OpEd

Shpresojmë në një vit, në të cilin do të ndodhë diçka

Para disa vjetësh, gjatë fluturimit drejt Kosovës, një bashkatdhetar më afrohet dhe më pyet: “M’ fal, a mund të pyes diçka?”. Thashë me vete se mund ta ketë vetëm një pyetje, që në pothuajse 90 për qind të rasteve ma bëjnë të gjithë ata që e dinë se jam gazetar dhe raportoj nga Brukseli: “Kur do t’na i heqin qato viza?”, me konstatimin përcjellës se “Evropës duhet t’i vijë turp që po e lë të izoluar një popull të tërë që aq shumë e do këtë Evropë”. Por jo. Ai kishte një pyetje tjetër që nuk kishte të bënte fare me Brukselin: “Kur do të mund t’i marrim certifikatat e lindjes dhe letërnjoftimet në ambasadat e Kosovës?”. I thashë se nuk di, porse kam lexuar se kjo do të nisë së shpejti nëpër shërbimet konsullore të Kosovës. “Ahhh! Na mytët t’u na rrejtë!”- ishte reagimi i tyre. Kush - e pyeta unë. “Ju, të gjithë politikanët”. I thashë se unë nuk jam politikan, por gazetar. Nuk u ndal - “krejt jini njësoj, e qitni qaty një kravatë, delni në televizor dha na mytni t’u na rrejtë!”.

Nuk është kjo biseda e vetme dhe arsyeja se pse gazetarët shpesh pyesin veten se a janë duke gënjyer apo duke manipuluar, kur gjatë raportimit të tyre përcjellin mesazhe që kanë për qëllim manipulimin. Këtë dilemë e pata edhe para një muaji kur me një grup zyrtarësh të lartë të BE-së bisedonim për Kosovën, për Ballkanin, për moszgjerimin e BE-së, për mosliberalizimin e vizave. Unë i akuzova se kanë manipuluar (fjalë sinonime për rrena të kulluara dhe të qëllimshme). Si zakonisht, për mosrealizimin e premtimeve fajin e hedhin tek ata që i kanë dhënë premtimet. Kësaj radhe tek politikanët e Kosovës. Por këta të BE-së u kanë ndihmuar të rrejnë, u janë bashkëngjitur rrenave të tyre, qoftë duke heshtur apo edhe duke mbështetur me fjalë të njëjtat premtime.

Por u thashë se edhe ne gazetarët, ndonëse kemi pasur kujdes duke ua tërhequr vërejtjen lexuesve se nuk duhet të besojnë në gjithçka që dëgjojnë as nga liderët e Kosovës e as nga BE-ja, ndoshta kemi kontribuuar në krijimin e një përshtypjeje se gjithçka po shkon në drejtimin e duhur, se procesi i integrimit në BE po vazhdon. Prandaj u thashë se në të ardhmen duhet të shkruajmë më shumë për gjërat që nuk po ndodhin, sesa për ato për të cilat ata pretendojnë se po ndodhin. Sado që të na fajësojnë për përhapje të pesimizmit, për shuarjen e shpresave. Ne duhet të insistojmë në fakte. Sepse nuk jemi ne që prodhojmë fakte, por vetëm i përcjellim ato. Nganjëherë edhe duke qenë lajmëtarë të gjërave jo të mira.

Viti 2019 ishte një vit tejet i rëndësishëm për BE-në. Gjatë tij, krejt në fund, u përmbyll procesi i transicionit institucional. Nisi punën edhe Komisioni i ri, edhe kryetari i ri i Këshillit Evropian, edhe Parlamenti i ri, edhe kryetarja e re e Bankës Qendrore, edhe Ombudspersoni me mandat të ri të ripërtërirë. Por, gjatë këtij viti që po e lëmë pas vendet e rajonit të Ballkanit, e në veçanti Kosova, nuk lëvizi fare drejt BE-së, as drejt liberalizimit të vizave. Jo pse në Bruksel nuk pati njerëz që merren me Ballkanin, por nuk pati vullnet politik. Ndodhi madje një zhgënjim, një ecje prapa dhe një kushtëzim i ri në procese. Dhe në të ardhmen do të ketë edhe më shumë njerëz në Bruksel të cilët do të merren me Ballkanin dhe me Kosovën. Sepse institucionet e BE-së, mes tjerash, janë edhe treg i mirë pune. Dhe në këtë treg strehohen shumë njerëz, ish-politikanë apo politikanë të së ardhmes.

do të ndodhë diçka për Kosovën në vitin e ri në raportet me BE-në? Nuk e di, por nuk do të lejojmë të na rrejnë. Gjërat do t’i paraqesim siç janë. Por të shpresojmë se do të ndodhë diçka. Sepse viti në të cilin nuk ndodh asgjë nuk është edhe vit interesant dhe me vlerë.

Qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës janë të njohur për humorin e tyre. Është legjendare ajo që thuhet të jetë “mallkimi” më i madh në Bosnjë që mund t’i urosh dikujt: “Dhëntë Zoti që asgjë të mos ndodhë në jetë!”. Ky nuk është urim, por mallkim. Urim do të ishte “të mos ndodhte asgjë e keqe” e jo “të mos ndodhte asgjë”. Kjo sepse, një jetë në të cilën nuk ndodh asgjë, nuk ka edhe ndonjë vlerë dhe nuk është edhe aq interesante. Ndërsa për ne gazetarët, po ashtu, ekziston një thënie që përmendet edhe në shkollat e gazetarisë, që thotë: “Është lehtë të jesh gazetar kur ndodh diçka”. Të shpresojmë, pa shumë pritje, se vitin e ri do të ndodhë diçka, nëse është e mundur diçka e mirë.

U dëshiroj edhe lexuesve të “Kohës Ditore” që të gëzojnë një vit të ri në të cilin do t’u ndodhin shumë gjëra të mira, ku do t’u kthehet shpresa, ku do të mund të lëvizin lirisht pa viza nëpër Evropë, të thithin ajër më të mirë në Kosovë, t’i çojnë fëmijët në shkolla më të mira. Dëshiroj që në verë të gjithë ta shohim Kosovën në Evropian futbolli, i cili këtë vit do të zhvillohet në shumë shtete, nga Skocia deri në Azerbajxhan, nga Bilbao deri në Baku, nga Sank Petersburgu deri në Bukuresht. Sepse, siç kam shkruar njëherë gjatë vitit 2019, Kosova ka gjasa reale të shkojë në Evropian të futbollit, ndërsa gjasat për integrim në BE janë diçka që i takon një të ardhmeje më të largët. E ne gazetarët do të raportojmë për ato gjëra, të shpresojmë të mira.