OpEd

A keni sy e veshë?

Nuk e di nëse këto dy parti tashmë e kanë kuptuar se ky popull është dërrmuar deri në palcë. Nëse e kanë kuptuar se i jemi afruar fundit të edhe një viti dëshpërues që e pati një çast të ndritur aty nga tetori. Po qe se e kanë të qartë se nëse nuk merren vesh, do ta humbim një pjesë të konsiderueshme njerëzish që përditë e më pak gjejnë arsye për të mbetur e për të jetuar e punuar në këtë vend.

Qysh kanë nisur punët, do të dalë i vërtetë pohimi i Haradinajt, atëherë kur u zgjodh kryeministër për së dyti, se mandatin do ta çojë deri në fund. Pavarësisht faktit se ka thuajse pesë muaj që është dorëhequr nga posti i kryeministrit, Haradinaj vazhdon të jetë kryeministër në detyrë; vazhdon të mbajë mbledhje qeverie dhe, mbi të gjitha, vazhdon ta shpenzojë paranë publike, ashtu siç ka vepruar edhe gjatë mandatit dyvjeçar.

Është mbase kryeministri i vetëm që rezervave shtetërore u ka hyrë karate dhe pa asnjë kontroll në masën sa e ka tejkaluar edhe limitin e përcaktuar me ligj. Me vendimin e fundit, kur i shpërndau një kiamet pare, i tejkaloi rezervat e planifikuara për nja 1.2 milionë euro.

Dhe më e keqja në gjithë këtë situatë është që e gjithë kjo po merret si gjë normale; pra, më mirë nuk mund të pritet nga një qeveri zhvatëse si kjo e fundit, ndërkohë që të gjitha shpresat janë ende të kthyera nga qeveria në ardhje, që kinse është nisur, por kurrsesi të mbërrijë.

Ngrehje veshësh

Po bëhet jo pak irrituese që sa herë gjendemi para formimit të një qeverie dhe nisjeje të një sundimi të ri, ne kosovarët nuk mund të merremi vesh ndryshe pos nëse dikush vjen dhe na i ngreh veshët nga pak. Ekspertë që duhet t’i nënshtrohen disiplinimit janë treguar udhëheqësit e LDK-së. Nëse koalicionin e herës së shkuar me PDK-në e arsyetuan me presionin e fuqishëm ndërkombëtar, kësaj radhe gjasat janë se do ta krijojnë koalicionin me VV-në për shkak se “në ndihmë” u erdhën dy deputetë të Merkelit.

Këta, më qartë sa nuk bën, thanë se institucionet duhet të krijohen dhe se çështja e kryetarit nuk do të duhej të ishte në rend dite tash, ngase është temë që mund të presë.

Menjëherë pas këtij takimi u dëgjua një deklaratë kot e Agim Veliut duke e përsëritur se “ne besojmë se na takon posti i kryetarit të shtetit”, duke mos e argumentuar se pse do të duhej t’u takonte, kur as nuk i është shtruar votimit e as nuk ka qenë temë bisedimesh para certifikimit të zgjedhjeve. Më pas doli Mustafa për të thënë se si LDK-ja ia kishte ofruar VV-së një ministri ekstra, në këmbim për postin e kryetarit pa emër.

Pazar i neveritshëm

Kjo që po ndodh në ditët e fundit thuajse po barazohet me një pazar të neveritshëm që po na kthen aty ku kemi qenë në dy palë zgjedhjet e shkuara: unë ty këtë, ti mua atë, në fund të gjithëve nga një copë pushtet, sepse më me rëndësi kolltuku sesa problemet me të cilat do të merren, po qe se krijohet Qeveria.

Është aq dëshpëruese të shihet se si pas gjithë atyre premtimeve, e gjitha reduktohet në luftën për poste. Se si asgjë nuk e dallon nga kombinimet e tjera politike që janë bërë, me gjithë fjalët e mëdha se është arritur dakordim sa i përket programit politik. Po si e kanë ndërmend ta zbatojnë këtë program politik po qe se nuk mund të merren vesh se kush do të merret me çfarë punësh, ngase më me rëndësi është të debatohet për një post që nuk lirohet edhe nja një vit e gjysmë, sesa të niset urgjentisht me luftimin e së keqes që është duke na gëlltitur nga po mbërrin.

Dhe të kota janë deklaratat që vijnë nga LDK-ja, që na sigurojnë se kjo është parti parimore dhe më e vjetra, me më së shumti traditë, sepse përvoja politike e njëzet vjetëve të fundit na ka treguar se këto janë vetëm fraza dhe nuk kanë lidhje as me përvojë, as me parim dhe as me asgjë tjetër pos interesave të brendshme të një partie politike që është në pozitë për të vënë kushte, ose për të dalë në opozitë. Po qe se ndodh kjo e dyta, fajin për mosndryshimin e asgjëje pas këtyre zgjedhjeve do ta bartë ekskluzivisht LDK-ja, me kërkesën absurde për ta siguruar blanko postin e kryetarit të shtetit.

Hallakamë përbrenda

Mungesa e sinqeritetit të LDK-së shpërfaqet edhe në faktin se nuk e zbulon emrin e kandidatit të synuar për kryetar të shtetit. Po të dinim se për kë po bëhet e gjithë kjo luftë, mbase do ta kishim më lehtë, ose ta pranonim, ose ta kritikonim deri në skaj përzgjedhjen e partisë.

Po qe se ky emër ende nuk është gjetur, atëherë mbase do ta kishin shumë më lehtë po qe se do ta përzgjidhnin Vjosa Osmanin për kandidate. Vjosa tashmë ua dëshmoi se mund të mbledhë më shumë vota madje se 7 deputetët e LDK-së të renditur pas saj krejt së bashku. E dëshmoi se arsyeja e vetme se pse LDK-ja doli e dyta qe caktimi i saj si bartëse e listës. Dhe se gabimin më të madhin që e bëri LDK-ja para zgjedhjeve qe pikërisht që nuk e lidhi marrëveshjen parazgjedhore me VV-në, për të dalë më të fuqishëm, dhe me gjasë me më shumë vota seç kanë arritur t’i mbledhin në këtë rund zgjedhjesh.

Sido që të jetë, nëse bash duhet zgjedhur një emër konsensual për kryetar shteti, atëherë e besoj se Vjosa do të ishte kandidatja e pëlqyeshme – ngase Kurti gjatë fushatës tashmë kishte deklaruar se Osmani do të zgjidhej kryeparlamentare, pavarësisht se fituese do të dilte VV-ja. Nga ana tjetër, për LDK-në do të ishte e sigurt se Osmani nuk do të mund të pretendonte t’i merrte kreun dhe kontrollin e LDK-së, për shkak të kufizimit kushtetues.

Sido që të jetë, telenovela “Qeveria e re” duhet të përfundojë sa më shpejt, sepse marrëveshja e VV-së dhe LDK-së që të merren vesh për t’u takuar, ashtu që të merren vesh sërish për t’u takuar, tashmë na është bërë bozë e thartë dhe e pashijshme.

Ndërkohë

Ajo që po shihet se po vjen është një shtim presioni ndërkombëtar. Përfaqësuesit diplomatikë kanë shumë arsye për hidhërim – fillimisht u janë prishur pushimet e fundvitit, në pritje të konstituimit të Kuvendit. Nga ana tjetër, deklaratat nga distanca që flisnin për ndryshimin e nevojshëm që duhet ta përjetojë Kosova thuajse hasën në vesh të shurdhër, duke mos i kuptuar ato si porosi të mirëfillta, por vetëm si komente sa për sy e faqe.

Edhe vetë ndërkombëtarët do ta kenë kuptuar për pjesën e përgjegjësisë që e mbajnë për shkak të situatës në të cilën gjendet Kosova, ngase me vite kishin përkrahur formimin e qeverive “për nevoja të ruajtjes së stabilitetit”, duke i shkaktuar kështu Kosovës thuajse një dëm të pariparueshëm.

Atë që e jeton sot Kosova është rezultat i qeverive të këqija dhe abuzuese me pushtetin që e kanë sjellë atë në pikën prej nga do ta ketë shumë vështirë të ngrihet. Kjo qeveri e re, po qe se do të formohet, gjënë e parë që duhet bërë është një auditim urgjent të të gjitha institucioneve për të parë se ku ishim e ku jemi. E më pas, patjetër duhet nisur me vetingun në të gjitha sferat, për ta pastruar krejt sistemin “nga gjaku i prishur”, që sjell vetëm sëmurje e kurrsesi shërim.

E nëse kjo qeveri mbërrin të formohet ndonjëherë, asnjërën nga përpjekjet për ndryshim në sistem e shtet nuk do të arrijë t’i bëjë pa përkrahjen ndërkombëtare. E përkrahja ndërkombëtare do të jetë sa profesionale, aq edhe morale, në kuptimin e qëndrimit pas vendimeve madhore që duhen sjellë përparim.

* * *

Nuk e di nëse këto dy parti tashmë e kanë kuptuar se ky popull është dërrmuar deri në palcë. Nëse e kanë kuptuar se i jemi afruar fundit të edhe një viti dëshpërues që e pati një çast të ndritur aty nga tetori. Po qe se e kanë të qartë se nëse nuk merren vesh do ta humbim një pjesë të konsiderueshme njerëzish që përditë e më pak gjejnë arsye për të mbetur e për të jetuar e punuar në këtë vend. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për “ikjen e trurit”, por madje edhe për punëtorë të kualifikuar që mezi e lidhin skajin për shkak të informalitetit ekonomik që është duke e mbytur Kosovën.

Nëse intenca është të na dërgojnë sërish në zgjedhje, atëherë pa asnjë dyshim që të gjithë, edhe këto dy parti, e edhe populli, do të dalim humbës.

flaka@koha.net