OpEd

Tri rrëfime të para tridhjetë vjetësh

Në këto momente mund të marrim mësim prej atyre ditëve të para tridhjetë vjetësh, kur frika ishte tjetërfare, shumë më e madhe, qe frikë për vetë ekzistencën tonë. Dhe, megjithatë, ia dolëm...

1.

Këso kohe para tridhjetë vjetësh qe shembur Muri i Berlinit dhe flamuri rumun kishte një vrimë të madhe të rrumbullakët në mes- qenë prerë nga ai simbolet e komunizmit.

Në Prishtinë kishte disa muaj që në mesin e një numri jo të vogël njerëzish zihej ideja se edhe në Kosovë duhej të ndodhte diçka e ngjashme, se ishte momenti historik kur Kosova duhej, si popujt e tjerë të robëruar në Evropë, të largohej nga komunizmi dhe t’ia hapte rrugën demokracisë parlamentare shumëpartiake.

Qe më vështirë në Prishtinë se në qytetet e tjera të Evropës Qendrore e asaj Lindore. Kosova ishte në gjendje të jashtëzakonshme, sistemi i saj kushtetues juridik i anuluar, vendi i okupuar zyrtarisht nga Serbia. Çfarëdo përpjekjeje për t’iu shmangur linjës, lëre më kundërvënies së drejtpërdrejt, Lidhjes Komuniste në Kosovë, quhej menjëherë separatizëm e irredentizëm, me ndëshkim imediat fizik.

U hodh ideja që të fillohet me hapjen e degës së Shoqatës për Iniciativë Demokratike Jugosllave. Organizata e themeluar nga intelektualë të njohur të ish-Jugosllavisë, mes të cilëve qe Branko Horvati, intelektual kroat i cili u angazhua publikisht për dekriminalizimin e kërkesave politike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi.

Dhe, me t’u hedhur ideja, disi u hodh edhe njëfarë shorti që unë të isha organizatori i mbledhjes së parë të Degës në Prishtinë.

Pas shumë përpjekjeve dhe një koordinimi me njerëz në Kosovë e ish- Jugosllavi, u caktua mbledhja, u pagua salla në “Boro e Ramiz” dhe gjysmë ore para fillimit të mbledhjes një kordon i policisë serbe rrethoi “Boro e Ramizin”, për të treguar pa nevojë të madhe fjalësh se mbledhja nuk mund të mbahej.

Kisha parandier se mund të ndodhte ashtu dhe që më herët qesh marrë vesh me kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve që mbledhjen, nëse ndalohet në “Boro e Ramiz”, ta mbanim në Shoqatë. Më tha që të lajmërohem te sekretari i Shoqatës, dhe kur këtë e bëra ai i hapi dyert. Tha shkurt:

“Kjo është shtëpia jonë. E të gjithëve!”.

Fjalët e tij do të merrnin rrugën e vet mitike. Ditë pas dite, vit pas viti, sekretari do ta hapte atë që ishte bërë shtëpia jonë, e vetmja që ndërsa në të kërkohej liri, konsiderohej të ishte e jona, e të gjithëve. Po, qenë ndoshta diçka më shumë se 100 metra katrorë që simbolizonin lirinë e institucionalizuar, por në formë të çuditshme, në njëfarë mënyre mjaftonin, për të treguar se liria nuk ngulfatet, se ideja e saj nuk matet me metra katrorë. Dhe, prandaj është e të gjithëve.

2.

Atë dhjetor, njëri prej punëtorëve të “Ramiz Sadikut” e kuptoi çka flisja dhe më përkrahu. Ishte njëri prej dy mijëve që ritualisht dilnin për të protestuar kundër mbylljes së kësaj ndërmarrjeje nga ana e pushtetit serb, ishte njëri prej dy mijëve që rriheshin nga policia ndërsa marshonin afër ndërmarrjes së tyre, dhe ishte njëri prej dy mijëve që ishin ngujuar në sallën e madhe të “Boro e Ramizit” me idenë që të mos dilej derisa çështja e kësaj ndërmarrjeje të mos trajtohej nga Kongresi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë.

Kuptoi që LKJ-ja e kishte vështirë ta shpëtonte Jugosllavinë e lëre më “Ramiz Sadikun”, dhe iu ndezën sytë me mendimin e dëgjuar, se ky tubim do të mund të ishte nismëtar për sindikatat e para të pavarura në Kosovë, madje në ish-Jugosllavi.

Ai u bë njëri prej nismëtarëve, njëri prej anëtarëve të Kryesisë dhe njëri prej aktivistëve më të zellshëm e të zëshëm.

Brenda disa ditësh, një organizim i këtillë fitoi vëmendjen brenda Kosovës dhe në diasporë. Atë dimër nuk kishte asnjë familje të “Ramiz Sadikut”-që të gjithë të përjashtuar nga puna- që do të mbeste pa miell, vaj, dru për ngrohje.

