Ja pse duhet një Qeveri e re

Flaka Surroi Flaka Surroi 07 January 2020 08:27

Osmani thotë se do të ishte gabim historik. Mbase, porse gjithsesi do të ishte gabim praktik dhe trashanik po qe se nuk i mbledhin mendtë dhe merren vesh si ta çojnë këtë mandat tutje dhe sa më larg që të munden.

U shpëtuam petardëve masive dhe e kaluam një Vit të Ri mjaft të qetë në qytet. Organizimi i pritjes së fundit të vitit në Prishtinë qe më i miri prej kohësh dhe kaloi kryesisht pa incidente. “Bllokimi” i shesheve me shtëpizat që, ndër të tjera, shërbejnë verë e çokollatë do të jetë një nga gjërat më të bukura që, sipas mendimit tim, ka Prishtina këto ditë. U vërejt edhe një përkujdesje e posaçme e shërbimeve të mirëmbajtjes që mblidhnin mbeturinat shumë shpesh – sepse kapaciteti ynë për të prodhuar mbeturina është jashtë çdo mesatareje.

Sidoqoftë, iluzioni i një nate të qetë si paralajmëruese e një diçkaje të mirë në vitin e ri, na ra në ujë menjëherë të premten.

Pronto ekspres

Në një kohë rekorde për gjyqësinë kosovare, dje e pamë përmbylljen e skandalit “Pronto” në shkallën e parë. Gjykata vendosi që t’i lironte të njëmbëdhjetë të akuzuarit që mbanin poste të larta në hierarkinë e PDK-së. Prokuroria kishte vendosur t’i akuzonte këta për veprën penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të RKS-së në tentativë”, edhe pse përgjimet edhe për syrin dhe veshin laik shpërfaqnin tipare të krimit të organizuar nëpërmjet ushtrimit të ndikimit.

Nga ajo që mund të përcillej nga raportimet që iu bënë këtij gjykimi, disi lehtë nxirret përfundimi se prokuroria nuk e ka pasur seriozisht kur i ka hyrë kësaj pune vitin e shkuar. U deshën thuajse gjashtë vjet që prokuroria të nisë e të merrej me këto përgjime. Më pas, u dëgjua një deklaratë e kryeprokurorit të shtetit, Lumezi, që pas valës së dytë të përgjimeve kishte deklaruar se “nuk kishte indice të veprës penale”. Në fund, erdhi aktakuza e përgatitur nga prokurorja speciale, Drita Hajdari, që nuk ngriti aktakuzë ndaj Thaçit dhe Veselit, si urdhërdhënësit potencial të punësimeve dhe akomodimeve të kushërinjve dhe militantëve. Për më tepër, nuk i ftoi as si dëshmitarë dhe në fund, dorëzoi Ligjin për Ndërmarrjet Publike si provë për ta argumentuar akuzën e vet.

Nuk e di se çfarë shkeljesh eventuale procedurale mund të gjejë Gjykata e Apelit nëse dikush do të parashtrojë ankesë. Porse kjo që ka ndodhur dje është porosia më e keqe që mund t’u përçohet qytetarëve: se nuk ka as prokuror e as gjykatës që i ndëshkon zyrtarët e lartë politikë për nepotizëm dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Nuk ka kush i hyn punës së luftimit të krimit të organizuar, ngase mosndëshkimi është bërë vlerë në Kosovën e udhëhequr nga komandantët.

Dhe fakti se sistemi prokurorial e gjyqësor duket të jetë qartë i kontrolluar nga të fortët e këtij vendi është një alarm më tepër se përse Kosova duhet të ketë qeveri të re sa më parë që është e mundur. Edhe duke e ditur se kjo Qeveri nuk mund të bëjë mrekulli, megjithatë mbase në mesin e ekzekutivit të ri, dikush do të merret me analizën e punës së gjykatësve dhe prokurorëve në raste të caktuara – në ato kur duhet shpëtuar lëkurën e lëkurëtrashëve. E pas analizës, mbase edhe do të merret me vettingun.

Po të ishte veç kjo...

Nja dy-tri ditë para fundit të Vitit të Ri mësuam se nipi i Sami Lushtakut ishte emëruar konsull në Tiranë. Në kundërshtim me ligjin nga asistenti administrativ në Shtutgart kaloi të bëhej konsull në një përfaqësi diplomatike-konsullore ku nuk ka punë. Konsullata në Tiranë është hapur kot, thuajse për akomodimin e kushërinjve dhe hapjen e mundësisë së avancimit në karrierë, përderisa shtetit të Kosovës nuk i sjell asnjë të hyrë buxhetore nga taksat administrative. Përkundrazi, i shkakton shpenzime.

Gjatë gjithë vitit të shkuar, KOHA ka raportuar për emërime të jashtëligjshme në shërbimin diplomatik; për dërgimin e komshinjve, dostave e familjarëve dhe asnjë veprim i vetëm nuk u ndërmor nga askush: nga Kuvendi për shkak se u shpërnda, kurse nga MPJ-ja dhe Qeveria për shkak se po të vepronin do ta pranonin fajin publikisht.

