Politika shterpe e jashtme

Bekim Baliqi Bekim Baliqi 24 February 2020 22:21

Politika në Kosovë viteve të fundit ka qenë në parim improvizuese, me një gjuhë dhe sjellje më shumë taktike sesa me qëndrime e veprime strategjike. Rrjedhimisht, edhe politika e jashtme e Kosovës është rezultat i gjendjes dhe rrethanave mbizotëruese gjatë kësaj periudhe kohore.

Ajo çka deri para luftës si interes nacional në planin ndërkombëtar përshkruhej me frazën “sensibilizim të opinionit botëror” për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, tani përkthehet dhe promovohet me termin “lobim” për njohjen e Pavarësisë së Kosovës. Në të dyja rastet, formësimi dhe fuqizimi i politikës së jashtme nuk perceptohet si një sferë e veçantë politike dhe e një rëndësie jetike për afirmimin e interesave nacionalë në sistemin ndërkombëtar të shteteve sovrane. Politika e jashtme është pjesë përbërëse e politikës së përgjithshme dhe interesave të shtetit, por reduktimi i saj në “pritje-përcjellje” të diplomatëve të huaj dhe në aktivitete lobuese, pamundëson zhvillimin e mirëfilltë të kapaciteteve, strategjive vepruese dhe angazhimit diplomatik në funksion të politikës së jashtme afatgjate dhe të duhur.

Sa për ilustrim, Departamenti amerikan i Shtetit, në kohën e themelimit, para më shumë se dy shekujsh, kishte vetëm pesë bashkëpunëtorë, megjithatë e kishte të hartuar strategjinë efikase të politikës së jashtme.

Fakti që edhe pas më shumë se një dekade nga pavarësimi, çështja e njohjes së Kosovës si dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare ende nuk është e përmbyllur, flet më së miri për shterpësinë aktuale të politikës së jashtme kosovare. Njohjet diplomatike, apo siç njihen ndryshe edhe si njohja ndërkombëtare e shtetit, është hapi i parë i legjitimitetit dhe sovranitetit të jashtëm. Prandaj, politika e jashtme kosovare duhet të krijojë strategji më efikase dhe t’i bashkërendojë veprimet, që njohjet dhe anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë, para së gjithash në organizatën më të rëndësishme botërore që është OKB-ja, të përmbyllet sa më parë dhe sa më suksesshëm.

Cilat janë objektivat e politikës së jashtme të Kosovës dhe nga burojnë ato? Njëra ndër qëllimet kyçe të politikës së jashtme është sigurimi i sovranitetit dhe integritetit territorial, të cilat përveç me mjete ushtarake, politike dhe ekonomike, arrihen edhe me krijimin e aleancave dhe anëtarësime të ndryshme e të rëndësishme në organizata ndërkombëtare. Përkundër faktit që Ministria e Punëve të Jashtme ka strategji që flet për njohje dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, e miratuar nga Qeveria qysh në qershor të vitit 2011, këto qëllime mbeten ende të papërmbushura. Kështu, formalisht, Ministria e Punëve të Jashtme ka edhe Departamentin për Organizata Ndërkombëtare e cila në përshkrimin e detyrave thekson: ‘Zhvillon marrëdhënie të ngushta me universitetet e Kosovës dhe institucionet e tjera të arsimit të lartë, si dhe me akademi përkatëse të Kosovës, me qellim të krijimit të eksperiencave me të mira të MPJ-së në çështje specifike, në veçanti në avancimin e prezantimit në organizata ndërkombëtare’.Nga përvoja ime shumëvjeçare si staf akademik në Departamentin e Shkencës Politike dhe studiues i politikave publike, nuk e mbaj mend që ndonjëherë dikush nga MPJ-ja ka krijuar ‘marrëdhënie të ngushta’, apo është konsultuar me mua apo dikë nga kolegët rreth njohjeve ndërkombëtare.

Nuk ekziston ndonjë rregull e artë ose mënyrë e caktuar sesi shtetet mund të njihen ndërkombëtarisht apo të anëtarësohen në organizata ndërkombëtare. Për më tepër, normat juridike, aktet e së drejtës ndërkombëtare dhe kriteret tjera, janë zakonisht parakushte, por jo edhe garantuese të njohjeve dhe pranimit të shteteve të reja në institucione ndërkombëtare. Mirëpo, janë raporti i forcave reale politike, interesat gjeostrategjike dhe ekonomike të fuqive botërore si dhe aftësia diplomatike dhe e politikës së jashtme të shteteve për përkrahje, disa nga faktorët për njohjen dhe pranimin e tyre në arenën globale si shtet me të drejta dhe detyrime të barabarta.

Meqenëse dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit na ka humbur shumë kohë dhe energji të vlefshme pa sjellë rezultate të duhura, çdo pritje dhe pasivitet i mëtejshëm sjell vetëm dëme të pariparueshme në arenën ndërkombëtare dhe rrezikon subjektivitetin ndërkombëtar të vendit. Kështu që aktivizimi i shtuar i politikës së jashtme kërkon konsolidim të politikës së brendshme, si dhe anasjelltas. Me fjalë tjera, betejat e Kosovës për konsolidim të shtetësisë, aq sa kërkojnë bashkërendim dhe veprim më të duhur karshi Serbisë, po aq kërkojnë avancim të aktiviteteve diplomatike dhe veprimeve strategjiketë politikës së jashtme në mënyrë që të fuqizohet shtetësia. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare dhe veçanërisht në agjencitë e specializuara të OKB-së,janë më se të domosdoshme për ta fituar legjitimitetin e duhur ndërkombëtar dhe forcuar sovranitetin. Kjo duhet të jetë edhe alfa e omega e politikës së jashtme dhe diplomacisë së Kosovës. Me këtë dinamizëm të shtuar global kjo më nuk është vetëm çështje e dëshirës për t’u bërë pjesë e strukturave ndërkombëtare, por e domosdoshmërisë për t’i mbrojtur dhe promovuar interesat dhe vlerat kombëtare.

( Autori është profesor në Departamentin e Shkencave Politike,Universiteti i Prishtinës)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Bekim Baliqi