Aktualisht, temë e diskutimit në lidhje me këtë fushë juridike dhe ekonomike janë veprimet institucionale të Autoritetit të Konkurrencës në Kosovë. Sektorët që janë duke u hetuar në lidhje me veprimet institucionale dhe të ndërmarrjeve në kundërshtim me rregullat e konkurrencës janë të ndryshëm. Ata sektorë që janë të rregulluar përmes rregullatorëve, sikurse bankat qendrore apo Rregullatori i Energjisë kanë parimin bazë që të ndërveprojnë me Autoritetin e Konkurrencës në treg
Kompania Google pas një procesi të gjatë hetimor është dënuar nga Komisioni Evropian (KE) për shkelje të rregullave të konkurrencës në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian. Vlera e dënimit në vitin 2017 ka qenë 2.4 miliardë euro, në vitin 2018 është dënuar me 4.34 miliardë euro dhe në vitin 2019 me 1.49 miliardë euro, sepse Google ka abuzuar me pozitën e saj dominuese në disa “tregje relevante” ku ka pozicion dominues. Ky është një nga vendimet e fundit dhe më të rëndësishme të Komisionit Evropian në lidhje me abuzimin me pozitën dominuese në treg, duke përfshirë edhe mekanizmin e kërkimeve online (krahasimin e dyqaneve online). KE-ja përmes Drejtorisë së Përgjithshme për Konkurrencë është institucion përgjegjës për politikën e ekskluzive të Bashkimit Evropian në lidhje me mbrojtjen e konkurrencës në nivel të tregut të përbashkët të Bashkimit Evropian (BE). Kjo politikë rregullohet përmes neneve 101-109 të Traktatit për Funksionimin e BE-së (TFBE), si dhe përmes nenit 37 të TFBE-së që rregullon monopolet shtetërore. Ky sistem kompleks ndërtohet përmes rregulloreve, direktivave dhe vendimeve të BE-së, praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe legjislacionit të butë, sikurse udhëzimet, rekomandimet apo opinionet.
I
Objektivi e politikës së konkurrencës duhet të kuptohet si mekanizëm juridik për të ndikuar në treg, duke siguruar kështu integrim të tregut, konkurrencë efektive në mes të ndërmarrjeve me fuqi të ndryshme ekonomike, mbrojtje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, mirëqenie shoqëror edhe të konsumatorit, si dhe garantim të lirisë dhe drejtësisë në marrëdhëniet ekonomike në treg, duke siguruar kështu efiçiencën ekonomike në treg. Mirëqenia e shoqërisë është një nga qëllimet më të rëndësishme të politikës ekonomike.
Bashkimi Evropian ka të drejtën ekskluzive në lidhje me politikën dhe rregullat e konkurrencës në raport me vendet anëtare. Kjo nënkupton që aktet e BE-së kanë efektin e drejtpërdrejtë në organizimin juridik të vendeve të BE-së. Rasti “V anGendenLoos” i gjykuar nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë ka vendosur parimin e efektit të drejtpërdrejtë duke u mundësuar individëve të kërkojnë të drejtat e tyre në Gjykatën e vendit apo të Bashkimit Evropian.
