Vështrime

Koronavirusi dhe politika serbe: nga budallallëku në gjendje të jashtëzakonshme

Një mjek serb tha se koronavirusi nuk ju bën gjë serbëve, sepse ata kanë “gjene luani”. Pastaj mjeku hajvan shtoi me gjuhë seksiste: gra të dashura serbe, ngutuni e shkoni në Itali në shoping, sepse tash çmimet atje janë lirë, plus, sipas këtij doktori, gratë janë të mbrojtura nga estrogenët, pra nga hormonet seksuale, nuk i godet korona. Presidenti Aleksandër Vuçiqi propozoi që koronavirusi të luftohet me raki dhe tha se më shumë njerëz vdesin nga pickimi i mushkonjave se nga virusi i fundit. Dje budallallëku dhe primitivizmi i pushtetit në Beograd mori fund. Edhe Serbia shpalli gjendje të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë.

Kur koronavirusi nisi të përfshijë botën, ministri i Jashtëm serb dhe këngëtari i kafehaneve, Ivica Daçiq, tha se virusi mund të jetë futur në Kinë nga jashtë. Një epidemiolog serioz në Beograd e quajti këtë deklaratë të pavend. Pastaj e mori fjalën Mbreti i Serbisë, shefi i cirkut nacional dhe presidenti Aleksandar Vuçiq. Më 6 mars ai tha se çdo ditë vdesin 25 herë më shumë njerëz nga pickimi i mushkonjës se sa nga koronavirusi. Mesazhi ishte ky: mos u bëni merak.