OpEd

Chomsky, Qosiqi dhe të tjerët

Noem Chomsky është intelektual i rëndësishëm. Ai mund të ketë të drejtë me kritikat e tij ndaj gabimeve të herëpashershme të Amerikës në nivel global, por kjo nuk domethënë se sa i përket Ballkanit Chomsky ka të drejtë, aq më pak përkitazi me ndërhyrjen e Amerikës në krah të shqiptarëve të Kosovës më 1999. Qëndrimet e Chomskyt për Ballkanin janë të ndërtuara mbi ideologjinë e verbër antiimperialiste. Në Perëndim ai nuk është i vetmuar, madje mund të ketë ndjekës edhe në çarshinë shqiptare të mendimtarëve të papjekur. Chomsky nuk ngurron të thotë edhe këso margaritarësh: “Në Europë, siç ka thënë Dobrica Qosiqi, nuk mbretëron vetëm serbofobia. (...) Europa është shoqëri shumë raciste”. Sa mund të merret seriozisht një intelektual që citon shefin e krejt racistëve dhe nacionalistëve serbë Dobrica Qosiqin? Sa mund të merret seriozisht një intelektual, qoftë ai edhe amerikan, që e ka mbështetur planin e Qosiqit për ndarjen e Kosovës?

Ndoshta Bill Clintoni dhe Madeleine Albright duhet të kërkojnë falje që i kanë penguar kosovarët në luftën për çlirim më 1999. Sipas disa mendimtarëve të çarshisë shqiptare më mirë është t’i besohet Noem Chomsky-in. Duke i besuar Chomsky këta mendimtarë thonë se më 1999 Amerika bombardoi Serbinë vetëm për interesa të vetat, jo për t’iu ndihmuar shqiptarëve të Kosovës. Ka plot mendimtarë të kësaj kategorie edhe në botën perëndimore. Historiani britanik Marko Attila Hoare, autor i disa librave e studimeve mbi luftërat dhe historinë e Ballkanit, i quan ata “revizionistë të majtë” – përfaqësues të së majtës së re, trockistë, stalinistë dhe ithtarë të linjës prosovjetike komuniste.

Të gjithë këta i bashkon armiqësia e verbër kundër Amerikës. Andaj nuk bëjnë dallime: nëse lufta në Vietnam ka qenë gabim i tmerrshëm i Amerikës, nëse sulmi kundër Irakut më 2003 ka qenë po ashtu gabim, atëherë gabim duhet të jetë edhe intervenimi në Kosovë më 1999. Te e majta gjermane, për shembull, ekziston narrativi se Gjermania assesi nuk duhej të sulmonte Serbinë më 1999, sepse “serbët kanë luftuar kundër Adolf Hitlerit” dhe “Sllobodan Millosheviqi vetëm dëshironte të ruante Jugosllavinë, plus socialist ishte”. (Edhe Hitleri e quante veten nacionalsocialist).

Në të vërtetë, lufta partizane e Josip Broz Titos është zhvilluar kryesisht në Bosnjë, të gjitha betejat e mëdha partizane janë zhvilluar në këtë vend. E ka provuar Tito pak luftën kundër nazizmit në rajonin e Uzhicës në Serbinë perëndimore, ndokujt ndoshta i kujtohet “Republika e Uzhicës”, e cila ishte jetëshkurtër, sepse Tito nuk gjeti përkrahje për luftën e tij dhe u tërhoq në Bosnjë-Hercegovinë.

Noem Chomsky mund të jetë intelektual i madh në fushën e tij, shpesh mund të ketë të drejtë me kritikat mbi politikat globale amerikane dhe gabimet e herëpashershme të Washingtonit, por a mund të merret seriozisht kur deklaron kështu: “Në Europë, siç ka thënë Dobrica Qosiqi, nuk mbretëron vetëm serbofobia. (...) Europa është shoqëri shumë raciste. Nuk duan diversitet, duan shoqëri homogjene”. Domethënë: kur e analizon Serbinë, Chomsky e citon Qosiqin, i cili gati qe çmendur që shqiptarët krijuan një aleancë me Perëndimin dhe ka shkruar këtë: “Ky llum social, politik dhe moral i Ballkanit tribal dhe barbar bën aleancë me Amerikën dhe Bashkimin Europian kundër popullit më demokratik, më civilizues dhe më të arsimuar të Ballkanit – kundër popullit serb”.

Citimi i Qosiqit nga Chomsky nuk është aksidental. Më 2006 Chomsky ka përkrahur hapur idenë e Qosiqit për ndarjen e Kosovës. Në prill 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në një letërkëmbim Qosiqi dhe Chomsky pajtoheshin se tani, për fat të keq, është vonë të ndahet Kosova. Qosiq kështu e përfundonte letrën dërguar Chomskyt: “Ju shpreh falënderimin njerëzor dhe ju lus që të mos e merrni si mungesë modestie kur them: nuk jam njeri i lumtur, por jam shkrimtar i lumtur për shkak se mund të them se në çështjen e madhe dhe të drejtë të popullit tim Noam Chomsky ka qenë bashkëmendimtar dhe mik imi”.

Kur Qosiq vdiq në vitin 2014, Chomsky tha: “Shumë më vjen keq për vdekjen e Dobrica Qosiqit. Do të doja ta kisha njohur më mirë”. Në një intervistë për mediat serbe Chomsky a ka quajtur gjykimin ndaj Sllobodan Millosheviqit “një farsë”, sepse, sipas tij, akuzat kundër Millosheviqit kanë qenë të paqëndrueshme. Në këtë intervistë (botuar te “Politika” e Beogradit) Chomsky në lidhje me Agim Çekun, i cili më 2006 kryeministër i Kosovës, thotë: “Ai personalisht ka qenë kriminel lufte, ka marrë pjesë në dëbimet nga Krajina (në Kroaci)”. Adhuruesit e Chomskyt në mesin e shqiptarëve do të bënin mirë t’i dinin edhe këto, para së ta citonin si autoritet global, mendimi i të cilit paskësh peshë kur flet për Kosovën dhe vitin 1999.

Marko Attila Hoare shkruan se krahas Noam Chomskyt grupit të revizionistëve i takojnë edhe John Pilger, Tariq Ali, Jeremy Corbyn, Harold Pinter, Ed Hermann, Diana Johnstone, David Gibbs, Michael Parenti, Partia Socialiste e Punës në Britaninë e Madhe, magazina “Living Marxism” (që tani del si magazinë online me emrin “Spiked”), ku kanë botuar tekste Thomas Deichmann dhe Peter Handke, të dy këta relativizues të zellshëm të krimeve serbe. “Chomsky”, sipas Marko Attila Hoare, “e ka krahasuar përkrahjen perëndimore për boshnjakët me përkrahjen perëndimore për Izraelin dhe cionizmin dhe ka theksuar se SHBA-të bombarduan Serbinë sepse ajo kundërshtoi reformat neoliberale”. Pra, Sllobodan Millosheviqi si mbrojtësi i fundit i vlerave socialdemokrate të Olof Palmes dhe Willy Brandtit. Në këso përrallash mund të besojnë vetëm konspiracionistë si Chomsky.

Ndërhyrja amerikane në Kosovë ka një histori. Pak para se të shpërbehej Jugosllavia socialiste, qeveria e kryeministrit reformator Ante Markoviq gëzonte përkrahje të madhe nga Perëndimi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk përkrahnin asnjë lëvizje për pavarësi, besonin në vazhdimësinë e Jugosllavisë. Sekretari amerikan i shtetit James Baker në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë tha fjalinë e famshme: në Ballkan “we don’t have a dog in that fight”. Përshtatur në shqip kjo domethënë: në Ballkan Amerika nuk ka humbur asgjë, nuk ka asnjë interes.