II
Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe BE-së (Marrëveshja), përkatësisht Kapitulli VI parasheh përafrimin e legjislacionit të Kosovës me Acquis të BE-së dhe zbatimin e legjislacionit dhe rregullave të konkurrencës. Në bazë të nenit 74 dhe 75 të Marrëveshjes, "Kosova do të përpiqet të sigurojë që ligjet e saj ekzistuese dhe legjislacioni të harmonizohen dhe përputhen me Acquis të BE-së”. Sipas kësaj dispozite, Kosova do të sigurohet se ligjet ekzistuese dhe legjislacioni i ardhshëm do të zbatohen plotësisht në praktikë. Sipas këtij neni, harmonizimi dhe implementimi i legjislacionit duhet të bëhen me qëllim të ndalimit të: (1) marrëveshjeve që dëmtojnë konkurrencën, e që ndryshe njihen edhe si “kartele”; (2) abuzimit me pozitën dominuese në treg, duke përfshirë tregun e BE-së; (3) dhënien e ndihmës shtetërore që ndikon në ofrimin e favoreve që dëmtojnë konkurrencën e drejtë dhe të lirë në treg. Legjislacioni aktual në fushën e konkurrencës është pjesërisht i harmonizuar me Acquis dhe rrjedhimisht për shkak të obligimit për harmonizim të plotë, koncept dokumenti që parasheh nevojën për ndryshime ligjore në këtë fushë është miratuar nga Qeveria e Kosovës. Në anën tjetër, Bashkimi Evropian është i përkushtuar që të përkrahë Kosovën në këtë drejtim dhe për këtë arsye përmes programit të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA) është duke e përkrahë reformën ligjore, institucionale dhe atë të ngritjes së kapaciteteve.
III
Për shkak të rëndësisë së reformave dhe implementimit të politikave dhe legjislacionit të konkurrencës me qëllim të përshpejtimit të transicionit drejt ekonomisë funksionale të tregut, orientimi i përgjithshëm institucional duhet të jetë edukimi dhe rritja e vetëdijes. E para, për shkak që kjo fushë është duke evoluar në vazhdimësi edhe në nivel të vendeve të zhvilluara për shkak të inovacionit. E dyta, sepse sektori privat në njërën anë dhe sektori publik në anën tjetër mund t’i shkelin këto rregulla apo norma për të cilat nuk janë të vetëdijshëm që konsiderohen shkelje kushtetuese, ligjore ose administrative. E treta, për arsye që edhe struktura institucionale është duke vendosur themelet dhe qëndrueshmërinë në këtë proces. Si dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme, që qytetarët dhe ndërmarrësit nuk janë të vetëdijshëm për të drejtat e tyre në raport me shkelësit e rregullave të konkurrencës, duke përfshirë këtu edhe dhënien e ndihmës shtetërore në kundërshtim me këto rregulla. Në konkluzion të kësaj është e rëndësishme të theksohet që edukimi i vazhdueshëm nuk nënkupton që shkelësit e legjislacionit përkatës të mos ndëshkohen, përkundrazi, veçanërisht për shkeljet e rënda sikurse marrëveshjet horizontale apo vertikale në formë të “karteleve”, institucionet përkatëse duhet të veprojnë për të mbrojtur dëmet multiplikuese në ekonomi. Megjithatë, edukimi dhe ndëshkimi duhet të zhvillohen në mënyrë paralele me synim të zbatimit të kësaj politike, por në të njëjtën kohë duke zhvilluar aktivitete informuese në raport me grupet e interesit dhe në anën tjetër duke dhënë mendime profesionale dhe paralajmërim në situatat kur ka elemente të sjelljeve antikonkurruese në treg.
IV
Në kuptim të terminologjisë, aspekti i parë që është i rëndësishëm të elaborohet është kuptimi i fjalës “undertaking”(term në gjuhën angleze) në terminologjinë e kësaj të drejte. Bazuar në faktin që TFBE-ja nuk ka përcaktuar definicionin e këtij koncepti, Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian në rastin Hofner dhe Elser v MacrotronGmbHka përcaktuar që “koncepti ‘undertaking’ nënkupton çdo entitet i angazhuar në aktivitet ekonomik pa marrë parasysh statusin ligjor të entitetit dhe mënyrën e financimit”. Kjo nënkupton që edhe një asociacion i bizneseve, federatë e sportit, institucion publik, etj., mund të konsiderohet “undertaking”.
Aspekti i dytë i rëndësishëm në kuadër të kësaj politike është që marrëveshjet në formë të karteleve janë shumë të rrezikshme dhe në përgjithësi ato trajtohen si “marrëveshje” (jo vetëm marrëveshje të shkruara, por edhe verbale apo forma më të thjeshta të koordinimit sikurse prononcimi në publik në lidhje me strategjinë e çmimeve apo shpenzimeve),në mes të ndërmarrjeve për të mos konkurruar në treg, veçanërisht në tregjet oligopolistike, ku veprojnë disa ndërmarrje. Kjo konsiderohet forma më e rëndë e shkeljes së dispozitave të legjislacionit për mbrojtjen e konkurrencës dhe varësisht nga sistemi i rregullimit juridik të shteteve, këto shkelje janë të inkriminuara dhe të dënueshme edhe me dënime më të rënda sikurse forma e dënimit me burgim ose forma të tjera të sanksioneve penale.
Manifestimi i këtyre formave të bashkëpunimit kolektiv apo të njëanshëm realizohen përmes: 1) fiksimit të çmimeve; 2) kufizimit të prodhimit; 3) ndarjes së tregut dhe 4) marrëveshjeve për konkurrencë fiktive në procese tenderues (kjo formë e bashkëveprimit është e inkriminuar edhe përmes Kodit Penal të Republikës së Kosovës). Këto marrëveshje në mënyrë të drejtpërdrejtë e dëmtojnë konsumatorin, sepse çmimet rezultojnë shumë të larta në periudha të gjata kohore, si rezultat i mungesës së konkurrencës edhe përkundër ndryshimit të faktorëve që ndikojnë në politikën e çmimeve për produktin apo shërbimin përkatës.
Aspekti i dytë është abuzimi me pozitën dominuese në treg. Pozita dominuese në treg përcaktohet në bazë të disa elementeve, por që element i rëndësishëm konsiderohet përqindja e pjesëmarrjes në treg sipas sektorit. Megjithatë, edhe në rast që ndërmarrja në fjalë ka pozitë dominuese, ajo mund të veprojë në përputhje të plotë me rregullat e konkurrencës. Në rast së e njëjta abuzon për shkak të pozitës që ka në treg, atëherë ligjërisht duhet të veprojnë rregullatorët e tregut ose Autoriteti për mbrojtje të konkurrencës (Autoriteti). Meqenëse termi “pozitë dominuese” nuk është përcaktuar në TFBE, në bazë të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian në rastin 27/76 UnitedBrands v. Komisioni (1978) dhe rastit 85/76 Hoffmann-La Rochev Komisioni (1979), një ndërmarre që ka pozitë dominuese në treg i referohet “pozicionit të fuqisë ekonomike të ‘undertaking’, e cila i mundëson asaj të parandalojë konkurrencën efektive në tregun relevant, duke i dhënë kështu fuqinë të sillet në masë të lartë në mënyrë të pavarur nga konkurrentët, konsumatorët dhe kushtimisht konsumuesit”.
Koncepti i tretë është bashkimi i ndërmarrjeve në treg (Merger) apo shkrirja (Acquisition). Bashkimet apo shkrirjet e ndërmarrjeve mund të bazohen në interesa tërësisht legjitime sikurse krijimi i ‘jointventure’ dhe të transformohen juridikisht me qëllim të maksimizimit të fitimit. Megjithatë, roli i autoritetit është që të parandalojë qëllimet kundërligjore të cilat potencialisht mund të rezultojnë me zvogëlim të intensitetit të konkurrencës në tregun përkatës. Megjithatë, shqetësimi fondamental i fushës së konkurrencës është në lidhje me efektet e bashkimeve që mund të rezultojnë në raport me konsumatorët. Zakonisht më të rrezikshme për ndikim në konkurrencë janë bashkimet horizontale për arsye të bashkimit të mundshëm në mes të konkurrentit aktual në treg dhe atij potencial.
Koncepti i katërt ka të bëjë edhe me fushën e ndihmës shtetërore dhe veprimin e monopoleve shtetërore/ publike në tregun e Bashkimit Evropian. Është e rëndësishme të theksohet që Kosova në kuadër të MSA-së ka obligim që të gjitha ndihmat shtetërore që janë duke u dhënë apo në proces të dhënies, të identifikohen në një inventar dhe rrjedhimisht Komisioni vendimmarrës për ndihmën shtetërore të përcaktojë lejimin apo moslejimin e tyre. Ndihma shtetërore është koncept kompleks dhe mund të konsiderohet një lirim tatimor, tarifë e subvencionuar për prodhim të energjisë, marrëveshje që bien në kundërshtim me rregullat e konkurrencës, grante apo forma të ndryshme të përkrahjes shtetërore, etj. Megjithatë, përkundër faktit që shteti përkrah segmente të caktuara përmes instrumenteve të lartcekura, nuk nënkupton ndihmën shtetërore nëse pas analizës përkatëse rezulton që efektet e tyre janë plotësisht në harmoni me rregullat e konkurrencës.
V
Në përgjithësi, harmonizimi i legjislacionit në fushës e konkurrencës nuk është proces i komplikuar, sepse ekziston sistemi juridik-normativ të cilin vendi ynë e përshtatë gradualisht. Andaj, sfidat e Kosovës në drejtim të zbatimit të legjislacionit në praktikë paraqiten në disa aspekte, sikurse janë: 1)mungesa e legjislacionit në përputhje me Acquis në fushën e konkurrencës, veçanërisht atij dytësor, 2) mungesa e përvojës së resurseve njerëzore në kuadër të institucioneve zbatuese për të hetuar dhe rrjedhimisht prodhuar vendime bazuar në prova të argumentueshme, 3) mungesa e Gjykatës Ekonomike efektive dhe gjykatësve që njohin fushën e konkurrencës, sfidë e cila është identifikuar edhe në kuadër të raporteve të progresit në lidhje me procesin e integrimit Evropian; 4) sanksionimi juridiko- penal i disa formave të rënda të karteleve dhe ekzekutimi i akteve gjyqësore të formës së prerë; 5) kompensimi i dëmeve për ndërmarrjet dhe qytetarët në situatat kur aktet gjyqësore për kartelet janë të formës së prerë; 5) mungesa e vetëdijes dhe edukimit nga ana e ndërmarrjeve për rregullat e konkurrencës; 6) mungesa e kuadrove të specializuara në të gjitha hallkat e vendim-marrjes; 7) hetimet në lidhje me kartelet të cilat duhet të realizohet përmes hetimeve te quajtura ‘dawnraids’ (koncept në gjuhën angleze) dhe ofrimit të ‘leniancyprogrammes’(koncept në gjuhën angleze) përmes sinjalizuesve nga jashtë apo atyre që janë pjesë e karteleve. Sipas terminologjisë, hetimi në formën dawnraids nënkupton që hetuesit e autoritetit përkatës të konkurrencës zhvillojnë hetime pa paralajmërim në ndërmarrje për të siguruar prova. Raportet e Komisionit Evropian për Kosovën, theksojnë në vazhdimësi faktin që Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka dështuar në realizimin e hetimeve të kësaj natyre. Në anën tjetër, zhvillimi i “leniancyprogrammes” nënkupton mundësinë e ndërmarrjeve për të paraqitur dëshmi tek autoriteti në lidhje me ekzistimin e kartelit, në mënyrë që informatori në këtë rast përmes zbulimit të informacionit, të “shpëtojë” nga dënimi apo të sigurojë dënim më të lehtë për shkak të rrethanave lehtësuese.
Përfundimisht, autoriteti duhet të parashohë avancimin e vetëdijes së ndërmarrjeve në lidhje me shkeljen e rregullave të konkurrencës, veçanërisht karteleve. Shoqatat përveç që kanë kredibilitet në kuptim të zhvillimit të bizneseve të sektorit, ato në drejtim të zbatimit të rregullave të konkurrencës mund të konsiderohen si mekanizëm lehtësues për zhvillimin e praktikave të bashkërenduara në lidhje me krijimin e karteleve. Në lidhje me këtë, shoqatat e bizneseve duhet të vetëdijesohen dhe të kuptojnë thellësisht këto rregulla dhe sanksione, me qëllim që të parandalojnë veprime që bien në fushën e hirtë të këtij sistemi të rregullave dhe praktikave.
