OpEd

Sa ironike

Kinezët e kanë aftësuar një spital për 1000 pacientë, që ishte planifikuar të përfundohej në maj, për vetëm dy ditë pune. E ne... ne ende po merremi vesh se do të takohemi për të mos u marrë vesh. Ne ende i kalojmë ditët duke pyetur veten “a po bëhet koalicioni a nuk po bëhet”.

Lajmi i javës qe vrasja e një polici në detyrë. Viktimë e një shpërthimi të TNT-së që e kishte kurdisur njeriu në nam të zi për dhunë në familje dhe hajni. Një tjetër viktimë, polic, me lëndime të rënda në fytyrë, është dërguar për shërim jashtë vendit. I treti i lënduar, gjithashtu polic, mbetet për shërim në Kosovë.

Polici i vrarë u shpall Hero i Kosovës dhe e enjtja qe ditë zie. Qeveria e dorëhequr ndau 15 mijë euro për policin e vrarë dhe nga 10 mijë euro për të plagosurit. “Bombashi” u arrestua dhe iu caktuan 30 ditë paraburgim.

Ironia 1

E tmerrshme vrasja në detyrë. Porse edhe më i tmerrshëm trajtimi që shteti ua bën pjesëtarëve të sigurisë, dhe në përgjithësi punonjësve publikë, që sa e sa vjet presin që të themelohet fondi për sigurim shëndetësor dhe të jetës, që për çfarëdo rasti, këta të mos jenë të detyruar të varen nga miqtë apo edhe nga shteti që i qaset buxhetit për t’i larë gjynahet e veta.

Është jashtë çdo logjike që pjesëtarët e Policisë, të FSK-së, zjarrfikësit dhe rojat e pyjeve, ta zëmë, të mos kenë sigurim jete. Dihet mirëfilli që këta janë më të ekspozuarit ndaj rrezikut për jetën. Dihet se detyrat e tyre janë mirëqenia dhe siguria jonë. Dhe dihet se shtetit aq ia bën t’ua rregullojë statusin. Përfaqësuesit e institucioneve mjaftohen me dhënien e dekoratave kot dhe me ndarjen e ndihmës së njëhershme.

Të dëgjosh krerët shtetërorë tek thurin fjalime lavdëruese dhe shprehin krenarinë me ata që po vriten në detyrë është shumë e dhimbshme dhe në kufi me neverinë, duke ditur se ka qenë në duart e këtyre politikanëve që t’iu zgjidhet çështja e sigurimit shëndetësor dhe të jetës këtyre kategorive që e kanë punën aq të rrezikshme, e të cilën nuk dimë ta vlerësojmë ne të tjerët. Derisa të mos ndodhë një shpërthim si ky i Zhurit, dhe të mos vdes ndokush në detyrë. E më pas mjaftohemi me t’i shpallur heronj dhe me t’i kujtuar në përvjetorët e vdekjes së tyre me nga një tufë lule.

Ironia 2

Rasti i vrasësit të policit në Zhur është rrëfimi tjetër i trishtë i kësaj Kosove të dërrmuar nga hajnia dhe abuzimi me pushtetin. Është njeri që i ka shtatë a tetë lëndë aktive, sa në proces, e sa të kaluara; me një dosje me gjasë të trashë të dhunës në familje, dhe me një vendim për ndalim afrimi bashkëshortes së vet me të cilën është në proces shkurorëzimi. Paraqitja e fundit që i është bërë për dhunë në familje ka ndodhur në shtator të vitit të shkuar, kurse procesi në gjyq ka arritur deri te seanca e dytë. Do të thotë, nuk ka vendim ende nëse do të duhej dënuar për recidivin, për rrahjen e vazhdueshme të bashkëshortes.

Rasti i tij është një në vargun e atyre që kurrë nuk e kanë kohën e duhur për t’u trajtuar. Katër muaj kanë kaluar nga paraqitja e rastit, dhe ky njeri ka qenë i lirë, duke banuar në shtëpinë e tij me dy fëmijë të mitur, përderisa bashkëshortja ishte larguar me të tretin fëmijë. Njeriu i cili ka vendosur ta trajtojë bashkëshorten e vet si rob, e ta rrahë sa herë që iu ka dukur se duhet, për këta katër muaj ka mundur ta gjente atë dhe ta sulmonte sërish, nëse këtë tashmë nuk e ka bërë. Urdhri për largim dhe shmangie kontakti me bashkëshorten nuk mund të ketë asnjë efekt përderisa kjo grua nuk është e strehuar diku në të sigurt. Është një copë letër që nuk mbron, vetëm jep mundësi që të ftohet policia në ndihmë. E kjo ndihmë, jo rrallë në Kosovë, ka ardhur vonë.

Për 20 vjet, nuk qemë në gjendje ta ndërtonim një sistem efikas gjyqësor ku nuk duhet pritur me muaj që të caktohen seancat gjyqësore. Nuk qemë në gjendje të krijojmë shtëpi të sigurta, nën përkujdesjen institucionale, për gratë që kryesisht janë viktima të dhunës familjare. Ndërtuam një shërbim institucional dhe bajagi të shtrenjtë që u shërben urdhërdhënësve politikë që t’i shpëtojnë ndjekjes penale. E që iu shërben edhe për mbrojtjen e atyre që i kryejnë punët e pista për ta. Për 20 vjet ia dolëm të kemi kryeprokurorë që mjaftohen për ta arsyetuar mospunën e tyre me deklarata të stilit “po çka ka lidhje nëse nuk e kemi përndjekur askënd të madh” dhe prokurorë që nuk janë në gjendje t’i mbrojnë rastet e tyre para gjykatës. Dhe për të cilët ndonjëri prej kryesuesve të KGJK-së a KPK-së thotë se ekziston nevoja që personeli i gjyqësisë të shkojë në trajnim shtesë, ngase nuk e kanë të qartë përgjegjësinë që e kanë marrë për ta zbatuar ligjin.

Ironia 3

Vendimet për t’u ndihmuar familjet e personave që për një arsye ose tjetrën vdesin qoftë në detyrë apo në rrethana të tjera, merren nga një Qeveri që qe moti, nuk do të duhej të merrte më vendime. Sipas Kushtetutës, një Qeveri e dorëhequr nuk është më. Pra, nuk do të duhej të kishte ekzekutiv dhe detyrat do të duhej t’i bartte shërbimi civil, secili në dikasterin përkatës.

Por jo, te ne, për shkak të zbrazëtirave juridike dhe për shkak se ashtu na u ka tekë, kemi qeveri në detyrë qe gjashtë muaj, dhe thuajse për çdo javë kemi vendime të tyrlifar lloji, që nuk e kanë as logjikën më të vogël, pos të akomodimit dhe rehatimit të dostave partiakë.

I tillë për shembull është secili vendim për zbrazjen e arkës shtetërore nga kjo qeveri në dorëheqje. E i tillë është edhe vendimi për emërimin për konsull të një njeriu që ka nisur karrierën në institucione si shofer. Dhe i cili në përgjigjen e MPJ-së cilësohet si diplomat karriere.

Tash merreni me mend se kush e përfaqëson Kosovën nëpër botë. Për më keq, nuk e kemi idenë se sa njeriu është shpërndarë nëpër botë për “të na i mbrojtur interesat”; nuk e kemi idenë se pse na hapen konsullata në Tiranë, në Strugë, në Zarë apo gjetiu; nuk e kemi idenë se sa po na kushtojnë gjithë këta njerëz që shkojnë jashtë e bëhen me targa diplomatike e më pas mund të merren edhe me veprimtari kriminale. Hiç të mos shkojmë më larg sesa te rasti i shoferit në konsullatën në New York, që jo vetëm tregtonte me kallashnikovë, porse edhe shpërlante para – e kishte më lehtë, se kishte veturë me targa diplomatike dhe njëfarë imuniteti para autoriteteve.

E për të qenë ironia më e madhe, krejt kjo ndodh për shkak se dy parti nuk mund të merren vesh për poste. Qe tre muaj thuajse luajnë pingpong me gjithë neve. Na i shkatërrojnë nervat me deklarata, e me filozofi e me akuza “ne iu ofruam, ata na ofruan”... Ironike që ndryshimi aq i pritur do të duhej të vinte nga dikush që në aspektin e pazarit për poste nuk ndryshon shumë nga ajo që kemi pasur deri tash. Aq shumë na kanë lodhur, saqë përditë e më shumë zbehet shpresa se ky vend do të mund të ndryshojë për të mirë madje në dekadën që vjen.

Ironia 4

Albin Kurti i shkroi kryetarit të Kuvendit dhe kërkoi nga Kryesia që të caktohet data e mbajtjes së seancës, ku do të votohen mandatari dhe Qeveria e re. Ironik, natyrisht, që reagimi i LDK-së, që doli të thoshte se e gjen veten të befasuar me një veprim të këtillë, ngase nuk ka marrëveshje koalicioni. E marrëveshja e koalicionit ka ngecur për shkak se LDK-ja, pos kryetarit, me ngulm e kërkon edhe dorëheqjen e Konjufcës, të cilin vetë e votoi, për t’ia dhënë këtë post përkohësisht Vjosa Osmanit, e cila më pas, kur të vijë radha e zgjedhjes së kryetarit, do t’ia dorëzonte prapa VV-së. Edhe më ironike është të dëgjohet për befasinë, kur dihet mirëfilli se nuk kanë mbetur shumë ditë afati kushtetues brenda të cilit duhet thirrur seanca.

E që ironia, në këtë rast, të jetë edhe më e madhe, është se në këtë seancë do të votojnë deputetët që e kanë dhënë betimin, e që nuk janë Limaj, Pacolli, Haradinaj dhe Hoxhaj (të cilët i ruajnë postet e tyre ekzekutive), dhe të cilët do ta marrin rrogën e plotë (nëse tashmë nuk e kanë marrë) në vlerë prej nja 1500 a sa eurosh, vetëm pse e kanë mbajtur një seancë të vetme, më 26 dhjetor. E garant edhe për këtë seancë do të paguhen.

* * *

Në Kinë u shfaq epidemia e shkaktuar nga koronavirusi vdekjeprurës. Tashmë kanë vdekur më shumë se 170 veta dhe ai ka nisur të përhapet. Me sa mallin e marrim ne nga Kina, duhet pasur frikë që ky mund të mbërrijë edhe te ne me shpejtësi më të madhe seç e mendojmë. Dhe e dyshoj shumë se do të ishim të gatshëm për ta luftuar atë si duhet, kur sivjet me shumë vonesë u sollën veç 100 mijë doza të vaksinës kundër gripit sezonal.

Kinezët e kanë aftësuar një spital për 1000 pacientë, që ishte planifikuar të përfundohej në maj, për vetëm dy ditë pune. Ndërkohë janë në përfundim e sipër të ndërtimit të një spitali montazhi, të cilin besojnë se do ta përfundojnë për dhjetë ditë ndërtimi (ka nisur para një jave).

E ne... ne ende po merremi vesh se do të takohemi për të mos u marrë vesh. Ne ende i kalojmë ditët duke pyetur veten “a po bëhet koalicioni a nuk po bëhet”.

Sa ironike.

flaka@koha.net