disa hapa për dalje nga kriza politike ndërkohë që virusi i koronës mori viktimën e parë. Edhe pse dëshira humane njerëzore është të themi: qoftë kjo viktima e vetme, logjika dhe zhvillimet në botë tregojnë për një trend tjetër të pandemisë. Asgjë nuk kemi parë, çfarë mund të shohim në javët në vijim. A kanë Albin Kurti dhe Isa Mustafa nevojë për syze me dioptri të re? Sistemi shëndetësor mund të pësojë kolaps. Nuk ka as mjaft mjekë virologë, as mjaft infrastrukturë teknike për t’u përballur me një epidemi që shtrihet më gjerë në Kosovë. Tani duhet vetëdije dhe përgjegjësi e jashtëzakonshme, jo vrapim pas agjendave të jashtëzakonshme të figurave destruktive politike jashtë qeverisë. Për çdo hap në fushën e sigurisë duhet konsultim me KFOR-in.

Liderët e përgjegjshëm, mbi supet e të cilëve qëndron fati i qeverisë së Republikës së Kosovës, do të duhej të takoheshin dhe t’i diskutonin e po deshën e patën vullnet edhe t’i zgjidhnin e tejkalonin keqkuptimet, mospajtimet, konfliktet, lëndimet e ndërsjella. Nëse e arrijnë këtë, njerëzit do t’i vlerësojnë edhe gjatë vendimeve të ardhshme politike – pa marrë parasysh ku merren ato: në kuti të votimit apo në parlament.