Në vitin 1991 në Beograd erdhën për vizitë Jacques Poos, ministër i Jashtëm i Luksemburgut, Gianni de Michelis, ministër i Jashtëm i Italisë, dhe Hans Van den Broek, ministër i Jashtëm i Holandës. Qëllimi i vizitës ishte shmangia e konflikteve të armatosura. Jacques Poos, atëbotë njëkohësisht edhe kryetar i Këshillit të Bashkësisë Europiane, hyri në histori me fjalinë: “Tash ka ardhur çasti i Europës”, domethënë tani europianët do të rregullonin punët në Ballkan. Nuk i rregulluan. Pasi e pranoi pavarësinë e Kroacisë dhe Sllovenisë, Gjermania u akuzua nga Parisi dhe Londra për katolikocentrizëm dhe solidaritet me separatistët sllovenë dhe kroatë. Gjermanët u tërhoqën dhe u pajtuan me rolin periferik. Franca dhe Britania e Madhe nuk ndoqën një politikë të luftimit aktiv të hegjemonizimit serb në Ballkan, madje publicisti i madh gjerman Viktor Meier këtë politikë e quante “serbocentrizëm”.

Administrata e Bill Clintonit e shikonte nga distanca kasaphanën ballkanike. Është një skenë ku gjatë luftës në Bosnjë shihen gjenerali serb Ratko Mlladiq dhe gjenerali amerikan Wesley Clark pasi i kanë ndërruar kapelat ushtarake. Më vonë Clark do të pendohej për këtë ndodhi, por fotografia ka mbetur në internet. Politika amerikane ndryshoi pas presionit të madh medial, pas shkrimeve mbi masakrat në Bosnjë të gazetarëve si Roy Gutman, David Rieff dhe Samantha Power (më vonë ambasadore e Barack Obamës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së), pasi serbët morën peng helmetkaltrit e OKB-së dhe sidomos pas gjenocidit në Srebrenicë më 11 korrik 1995.

Megjithatë, kur pak javë më vonë, në fillim të gushtit 1995, ushtria kroate i mposhti me një aksion kriminelët serbë të Krajinës në Kroaci dhe mijëra serbë, të tradhtuar dhe mashtruar nga Millosheviqi, ikën në drejtim të Bosnjës dhe Serbisë, ishte administrata amerikane që pengoi marshimin e ushtrisë kroate drejt Banjallukës, kryeqytetit të sotëm të Republika Sërpskës. Një aksion i përbashkët i kroatëve dhe boshnjakëve në verë 1995 do të kishte penguar krijimin e republikës së serbëve në Dayton në nëntor të po atij viti. Më vonë kryenegociatori amerikan Richard Holbrooke do të pendohej që pranoi që entiteti serb të quhet “Republika Srpska”.

Nuk ishte Amerika aq e etur për t’u përzier në kasaphanat ballkanike, siç trumbetojnë majtistët e tipit të Noem Chomskyit. Por kur më 1999 Sllobodan Millosheviqi nisi edhe luftën e katërt brenda një dekade (pas Sllovenisë, Kroacisë dhe Bosnjës), kupa ishte mbushur dhe Amerika ndërhyri, jo vetëm për të çliruar Kosovën, por edhe për të shpëtuar Europën nga një turpërim i radhës nga ultranacionalistët serbë. Natyrisht ndërhyrja amerikane në Kosovë ia tërhoqi edhe disa vija të kuqe Rusisë. - Në rastin e Kosovës Noem Chomsky nuk argumenton si intelektual, por si aktivist antiimperialist. Duartrokitësit e tij shqiptarë mund ta citojnë, por së paku le të jenë të sinqertë dhe të tregojnë se këtë po e bëjnë si aktivistë antiimperialistë dhe jo si publicistë.