OpEd

Pushteti i “zadrugarëve”

Baci, siç e thërrisnin të afërmit, apo Sela miqtë dhe shokët, çdo fundvit shndërrohej në “yll”, jo “estrade” siç mund të paragjykohej nga perspektiva e tashme për shkak të talentit për këndim, por, “ekonomie” për shkak të mjeshtërisë së mbajtjes së financave. Klientët e tij ishin shitësit e papërgjegjshëm të dyqaneve me pakicë që në popull njiheshin edhe si “zadrugarë”

Si i ri ia ka thënë shumë mirë këngës. Vokalin e kishte të lindur e muzikën pjesë të kulturës familjare. Selajdini, ashtu siç mund të pritej, nuk ndoqi studimet në akademinë e arteve, por shkollën e lartë komerciale në Pejë, një drejtim që për tregun e punës në vitet ‘80 ishte njëjtë si të mbarosh sot studimet në Teknologjinë Informative.

Baci, siç e thërrisnin familjarët, apo Sela miqtë dhe shokët, çdo fundvit shndërrohej në “yll”, jo “estrade” siç mund të paragjykohej nga perspektiva e tashme për shkak të talentit për këndim (arti dhe sporti atëbotë ishin më shumë pasione), por “ekonomie” për shkak të mjeshtërisë së mbajtjes së financave. Klientët e tij ishin shitësit e dyqaneve me pakicë që në popull njiheshin edhe si “zadrugarë”.

Ngarkesat e punës i linte në zyrë. Nuk fliste kurrë për to. Përjashtim bënte në nëntor e sidomos në dhjetor të çdo viti kur në shtëpi kthehej me një krah letra. Nuk ishin të ndërmarrjes ku punonte, por të shitësve hallexhinj.

Një kalkulator dhe një laps, që mbase u duhej ndërruar fyshtin e ngjyrës disa herë, ishte i tërë armatimi i tij që dispononte në shtëpi. Kushte “partizançe” mo!.

Letrat që nuk dihej nëse përmbanin hieroglif apo numra, së pari duhej sistemuar para se të niste me përllogaritjen e tyre. Nuk ishin pak, me qindra artikuj, me qindra transaksione, dorëzim pazari, mall i kthyer mbrapsht, listë veresie, lëvizje çmimesh për shkak të inflacionit, shpenzime rryme,...

“Keq i ka letrat!”, thoshte me ofshamë, ndërsa i hidhte vështrimin një pjese të dosjes që mbante në duar. Pjesa tjetër kishte “pushtuar” dyshemenë e dhomës, që ishte gjithçka, por assesi dhomë pune.

“Është në minus të madh dhe s’po dihet kah e qysh. I duhet të shtojë goxha pare që me iu afru pak barazimit të hyrje-daljeve”.

Për disa transaksione shitësve u mungonte dokumentacioni. Përgjegjësi i dyqanit që ia kishte lëshuar në dorë dosjen me bilancet e një viti, ia kishte përsëritur refrenin e një viti më parë.

“Krejt këto letra i kam, mallin në dyqan e kam numëru, këto i kam veresi, këto janë paret që i kam dorëzu në Kombinat... Bonja diqysh e qitëm në udhë se ka me m’hangër dreqi. S’di sa jam në minus, ama e di që jam boll. Në dyqan i kemi shti durt tre-katër veta s’dihet kush po hanë, kush po pinë...”.

Baci në vend se të ankohej për veten, e kishte hallin e të tjerëve, që dilnin në terren në kërkim të huas për mbylljen e minuseve.

“Kanë probleme me llogaritjet, s’janë pedantë në punë, i kanë ngatërruar letrat. U duhet regjistrimi i brendshëm para se me u ardhë kontrolli zyrtar”.

Punët angari i ka nis që pas diplomimit. Nuk e kishte shumë të dëgjuar honorarin e as fitimin nën tavolinë, mjaftohej me rrogën në ndërmarrje. E për më tepër hallexhinjtë ishin të afërm të tij - dajë, kushërinj e shokë. S’bëhej fjalë për pazare.

Llogaritjet thoshte i dinë me plus dhe minus, por komplikohen në operacionet e tjera.

“Meqë nuk dinë me nxjerrë përqindjen, nuk mbajnë shënimet, nuk kanë dosje, harxhojnë me shpresën se ndërkohe i kthejnë në arkë, qerosin shokët, të afërmit e edhe njerëzit e pushtetit kot e kot, atëherë dëmi normal që bahet i madh”.

Punonte pas orarit të punës për t’ua zbardhë të vërtetën e një viti pune. Ishte e vetmja mënyrë për t’i parë ata pasqyrat financiare, para se t’u binin në qafë “policia financiare” e ndërmarrjes.

Regjistrimi, apo siç na ka rënë të lexojmë në hyrje të dyqaneve kur i gjenim mbyllur edhe mbishkrimin në gjuhën serbe “Popis”, ishte ankth i përhershëm. Shitësit mund të mos e dinin çfarë nuk shkon si duhet, por e dinin se nuk ka lojë me pushtet e shtet. Nuk u bënin punë as artikujt që me vështirësi gjendeshin në treg e që i ruanin për “të fortët”, si vaji, kafeja, sheqeri, detergjenti.

Po dole keq të priste burgu.

Tridhjetë vjet pas mbylljes së këtyre historive dhe të tjerave të ngjashme, njerëzit me dijen që lë për të dëshiruar nuk i kemi në “zadruga”. I kemi në krye të shtetit, në Kuvend, në Qeveri e Presidencë. I kemi në diplomaci, në gjykatë, prokurori, ...

Do t’ia bënim hallall mosdijen sikur bile të kishin integritetin dhe moralin e paraardhësve, e edhe të shitësve “komunistë”. Që qejfin dhe koston e gabimeve i paguanin nga xhepi i tyre.

Por, jo, nuk e kemi këtë fat.

Në shtetin “demokratik” , kemi kryeministër që vetë i 40-ti harxhon mesatarisht nga një mijë euro në drekë secilën ditë pune gjatë dy vjetëve qeverisjeje. Shumë kjo ekuivalente me tri rroga minimale apo sa shtatëfishi i asistencës për një familje pa asnjë të punësuar. Pa përfshirë pagat që me një “ të tekme” u janë rritur 100 për qind, për dy vjet kabineti i kryeministrit ka harxhuar 966,307.34 euro.

Llogaridhënia për shpenzime financiare nuk ekziston më si detyrim ligjor edhe më pak moral. Ata që do të duhej të bënin “regjistrimin”, po ashtu, janë zhytur në haram deri në fyt. Llogaridhënie nuk ka as për listën e gjatë të dështimeve.

Për shitësit e 40 apo 50 vjetëve më parë, që përpiqeshin për të mbajtur një vend pune për mbijetesë duke fshehur paaftësinë e menaxhimit, nuk ka pasur shumë lezet Viti i Ri.

Për “zadrugarët” e pushtetit të tashëm, që nuk fshehin paditurinë e tyre, por përkundrazi e shfaqin atë si vlerë publike, vit i ri është 365 ditë.

(P.S. Selajdini nuk është emër fiktiv. Është axha im. Në fillim të viteve ‘90 ishte larguar nga puna në sektorin shoqëror për të kaluar në sektorin privat. Pas luftës u rikthye në ndërmarrjen “Mlladost” të Gjilanit, ku ka punuar për afro 15 vjet. Aty qëndroi disa vite si drejtor menaxhues dhe pa nga afër shpërbërjen e saj nëpërmjet procesit të shitjes, ashtu si ka rrezik të shpërbëhet shteti i Kosovës nga privatizuesit e saj politik).