Ai dhe shokët e tij nxorën në pah diçka që kishte ekzistuar brenda nesh, por nuk ia kishim ditur a shqiptuar emrin. Solidaritet. Apo bashkëvuajtje. Apo ndoshta njësim, ndjenja se në atë që duhej të ishte shtëpia jonë, vuajtja e çdo njërit eventualisht do të jetë vuajtja jonë personale.

3.

Nuk i shkrova emrat e sekretarit dhe të punëtorit të “Ramiz Sadikut”, sepse janë të këtillë, të harruar. Historia është shkrim në kontinuitet dhe pasurohet jo domosdoshmërisht me të vërteta. Si çdo shkrim tjetër që ka për motër fiksionin, ka nevojë për heronj dhe mite. Sekretari e punëtori i “Ramiz Sadikut” nuk janë pjesë e mitit, sepse nuk janë shndërruar në personazhe heronjsh.

E, megjithatë, ata janë historia e vërtetë e këtij vendi, së bashku me qindra e mija njerëz të tjerë që këtë e kanë konsideruar dhe e konsiderojnë se është shtëpia jonë, dhe se vuajtja e çdonjërit në atë shtëpi eventualisht do të shndërrohet në vuajtje të të gjithëve.

Ekziston ende në shoqërinë kosovare garë për pozicionin në rrëfimet historike; madje çdo ditë, edhe sot, e kemi të njëjtën garë. Në shumicën e demokracive të konsoliduara parlamentare ndarja e dikastereve në Qeveri apo posti i Presidentit lidhen me projekte e ide që kërkojnë levat e pushtetit për t’i zbatuar. Janë projekte transformative shoqërore. Në demokracinë tonë të re parlamentare ende jeton ideja se posti politik shërben për transformim personal, mes të tjerash, edhe për kalim të sigurt drejt historisë.

E, transformimin e vërtetë historik, atë të vështirin, do ta bëjnë gjithnjë njerëzit si sekretari i Shoqatës dhe punëtori i “Ramiz Sadikut”.

4.

Transformimin e bënë para tridhjetë vjetësh, në formën më të çuditshme, gazetarët. Jo me shkrimet e veta, sepse censura e pushtetit dhe autocensura nga frika e ndëshkimit nuk lejonin lirinë e fjalës. Gazetarët e “Rilindjes” vendosën që atë rezistencë që e bënin brenda gazetës ta shpërfaqnin në publik : meqë nuk lejohej me shkrim në të, atëherë duke u bërë prijatarë në braktisjen, edhe formale të Lidhjes së Komunistëve dhe në pjesëmarrje aktive në themelimin e organizatave të reja politike e të shoqërisë civile. Njëri prej atyre themeltarëve, Zenun Çelaj, u nderua në 80-vjetorin e lindjes së tij për vepër jetësore. Pjesa ime personale e asaj vepre jetësore qe, si e gazetarëve të tjerë të moshës sime, se qe mësuesi im i parë i gazetarisë. Pjesa e rëndësishme e asaj vepre jetësore, si për mua ashtu edhe për këtë shoqëri, janë mësimet e Zenunit: të kërkuarit e shprehjes vetjake, e ndershmërisë ndaj vetes dhe, fundja, e çlirimit nga frika.

Kjo, liria nga frika, ishte njëra prej lirive fondamentale të fituar asobote. Por, si çdo liri tjetër, është një që duhet të kërkohet, të luftohet për të, të mbrohet.

Në njëzet vjetët e fundit Kosova u çlirua nga okupatori, por, çuditërisht, menjëherë iu kthye frika.

Kjo frikë e re qe frikë nga pushtetarë e uzurpatorë të dhunshëm. Qe frikë nga padrejtësia e një shoqërie të kapur. Qe frikë nga një e ardhme ku njerëzit e paarsimuar e të paaftë nuk do të mund të ofrojnë shërbimet bazike shoqërore: çfarë do të jetë inxhinieri apo mjekja e së ardhmes kur 15-vjeçari i sotëm nuk e kupton tekstin që e lexon?

Tashmë ekziston frika nga një mallkim kolektiv, sikur shoqëria jonë të jetë e parapërcaktuar të jetë e këtillë, me perspektivë vetëm për atë që largohet nga ky vend.

E ndoshta në këto momente e në këtë përvjetor mund të marrim mësim prej atyre ditëve të para tridhjetë vjetësh, kur frika ishte tjetërfare, shumë më e madhe, qe frikë për vetë ekzistencën tonë.

Megjithatë, ia dolëm. Dhe ia dolëm sepse, përtej miteve dhe figurave historike, kishte qindra e mijëra njerëz që besuan se kjo, çfarëdo që është, është shtëpia jonë dhe është shtëpi e të gjithëve. Dhe se këtë shtëpi e mbajnë vetëm solidariteti, njësimi e besimi në të drejtën e të jetuarit të lirë.