OpEd

Broçkulla nga Bujanoci

Hedh dikush një gur nga Bujanoci... Ose: qysh një fake-news, një lajm i rrejshëm, me një “analist” serb u bë gati aferë shtetërore në Kosovë. Në kurthin e fake-newsit ranë jo vetëm përdoruesit e Facebookut dhe disa media, por edhe një deputete dhe vetë presidenti i vendit. Kështu iu bë një shërbim nënkryetarit të Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), partisë së Sllobodan Millosheviqit. Sepse ky “analisti” serb është edhe nënkryetar i SPS-së!

Mbrëmë e mprehu kalemin edhe presidenti i Kosovës dhe kritikoi një deputete të VV-së që paskësh shpërndarë disa llafe gjoja lavdëruese të një “analisti” serb për kryeministrin e Kosovës. Presidentit i mbeti hatëri për shkak se “analisti” serb paskësh thënë: kryeministri i tanishëm i Kosovës “nuk ka dosje kriminale të UÇK-së”. Kryetari i Kosovës e pa të nevojshme të theksojë edhe njëherë se sa krenar është që ka qenë njëri nga krerët e UÇK-së. Ai ka të drejtë të jetë krenar, pa asnjë dyshim, por së pari më mirë do të ishte që ekipi i tij ta verifikonte thënien tashmë të famshme dhe të pathënë të “analistit” serb.

Para se të prononcohej presidenti dhe prononcimin ta shoqëronte me një fotografi gati në kokërr të shpinës, por me një telefon të stolisur me logo të UÇK-së, llafet e “analistit” serb, që dikur u mor vesh se e paskësh emrin Predrag Markoviq, u shpërndanë poshtë e lartë nëpër botën digjitale shqiptare. Më të entuziazmuarit ishin militantët e Vetëvendosjes. “Pa shihni, pa shihni çka po thotë shkjau për Skënderbeun tonë të ri” – ky ishte nëntoni i brohoritjeve të përkrahësve të VV-së.

Me sa duket në viset tona shqiptare kriter për vlerësimin e politikanëve të Kosovës ende janë llafet e televizioneve dhe gazetave të Beogradit, të cilat citohen pa asnjë distancë kritike. Kryeministri i mëparshëm i Kosovës madje nuk pati përtuar të marrë pjesë në një emision të një gazetari të nëntokës serbe. Mundohej të fliste serbisht dhe kjo “gjuhë” në Serbi shfrytëzohej tamam për ringjalljen e stereotipave dhe klisheve raciste mbi shqiptarët. Mandej mediat serbe të nëntokës, bazuar në këtë intervistë, ndërtonin rrëfime për “kriminelin shqiptar”.

Të kthehemi te fake-newsi me “analistin” serb. Si ndodhi? Lajmi mori botën shqiptare kur një person nga Bujanoci, shqiptar me nacionalitet, i cili bashkë me kriminelin e luftës Vojisllav Sheshel, merr pjesë si mysafir në “debatet” e televizioneve serbe, shpërndau në profilin e tij në Facebook një grumbull fjalësh gjoja lavdëruese që i paskësh thënë “analisti” serb për kryeministrin e Kosovës. “Analisti” kishte marrë pjesë në një emision të televizionit (publik) serb, i cili është po aq publik sa televizioni i Koresë së Veriut.

Çfarë ka thënë Predrag Markoviqi gjendet në webfaqen e RTS-së. Aty ai nuk e thotë as gjysmën e fjalëve që i përshkruhen (atribuohen) në opinionin shqiptar. Shkurtesa UÇK nuk përmendet fare. “Analisti” serb ankohet që në Kosovë nuk ka plazma-keksa. Pjesa tjetër e deklaratës së tij janë broçkulla të çarshisë nacionaliste të Beogradit dhe nja dy-tri fjalë në thelb jo lavdëruese ndaj kryeministrit të Kosovës, por paralajmëruese ndaj opinionit serb: kujdes se ky nuk është si ata të tjerët, por serbët i urren dhe me këtë urrejtje ka ardhur në pushtet.

Në kurthin e fake-newsit nuk ranë vetëm përdoruesit e Facebookut, militantët partiakë, deputetja e VV-së, ndonjë medium - në kurthin e fake-newsit ra edhe vetë presidenti i Kosovës. Kështu një lajm i fabrikuar dhe i “stolisur” me fjalë që mund të ngjallin polemika në opinionin shqiptar dhe të shkaktojnë konflikte edhe më të thella mes krahëve politikë u bë pothuaj aferë shtetërore.

Historia e këtij lajmi të rrejshëm është edhe një shembull frikësues se sa lehtë bie në gracka opinioni shqiptar, sa lehtë manipulohet, sa lehtë polarizohet, sa lehtë dhe në mënyrë jokritike konsumon lajme me efekt të vetëm: propagandën. RTS e kreu një pjesë të punës së vet: e solli në studio Predrag Markoviqin, i cili është anëtar i Këshillit për brendimin e Serbisë (në serbisht: član Saveta za brendiranje Srbije). Me fjalë të tjera: anëtar i një këshilli serb për të propaganduar brendet serbe. Në këtë fushatë me apo pa dashje ia dha krahun edhe një pjesë e opinionit shqiptar. Predrag Markoviqi është më së paku historian. Nga viti 2015 ai është edhe nënkryetar i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS). Idhulli i tij është Ivica Daçiqi, kryetari i SPS-së, ish-zëdhënësi i Sllobodan Millosheviqit. Këto të dhëna nuk janë kurrfarë zbulimi. Gjenden për 5 minuta në internet.