Qeni, miku më besnik i njeriut

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 09 December 2019 08:13

Presidenti Meta u përkul dhe ia dhuroi Sadakës një puthje mu në ballë. Ishte paksa qesharak reagimi i qenit, i cili filloi të shkundej në atë mënyrë siç e bëjnë qentë kur të lagen nga uji. Kjo edhe një herë ma sforcoi atë thënien e vjetër pellazge që “ qeni është miku më besnik i njeriut, porse qeni kurrë nuk është deklaruar për këtë gjë”

Dëshiroj që të të rrëfehem ditari im. Pjesa më e vështirë për mua, pasi që një javë kalon aq shpejt, është se me cilat kabllograme dhe se me çfarë teme do të merrem në ditarin tim dhe si do ta titulloj. Shpeshherë vetëm shkruaj dhe diku ashtu gjatë rrugës, duke shkruar vetvetiu, arrij edhe tek tema dhe rrjedhimisht edhe tek titulli. Edhe tani jam duke shkruar pikërisht ashtu, pa e ditur se çka saktësisht do të jetë tema me të cilën dua që të merrem.

KQZ-ja më në fund i certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të mbajtura më 6 tetor. Tre muaj u numëruan, u rinumëruan, u helmuan, u anuluan e çka jo tjetër. Me rëndësi që NISMA dhe AKR-ja do të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Ditë më parë u publikuan edhe shpenzimet e ndryshme reprezentative në emër të Qeverisë të paguara nga tatimpaguesi kosovar e të bëra nga Fatmir Limaj dhe djali i tij, Durim Limaj. Këta ishin meraklinj të ushqimeve të detit dhe verërave të shtrenjta. E si të mos luftosh me mish e me shpirt për ta kaluar pragun zgjedhor dhe ta bezdisësh secilin qytetar me pafytyrësinë e paraqitjeve të përditshme televizive. Kësaj radhe, pas shumë makinacioneve, edhe e kaluat atë prag për 12 vota. Unë aspak nuk e fsheh dëshirën time, sikur mos ta kishit kaluar atë prag fare. Kujt i nevojiteni ju dhe çfarë të mire i sillni Kosovës dhe qytetarit të saj. Përveç neverisë edhe hajnisë, nuk më kujtohet ndonjë gjë tjetër.

Këtyre ditëve në Londër ajo që më ra në sy ishte lëvizja e shumë motoçikletave të policisë që po përcillnin enturazhin e veturave të ndryshme të blinduara. Fillimisht nuk e kuptova se për çka mund të bëhej fjalë dhe të hasësh në to disa herë gjatë së njëjtës ditë ishte paksa jo e rëndomtë. T'jua them të drejtën, kohën e fundit pas shumë ngjarjeve të njëpasnjëshme në Kosovë, si dhe në Shqipëri, kabllogrameve që kanë ardhur nga bota nuk ua kam kushtuar aq shumë vëmendjen e duhur. Kur më është lajmëruar miku in Agroni dhe më tha se do të vinte në Londër zyrtarisht për t’i përcjellë punimet e Samitit të NATO-s, të cilit për shkak të problemeve të shumta të kësaj organizate kohët e fundit emërtimin ia kishin degraduar në “Mbledhja e NATO-s”.

Këtë ma zbuloi Agroni. Por defilimi i motoçikletave të shumta policore me enturazhet diplomatike tashmë kishin kuptim. Këtu ishte edhe presidenti Trump. E ju e dini dhe mund ta paramendoni nivelin e sigurisë që i bëhet atij. Ç’ është e vërteta, kjo mbledhje është mbajtur në Watford jashtë Londrës, por prapëseprapë Londra pësoi bllokada të shumta në trafik për shkak të mysafirëve të profilit të lartë të cilët ishin vendosur këtu. Siç e ceka më lart, emri samit ishte zëvendësuar me emërtimin mbledhje, arsyet - problemet e ndryshme të NATO-s me Turqinë, me deklarata të Macronit së fundmi, me kritikat e Trumpit ndaj anëtarëve të NATO-s se nuk paguajnë mjaft për NATO-n nga buxhetet e tyre. Ato probleme të cilat u tentuan që të maskoheshin nën ndërrimin formal të emrit për samitin, duke u munduar që ta minimizonin PR-in negativ të NATO-s kohën e fundit, në fakt shpërfaqi se problemet përbrenda kësaj aleance ushtarake nuk janë aspak për t’u neglizhuar.

Trumpi kritikoi edhe presidentin Macron, ndërsa kryeministrin kanadez Trudeau e quajti dyfytyrësh. Më pas, diku gjatë një pauze, aty në “samit”, Trumpi vëren se si po e përqeshnin Trudeau, Macron dhe Boris Johnson dhe si në shenjë proteste Trumpi nuk doli fare në konferencën për shtyp. Burrat e pjekur, të cilët udhëheqin shtete aq të fuqishme dhe të cilët janë anëtarët e aleancës më të fortë ushtarake në planet me sjellje si të fëmijëve të përgaztë, me të vërtetë të bëjnë që të brengoset njeriu për të ardhmen e këtij planeti. Sa shumë kanë ndryshuar gjërat në skenën politike botërore këtyre 20 vjetëve të fundit.

Mund të them se ky ndryshim ka ardhur më shumë për të keq. Niveli i injorantëve në botë vetëm sa vjen dhe shtohet. Shumë nga ta sot janë edhe udhëheqës shtetesh të fuqishme.

Kabllogramet tona nga Kosova vazhdojnë me raportimin mbi ndihmat, të cilat u bëhen vëllezërve tanë shqiptarë të goditur nga tërmeti në Shqipëri. Shumë familje të prekura veçse janë të sistemuara nëpër familjet e shumta të paraqitura vullnetare për strehimin e tyre. 500 nga ta janë vendosur në ish-kampin e ushtrisë gjermane në Prizren. Dje edhe Komisioni Evropian është zotuar se fillimisht Shqipëria do të ndihmohet me 15 milionë euro, ndërkohë do të formohet një iniciativë e donatorëve evropianë. Turqia ka premtuar ndërtimin e 500 shtëpive të reja për familjet e goditura nga tërmeti.

Në Durrës gjithashtu ka filluar shembja e kontrolluar e godinave, të cilat nuk janë të banueshme dhe që nuk do të mund të sanohen.

Mirëpo ishte skena që ndërlidhej me qentë dhe kryeministrin e Shqipërisë, si dhe me presidentin e Shqipërisë, derisa Edi Rama në TV vazhdon që të na e tregojë “kujdesin” të cilin ai e bën për qytetarët e tij që i viziton nëpër kampet ku ata janë vendosur, lagje e hotele. Gjatë njërës nga vizitat, derisa Rama po debatonte me një qytetar, aty afër tij dëgjohej zëri i një qenushi (kjo duke u bazuar nga ngjyra e zërit të lehjeve të tij, ngase qenushi nuk shihej).

Duke e parë se lehjet po e pengonin në biseda, Rama iu kthye qenit me fjalët: “He mo ti, pusho tash, pusho!”.

Në anën tjetër, presidenti Ilir Meta në një ceremoni rasti po i dekoronte kontribuuesit, të cilët shpëtuan jetë në Shqipëri. Njëri nga ta ishte edhe Sadaka, qeni i Njësiteve të Kërkim-Shpëtimit të Forcave Mbrojtëse të Kosovës.

Presidenti Meta u përkul dhe ia dhuroi Sadakës një puthje mu në ballë. Ishte paksa qesharak reagimi i qenit, i cili filloi të shkundej në atë mënyrë siç e bëjnë qentë kur të lagen nga uji. Kjo edhe një herë ma sforcoi atë thënien e vjetër pellazge që “qeni është miku më i mirë i njeriut, por qeni kurrë nuk është deklaruar për të njëjtën gjë”. Qentë e ofrojnë dashurinë e pakushtëzuar, por shkencërisht është dëshmuar se ata gjithashtu dallojnë njeriun e lig nga njeriu i mirë. Këtë ma kishte thënë edhe një trajnues profesional i qenve këtu në Londër, me të cilin pata mundësinë që të punoja dhe ta fotografoja gjatë punës së tij me qentë në fazat e ndryshme të trajnimit të tyre. Edhe ajo ishte një përvojë shumë interesante nga e cila mësova shumëçka në lidhje me qentë dhe metodat profesionale mbi trajnimin e tyre, për t’i bërë ata qen punues në fusha të ndryshme. Udhëheqës të verbërish, qen nuhatës të lëndëve narkotike, qen mbrojtës ushtarakë/policorë, si dhe personash fizikë etj. Do të më duhej një shkrim i veçantë që sado pak të shpjegoja disa nga veçantitë e këtyre krijesave aq besnike dhe të afërta me njeriun.

Duke shfletuar më tutje me kabllogramet nga vendi përsëri hasa në një kabllogram që ndërlidhej me shpenzimet publike të parasë nga qeveritarët e tashmë qeverisë në dorëheqje. Drekat e Rexhep Hotit i kanë kushtuar buxhetit të shtetit mesatarisht nga 1.400 euro secilin muaj, prej kur është emëruar koordinator nacional për Kulturë, Rini dhe Sport. Për shpenzime në tryezë të bëra gjatë 16 muajsh, atij i janë përshkruar mbi 22 mijë euro. Rexhep Hoti mbante postin e shpifur të njëfarë koordinatori nacional, post ky që ishte ekuivalent me një post ministror.

Ky është vetëm edhe njëri nga rastet që dëshmon se çfarë masakre i është bërë buxhetit të shtetit të Kosovës nga njerëz të paskrupullt dhe të pangopur qeveritarë. Siç do të thoshte kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, “derisa kam qeverisë unë Kosovës i ka ardhë era Kosovë”. Zotëri kryeministër në detyrë, atë kundërmim të Kosovës mos e dëgjofsha më kurrë. Po pse more burrë bëhesh kaq i pafytyrë?! Po mos deklaro këso gjërash se e ofendon secilin qytetar të Kosovës. Marifetet tuaja çdo ditë e më shumë po shpërfaqen, ndërsa unë personalisht as nuk kam pasur iluzione të tjera.

Edhe këtë javë ditari im po përmbyllet ngadalë. Edhe pse fillimisht nuk e dija se cila do të ishte tema me të cilën do të merresha kësaj radhe, ajo rrodhi në mënyrë spontane nga kabllogrami në kabllogram.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani