OpEd

Të mendohet edhe për punëtorët në qendrat tregtare, jo vetëm për shfrytëzuesit e tyre

A duhet të pushojnë bizneset të dielën apo jo? Kryetari i LDK-së mendon se jo. Por më e rëndësishme për një parti si LDK do të ishte të fliste në radhë të parë kundër shfrytëzimit, trajtimit të keq dhe skllavërimit të punëtoreve dhe punëtorëve.

Kryetari i LDK-së mund të kundërshtojnë idenë që bizneset të pushojnë të dielave. Kjo është një temë për të cilën ka debate të ashpra edhe në vendet perëndimore - për dhe kundër. Por kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, nuk mund të argumentojë vetëm me «konceptin e ekonomisë së lirë të tregut dhe promovimit të sektorit privat» dhe me konstatime të paqëndrueshme se «tendenca për rregullim administrativ të ekonomisë dhe të jetës së qytetarëve është recidiv i kohëve të kaluara». I cilës kohë? I komunizimit? Atëherë shtete komuniste qenkan edhe Gjermania dhe Zvicra.

Para se të fantazojë për «koncepte» dhe «tendenca», kryetari i LDK-së dhe LDK si parti duhet të flasin edhe kundër shfrytëzimit, trajtimit të keq dhe skllavërimit të punëtoreve dhe punëtorëve! Pothuaj të gjithë e dinë si shfrytëzohen shitëset dhe shitësit nëpër dyqanet dhe qendrat tregtare në Kosovë.

Nëse kryetari i LDK-së me kaq zjarr e vrull angazhohet për liri ekonomike, atëherë mund ta pyesim: a nënkupton ky koncept ekonomik lojën në treg pa gati asnjë rregull? Përse kryetari i LDK-së nuk kërkon së paku që punëtorët që punojnë të dielave, të paguhen më mirë? Pse LDK nuk ka një politikan prominent që merret me të drejtat e punëtorëve?

Përpjekja për t'u dukur parti sa më e djathtë, e nxjerr LDK-në si shërbëtore të një shtrese shoqërore të pasuruar shpejt dhe në rrethana të tranzicionit kanibalesk. A është interesuar LDK (e edhe partitë e tjera) nëse ndërmarrjet i kryejnë pagesat shtesë për punë gjatë fundjavës apo festave? Sa respektohet Ligji i Punës? A ka lëshuar LDK (dhe shumica e partive të tjera) një kumtesë ndonjëherë kur në kantiere kanë humbur jetën punëtorët e ndërtimtarisë? A ka pyetur ndokush nga politikanët se përse, sipas Ligjit të Punës, me kërkesë të punëdhënësit, punëtori duhet të punojë jashtë orarit të punës më së shumti deri në 8 orë në javë? Që i bie: një ditë. Përse gjatë orarit të punës Ligji i Punës lejon vetëm 30 minuta pauzë?

Natyrisht kryetari i LDK-së mund të vazhdojë të flasë vetëm për interesat e pronarëve të qendrave tregtare, por në Kosovë më shumë ka punëtorë ose të papunë se sa pronarë të qendrave tregtare. Por ndoshta LDK është aq arrogante dhe nuk ka nevojë për votat e punëtorëve. Kështu LDK është në rrugë për t'u bërë përfaqësuese e interesave partikulare, duke harruar (qëllimisht?) se çdo parti që synon të jetë e shtrirë në disa shtresa të shoqërisë, ajo duhet të gjejë edhe balancin e përfaqësimit të interesave të njerëzve. E njerëz nuk janë vetëm pronarët e qendrave tregtare në periferi të Prishtinës e gjetiu nëpër Kosovë. Njerëz janë edhe shitëset që mbahen çdo ditë nëpër dyqane si skllevër - deri në 10 e 12 orë. Ai gazetar apo ajo gazetare që do t'i hynte një hulumtimi mbi kushtet e punës të shitëseve dhe shitësve nëpër dyqanet dhe qendrat e mëdha tregtare të Kosovës, ka çfarë t'i tregojë publikut.