OpEd

Qeveria të formohet për nevojat e Kosovës

Dy partitë që dolën të parat në zgjedhje patën mbështetje, sepse vetëm nga to priteshin ndryshime. Nëse dështojnë të formojnë Qeverinë do të lënë përshtypjen se nuk janë të gatshme as vetë për ndryshime. Vërtet “ndërkombëtarët” po insistojnë që Qeveria të formohet sa më parë. Por këtë duhet bërë për nevoja të Kosovës para së gjithash. Kosova nuk e ka luksin e Belgjikës apo të Holandës që të zgjasë me dhjetëra muaj procesi i formimit të Qeverisë.

Mund të japin çfarëdo arsyesh që duan, të shprehin zemërime apo akuza për veprime të njëanshme, por e vërteta është se edhe kësaj radhe pengesat për krijimin e Qeverisë në Kosovë janë pazaret kadrovike. Dëgjuam disa herë në të kaluarën se Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja nuk kanë dallime rreth programit të Qeverisë dhe prioriteteve. Dhe tash e sa javë po dëgjojmë se nuk po merren vesh rreth postit të kryetarit të Parlamentit, atij të presidentit, që do ta pasonte Hashim Thaçin, dhe të ndonjë posti të ministrit.

Ky dështim i dy partive që dolën të parat në zgjedhje duket i papritur, edhe pse në kushte normale do të ishte e zakontë që negociatat të zgjasin me muaj të tërë. Kosova nuk do të ishte e vetmja ku as pas rezultateve të qarta zgjedhore nuk mund të krijohet Qeveria.

Pasi LVV-ja dhe LDK-ja para zgjedhjeve ishin shprehur se janë gati të qeverisin bashkë, dhe bile për pak sa nuk e bënë edhe koalicionin parazgjedhor është vështirë të arsyetohen tash vonesat. Po ashtu edhe ata që humbën në këto zgjedhje ishin krejtësisht korrektë duke mos e vënë në dyshim në asnjë moment të drejtën e këtyre dy partive për të krijuar Qeverinë. Edhe rezultati ishte më i qartë sesa herëve të mëparshme, kur u deshën formula akrobatike për të krijuar qeveri.

Dy partitë që dolën të parat në zgjedhje patën mbështetje, sepse vetëm nga to priteshin ndryshime. Nëse dështojnë të formojnë Qeverinë do të lënë përshtypjen se nuk janë të gatshme as vetë për ndryshime. Vërtet “ndërkombëtarët” po insistojnë që Qeveria të formohet sa më parë. Por këtë duhet bërë për nevoja të Kosovës para së gjithash. Kosova nuk e ka luksin e Belgjikës apo Holandës që të zgjasë me dhjetëra muaj procesi i formimit të Qeverisë.

Belgjika është një shoqëri dhe shtet shumë i zhvilluar ku jetesa e përditshme e njerëzve pak varet nga fakti se kush me kë e krijon Qeverinë dhe cila parti ka cilën ministri. Në Kosovë deri më tash nga përgjigjja në pyetjen se kush është në pushtet varej edhe kush do të punësohet si mësues në ndonjë shkollë, në ndonjë fshat.

Kosovën e presin edhe shumë sfida ndërkombëtare dhe rajonale. Edhe pse nuk ka shumë gjasa që të integrohet në organizatat ndërkombëtare në të cilat synon Kosova, nuk mund të mbetet pasive dhe të presë pa bërë asgjë. Edhe vazhdimi i përmbushjes së kushteve për liberalizimin e vizave dhe lobimi tek shtetet anëtare që kjo të ndodhë është një sfidë e rëndësishme po ashtu.

Kështu pritjet për krijimin e Qeverisë po mbajnë peng në Kosovë shumë gjëra, që nga buxheti e deri tek reformimi institucional, sepse, nëse LVV-ja dhe LDK-ja krijojnë Qeverinë, Kosova do të përjetojë një ndryshim dramatik institucional gjatë së cilit do të shuhet dhe integrohen resorë të shumtë të pushtetit. Kjo, pos që kërkon vullnet politik, do të jetë edhe një sfidë e madhe kadrovike dhe logjistike.

Nga partnerët potencialë që nuk po arrijnë ta bëjnë atë hapin e fundit në krijimin e Qeverisë më e ndarë duket të jetë LDK-ja. Kjo parti në historikun e vet ka një përvojë të lidhjeve të koalicionit me secilën parti tjetër që ka ekzistuar në Kosovë pos me Vetëvendosjen. Por forcimi i një gjenerate të re brenda kësaj partie duket të jetë pengesë që kësaj radhe LDK-ja të mos jetë e hapur për pushtet me këdo. Prandaj dështimi definitiv i bisedave për krijimin e Qeverisë mes LVV-së dhe LDK-së do të kishte më shumë pasoja për LDK-në, sidomos nëse në publik do të forcohej përshtypja se LDK-ja ishte pengesë më e madhe në këtë drejtim. Kjo do të reflektohej edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme, nëse ato do të pasonin.

Në anën tjetër, është i kuptueshëm qëndrimi i Vetëvendosjes që të mos jetë e gatshme të formojë qeveri me askënd tjetër pos me LDK-në. Në këtë mënyrë LVV-ja vërtet ia ka ngushtuar vetes hapësirën e veprimit. Megjithatë çfarë ndryshimi do të ishte sikur LVV-ja të krijojë qeveri me ata të cilët i kishte kritikuar aq shumë në fushatë zgjedhore. Nëse do të ishte e hapur për qeverisje me këdo, atëherë do ta konfirmonte se është e njëjtë sikur të gjitha të tjerat e pikërisht LVV-ja dëshiron ta dëshmojë të kundërtën.

Por as Vetëvendosja nuk do të duhej të ishte aq e sigurt se në zgjedhje të jashtëzakonshme, në rast të dështimit, do të rritej shumë me përqindjen e votave. Sepse mobilizimi për ndryshime që u pa në fillim të muajt tetor mund të mos përsëritet në prag të pranverës apo në pranverë.

Po ashtu nuk duhet nënçmuar as aftësitë e partive që nuk fituan, që kanë strukturat e tyre të zhvilluara, e të cilat, në bashkëpunim me presidentin e me ndonjë dritë jeshile nga “ndërkombëtarët” mund të gjejnë ndonjë alternativë për të krijuar Qeverinë, ku nuk do të ishte LVV-ja, por gjithsesi do të ishte një pjesë, sado e vogël, e LDK-së.