VI
Aktualisht, temë e diskutimit në lidhje me këtë fushë juridike dhe ekonomike janë veprimet institucionale të Autoritetit të Konkurrencës në Kosovë. Sektorët që janë duke u hetuar në lidhje me veprimet institucionale dhe të ndërmarrjeve në kundërshtim me rregullat e konkurrencës janë të ndryshëm. Ata sektorë që janë të rregulluar përmes rregullatorëve, sikurse bankat qendrore apo Rregullatori i Energjisë kanë parimin bazë që të ndërveprojnë me Autoritetin e Konkurrencës në treg. Kjo nënkupton që rregullatorët janë të obliguar të veprojnë ex-ante për të parandaluar veprimet në kundërshtim me konkurrencën e lirë në treg, veçanërisht për arsye të monopoleve natyrore që ndërlidhen me infrastrukturën. Përderisa autoritetet e konkurrencës janë të obliguara të veprojnë ex-post, në rast se veprimet në hallkën paraprake nuk kanë prodhuar efektet pozitive në treg. Shembulli më i mirë në lidhje me këtë relacion është rasti C-280/08 DeutscheTelekom AG v. Komisioni Evropian (Komisioni). Sipas Vendimit të Komisionit, Rregullatori nuk ka të drejtë të vendosë tarifa të cilat mundësojnë shkeljen e rregullave të konkurrencës në treg. Në raste të tilla, Komisioni ka të drejtë ta sjellë shtetin para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, sepse konsiderohet se rregullatorët janë mekanizma shtetërorë dhe si të tillë duhet të kenë parasysh parimet në fjalë. Megjithatë, ky vendim ka krijuar një praktikë të re sepse në këtë rast është dënuar Deutsche Telekom për abuzim të pozitës dominuese në treg të cilën e ka realizuar përmes “shtrydhjes së margjinës” së fitimit në pozicionin e integrimit vertikal, përkundër që Rregullatori i sektorit të komunikimeve elektronike ka vendosur në lidhje me aplikimin tarifor për rastin përkatës. Në fund, kjo tregon që edhe pse shteti përmes legjislacionit apo institucioneve përgjegjëse për këtë fushë mund të jetë përgjegjës për dështimin në lidhje me aplikimin korrekt të rregullave të konkurrencës, barra e përgjegjësisë bie tek sektori privat apo ndërmarrjetnë përgjithësi, të cilat duhet të përkujdesen që të mos angazhohen në veprime kundër konkurrencës në treg edhe në mënyrë autonome. Andaj, me qëllim që të gjitha këto sfida të adresohen përmes rritjes së vetëdijes së përgjithshme që ekonomia funksionale e tregut të bazohet në konkurrencë të drejtë, mekanizmat shtetërorë duhet të edukojnë akterët përkatës për të evituar ndëshkimet, veçanërisht të ndërmarrjeve që ballafaqohen me shumë vështirësi për të mbijetuar në ekonominë e Kosovës dhe më gjerë. Një politikë që ka synim edukimin me qëllim të përgatitjes së sektorëve vitalë të ekonomisë për ballafaqim me presionin konkurrues në tregun e përbashkët të Bashkimit Evropian është parakusht për zhvillim dhe rritje të prodhimit/ shërbimeve dhe eksportit, duke siguruar kështu mirëqenien e përgjithshme të shoqërisë.
(Autorja është juriste e fushës së konkurrencës dhe studimet i ka përfunduar në Free University of Berlin në Programin e së Drejtës biznesore ndërkombëtare dhe evropiane, konkurrencës dhe të drejtës rregullative. Ky shkrim bazohet në gradën akademike dhe në mendimin tërësisht profesional në lidhje me këtë fushë, pa paragjykuar proceset e përmendura në analizë)