Privatizimi i shërbimit të jashtëm dhe kthimi i tij në vendpunësim të njerëzve të papërgatitur profesionalisht, por të emëruar politikisht për ta përfaqësuar Kosovën, është një nga problemet më të thella që ka lënë pas keqqeverisja e dekadës së fundit. MPJ-në e brishtë e kanë dobësuar Hoxhaj, Thaçi e sidomos Pacolli, dhe rezultati i drejtpërdrejtë i kësaj është kontestimi i njohjeve nga jo pak shtete afrikane, dhe thuajse asnjë njohje e re të shtetit të Kosovës.

Edhe kjo është një arsye më se e madhe për krijimin e një Qeverie të re, ku ky shtet do të bëhet me një ministër/ministre përnjëmend të Punëve të Jashtme, që do të sjellë pak rend në fabrikën e punësimit të akraballëkut. Dhe ai apo ajo që do të merret me këtë dikaster kaq të rëndësishëm, do të duhej dëgjuar ata që prej vitesh kanë treguar se gjërat po shkojnë zi e më zi.

Masakrimi i buxhetit vazhdon

Përderisa në Kosovë ende nuk ka Qeveri të re, kjo e cila është në detyrë vazhdon të shpenzojë paratë e buxhetit pa ndal. Të kujtojmë se deri në formimin e Qeverisë së re, po qe se formohet, Kosova do të vazhdojë t’u paguajë rroga 21 ministrave e një grusht zëvendëskryeministrave, duke qenë që disa syresh ende nuk e kanë dhanë betimin si deputetë e mund ta shfrytëzojnë edhe ndonjë ditë postin ekzekutiv. Për më keq, Kosova vazhdon t’ua paguajë rrogat atyre 100 a sa zëvendëskryeministrave që kurrë nuk e ditëm sa i patëm, dhe një grumbulli koordinatorësh që nuk e dimë se pse janë emëruar në rend të parë.

Ndërkohë, dalin në sipërfaqe shpenzimet e pakontrolluara të parave të ministrive të caktuara që vazhdojnë të organizojnë punëtori në Shqipëri (askush më nuk po i frikësohet tërmetit) dhe të shpenzojnë me mijëra euro mëditjesh e shpenzimesh të tjera kot për aktivitete që mund, dhe do të duhej të mbaheshin në Kosovë.

Sa më shumë të zvarritet formimi i Qeverisë së re, aq më gjatë do të vazhdojë masakrimi i buxhetit kot së koti, duke paguar njerëz vetëm për shkak të faktit se e kanë një vendim të nënshkruar nga Haradinaj, ku thotë “emëroheni zëvendësministër”. Dhe që detyrë primare e kanë të mos bëjnë asnjë gjë, pos të zhvatin buxhetin.

Ndërkohë

Pas tri refuzimesh për t’u takuar, Albin Kurti më në fund ia caktoi ditën e takimit Thaçit, duke ia lënë këtij që ta caktojë orën e takimit. Të hënën, më 6 janar, në orën 15:00 është paraparë të mbahet takimi konsultativ ndërmjet fituesit të zgjedhjeve dhe kryetarit të shtetit, i cili e ka për detyrë që ta emërojë mandatarin për formimin e Qeverisë.

Prej kësaj që shihet hë për hë, është që Kurti nuk i ka votat e LDK-së për formimin e Qeverisë, ngase vetë LDK-ja nuk e ka marrë vendimin e prerë në lidhje me temën kyç politike. Pra, zor që mund të ketë emërim mandatari të hënën. Por në Kosovë kurrë s’i dihet.

Ishte paralajmëruar se do të mbaheshin mbledhja e Kryesisë dhe ajo e Grupit Parlamentar të LDK-së të premten, porse kjo u mohua dhe u bë me dije se takimet do të mbaheshin të hënën, gjithsesi para takimit të Kurtit me Thaçin. Se a do të përfundojë mbledhja e GP-së para këtij takimi, mbetet të shihet të hënën.

Dy elemente që u veçuan të premten mund të jenë indikatorë se LDK-ja mbase edhe do ta votojë formimin e Qeverisë Kurti, me përfaqësuesit e saj në të. I pari qe vizita e një delegacioni të LDK-së (pa Osmanin në të) tek emisari i Trumpit për Kosovën, Grenell, në Berlin. Ai ua bëri me dije se duhet të hiqet taksa, dhe se bisedimet me Serbinë duhen të rifillojnë sa më shpejt që është e mundur. Elementi i dytë qe deklarata e Vjosa Osmanit se “do të ishte gabim historik për Kosovën po qe se nuk arrihet marrëveshja për bashkëqeverisje ndërmjet VV-së dhe LDK-së”.

Nuk e di nëse do të ishte gabim historik, porse gjithsesi do të ishte gabim praktik dhe trashanik po qe se nuk i mbledhin mendtë dhe merren vesh si ta çojnë këtë mandat tutje dhe sa më larg që të munden.

Ato që u përmendën në tri rrëfimet e mësipërme janë vetëm një copëz e kaosit në të cilin jemi mësuar të jetojmë.

Madje të jetojmë keq.

[email protected]

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi