OpEd

Dita e mirë shihet me mëngjes

Të gjithë ne të cilët ende nuk e kemi humbur arsyeshmërinë dhe të cilëve nuk na shantazhojnë benefitet politike, e dimë dhe jemi të vetëdijshëm se këto vendime janë më se të drejta dhe janë vetëm hapat e parë për një qeverisje me duar të pastra dhe për ndërrimin e kursit se si qeverisen dhe menaxhohen edhe ndërmarrjet publike të cilat qe shumë vjet janë shndërruar në çerdhe militantësh partiakë.

Anglia nuk shquhet si vend ku dimri është i acartë dhe ku sasia e borës së rënë shkakton telashe në komunikacion apo infrastrukturë. Mirëpo, përkundër kësaj, sivjet këtu mbretëroi dimri më i butë të cilin unë e mbaj mend ndonjëherë qysh nga viti 1992. E njëjta gjë është duke ndodhur në të gjithë kontinentin evropian pa dallim. Ndryshimet klimatike janë më se evidente. Përkundër dimrit më të butë klimatik kabllogramet diplomatike nuk kanë të ndalur dhe zhvillime të shumta politike janë duke ndodhur si në skenën vendore politike, ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Për lexuesin e ditarit tim, do t’i veçoj disa nga to.

Nuk e shoh veten si një zëdhënës qeverie, unë më shumë jam ai rebeli opozitar kujdestar i cili kritikon qeveritë për vendimet dhe politikat e tyre. Edhe atë 100-ditëshin simbolik do ta prisja para se të bëja komente mbi mbarëvajtjen apo mbrapshtvajtjen e Qeverisë së re të Kosovës.

Që me vendimet e para dhe jemi vetëm në javën e dytë të qeverisë Kurti, shihen vendime të cilat e dërgojnë sinjalin e qartë se "ne mendojmë punë". Dikush do të mundohet që t’i prezantojë këto veprime si vendime populiste. Cinikëve të tillë do t’u dëshiroja që ky lloj populizmi të jetë sa më jetëgjatë dhe mundësisht të instalohet si mendësi jona.

Zvogëlimi i pagave për kryeministrin dhe vartësit e tij ishte vendimi i parë, shkarkimi i koordinatorëve të kotë kombëtarë ishte vendimi i radhës. Javën e dytë u shkarkua bordi i drejtorëve të PTK-së, u suspenduan sekretarët e përgjithshëm, nuk u aprovuan mëditjet për punëtorët e KQZ-së deri në 60% deri në muajin maj për shkak të zgjedhjeve lokale të cilat do të duheshin të mbaheshin në Podujevë edhe që mund të zgjasin 1 apo 2 ditë, priten vendime të tjera të rëndësishme në ditët dhe javët në vijim.

Të gjithë ne të cilët ende nuk e kemi humbur arsyeshmërinë dhe të cilëve nuk na shantazhojnë benefitet politike, e dimë dhe jemi të vetëdijshëm se këto vendime janë më se të drejta dhe janë vetëm hapat e parë për një qeverisje me duar të pastra dhe për ndërrimin e kursit se si qeverisen dhe menaxhohen edhe ndërmarrjet publike të cilat qe shumë vjet janë shndërruar në çerdhe militantësh partiakë. Sikur të kishin qenë do farë ekspertësh disi, edhe do ta kishim përbirë atë gjë, por aty më së buti thënë, ka qenë një megjlis i thjeshtë kanagjegj me paranë publike dhe shkatërrim sistematik i kompanisë publike të cilën e kanë menaxhuar.

Është vetëm fillimi i një Qeverie te re me disa vendime të rëndësishme dhe të guximshme fillestare. Mirëpo, nuk është e tëra mjaltë dhe qumësht. Ajo që mua do të më brengoste në këtë stad do të jenë punësimet si dhe emërimet e personave në pozita të shumta politike. Kabinetet ministrore. Nga ajo çka pashë deri tash, u emëruan një sërë zëvendësministrash, që të gjithë burra. Çfarë ndodhi me gratë? Ku mbetën ato? Përveç kësaj, u përfol edhe për një punësim ashtu e dhëndrit të ministrit në Kuvend të Kosovës. Ne disi mezi pritëm që të liroheshim nga një mendësi e tillë dhe se do të vendosnim meritokracinë aty ku ajo do të duhej që ta kishte vendin e saj. Prandaj, nuk do ta kursej as këtë Qeveri po qe se kjo do të shndërrohej në diçka normale.

Kur jemi tek emërimi i zëvendësministrave, shefave të kabineteve, ata të cilët i emërojnë këta persona duhen që ta kenë të qartë se nuk mjafton fakti që ata i keni pasur përkrahës politikë, deri në militantë. Me rëndësi është që ata të disponojnë me ekspertizën dhe profesionalizimin për postin e fushës të cilën do ta mbulojnë. Ata do të jenë shtylla e punës dhe determinuesit e suksesit apo mos-suksesit tuaj, prandaj kujdes me këto emërime zyrtarësh dhe udhëheqësish të sektorëve dhe kabineteve.

Ka vite që nuk i shikoj debatet politike në RTK, sepse kredibiliteti i këtij mediumi publik mediatik ka vite që është përdhosur për toke dhe kontrolluar nga politika ditore dhe grupe të caktuara politike. Por, ja që mbrëmë vendosa ta përcillja një debat ku udhëheqës i debatit ishte Ridvan Berisha, ndërsa njëri nga mysafirët Fatmir Limaj. Për të qenë korrekt, prezantimi i z. Limaj në këtë debat ishte korrekt ashtu nga pozita e një opozitari isha në rregull me këtë pjesë, mirëpo mënyra se si z.Berisha e udhëhiqte atë debat dhe komentet nga ana e tij ishin ato që të bënin ta kuptosh se ai njeri ishte në një zor të madh. Ajo ishte aq evidente sa që edhe z. Limaj disa herë ia tërhoqi vëmendjen gjatë emisionit. Pas shumë vjetësh abstenimi nga shikimi i RTK-së, mbrëmë e kuptova se edhe aty kishte hyrë krimbi i frikës se gjërat kanë për të ndryshuar dhe të krimburit le të frikësohen pse jo? Nuk ua ka lënë baba amanet atë vend që t’i grahin ashtu se siç kanë dashur. Përveç se kanë abuzuar me një medium publik i cili financohet nga paraja e taksapaguesit kosovar, ata shpeshherë kanë shkelur etikën dhe profesionalizmin gazetaresk me qasjen dhe raportimet e tyre të njëanshme. Në këtë llumin e krijuar të shoqërisë sonë në 20-vjeçarin e fundit, 50% mund t’i fajësojmë politikanët dhe mafian e instaluar politike, 50% tjetër janë mercenarët mediatikë dhe nga kjo bindje imja nuk ka asgjë që do të mund të më lëkundte.

A do të mundet Kosova që të bëjë kthesën e saj të madhe në kursin e mbrapshtë të ecurit të saj? Unë besoj që ajo gjë mund të ndodhë, mirëpo jo ndoshta, rezultatet nuk do të shihen me shpejtësinë të cilën ne do të dëshironim. Do të ketë pengesa, bllokada dhe obstruksione, njerëz të cilët kanë përfituar nga ky sistem i instaluar mbrapsht, janë shumë dhe jo lehtë ata do të heqin dorë nga beneficionet e tyre dhe mjelja të cilën ia kanë bërë këtij shteti dhe kësaj shoqërie.

Dje ishim dëshmitarë të një ngjarjeje të rëndë e cila e goditi qytetin e Gjilanit. Atje një ish-pjesëtare e policisë kishte vrarë prindërit e saj, dy vëllezërit e saj dhe më pas, kishte bërë vetëvrasje me revolen e saj zyrtare. Gjatë një interviste me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, ai deklaroi se në kuadër të policisë së Kosovës, janë 100 pjesëtarë të saj të cilët trajtohen për gjendjen e tyre psikike. Aq sa mund të tingëllojë shumë brengosëse si dukuri, unë disi e mora shumë "normale", pasi që mendoj se sikur të bëhej një kontroll në mbarë popullatën, numri do të dilte mjaft brengosës atëherë. Te ne vrasësit kryesorë mbesin shoferët. Mendojeni për një çast këtë gjë. Po mund të jenë të pajisur me patentë shoferi, mirëpo mosadaptimi i tyre, kushtet e komunikacionit dhe njohuria e mangët e tyre rreth shenjave të komunikacionit janë pikërisht shkaktarët e aq shumë aksidenteve fatale në vendin tonë. Nga kjo rrjedh se ato patenta të shoferit ose janë blerë dhe marrë me njohuri ose edhe kjo dukuri e shpërfaq jostabilitetin tonë psikik si popull. Në jetë, të gjitha gjërat janë të ndërlidhura, nuk ndodhin gjërat rastësisht. E kuptoj, detyra e policit i ka ngarkesat shpeshherë mbinjerëzore, mirëpo deri më tani, të njëjtëve kjo shoqëri as sigurimet shëndetësore nuk ua ka siguruar. Për çka jemi duke folur ne? Normalisht, njerëzit të cilët paguhen dhe trajnohen për të ruajtur sigurinë në shoqëri dhe të cilët janë të legjitimuar që të mbajnë armë zjarri duhet t’u nënshtrohen testeve periodike shëndetësore dhe mendore, njëjtë siç do të duheshin t’u nënshtroheshin edhe shoferët e autobusëve, pilotët, vozitësit e trenave dhe të gjithë, gjendja e të cilëve mund të ketë impakt në jetën dhe sigurinë e njerëzve. Këto janë gjëra të cilat veçse implementohen në botë, pse jo edhe te ne.

Nga kabllogramet diplomatike nga bota, do të veçoja emërimin e Richard Grenellit për Ushtrues Detyre të Shërbimeve të Inteligjencës Amerikane nga ana e presidentit Trump. Se si do të vazhdojë z. Grenell të mbetet i emëruari special për marrëveshjet Kosovë Serbi si dhe ambasador i SHBA-së në Gjermani, mbetet të shihet…

P. S. Kjo pjesë e ditarit është e rezervuar për mesazhet për kryeministrin. Albin, deri tash je duke ecur mirë dhe vertikalisht që do të thoshte ai mixha që ka ndërruar jetë. Këqyr burrë, bone ndonjë skandal se s'po kom çka me shkrujtë. Të falemnderës!