Zemërgjerësia e madhe paksa kaotike

Flaka Surroi Flaka Surroi 03 December 2019 08:14

Vrulli me të cilin reaguam në javën e fundit duhet të na mësojë edhe një mësim për politikën e Kosovës: se gjërat nuk duhet marrë me shumë eufori, sado që me zemërgjerësi, ngase mund të na shpijnë thellë në kaos. Kaos më të madh se ky që e jetojmë qe dy dekada.

Të rrallë do të kenë qenë ata që të martën në mëngjes nuk i zgjoi një tërmet që na i dridhi shtëpitë e banesat për nja 30 sekonda. Teknologjia na e mundësoi të kuptonim brenda pak minutash se tërmeti kishte ndodhur në Durrës dhe se kishte qenë tepër i fuqishëm. Shkatërrimtar.

Mëngjesin e kaluam në përcjellje të lajmeve që transmetoheshin nga televizionet shqiptare dhe në muhabetin e përhershëm po qe se e kishim ndier tërmetin, nëse kishim përjetuar panik, nëse kishim menduar se do të kishte edhe ndonjë dridhje tjetër që nuk do të na linte krejt të qetë.

Mbi të gjitha, pamjet që vinin nga ekranet televizive, shkatërrimi i ndërtesave, thuajse bëhej fjalë për kulla të ndërtuara me biskota dhe bindja përherë më e fuqishme se kjo fatkeqësi natyrore nuk do të kalonte pa viktima në njerëz, sa shkonte e rritej nga minuta në minutë.

Për fat të keq, lajmet që vinin nga Durrësi dhe vendbanimi i quajtur Thumanë, që e besoj pakkush në Kosovë do ta ketë dëgjuar më parë, ishin të trishta. Druhej për shumë njerëz të mbetur nën rrënoja, marrë parasysh faktin se dridhja vdekjeprurëse kishte ndodhur kur njerëzit normalisht do të duhej të ishin në gjumë.

Që në çastet e para shihnim se si ekipet e kërkim-shpëtimit kishin ardhur me lopata, por edhe me makineri pak më të rëndë, në përpjekje për t’i nxjerrë nga rrënojat ata që çonin porosi se kishin mbetur të ngujuar nën to.

Reagimi në Kosovë

Ishte i menjëhershëm reagimi i të gjithë Kosovës. Në pritje të ftesës zyrtare, pa të cilën FSK-ja nuk mund të dilte jashtë shtetit në një operacion të këtyre përmasave, trupat e Ushtrisë kosovare tashmë ishin në gjendje gatishmërie që nga mëngjesi i hershëm. Me të ardhur ftesa, u nisën drejt aksionit të parë, serioz, ku mund t’i dëshmonin në praktikë të gjitha ato që ua kishin mësuar prej vitesh ushtarakët e NATO-s.

Pos që kishin me vete të gjithë makinerinë e nevojshme, kishin edhe një gjë, e cila u jepte edhe më shumë frymëzim për punën që do ta kryenin: po shkonin në Shqipëri, shtetin ku të prekurit nga tragjedia ishin vëllezërit e gjakut, të gjuhës e kulturës, dhe vendin që para njëzet vjetësh ishte hapur për t’i pranuar të gjithë ata që me dhunë i dëbonte Millosheviqi me trupat e veta vrastare.

Dhe përderisa ushtarët e kryenin punën e tyre me profesionalizëm të pashoq, në Kosovë ndodhte një lëvizje që nuk është parë prej vitesh: me një organizim fenomenal, që u zhvillua kryesisht nëpërmjet rrjeteve sociale, u caktuan disa pika grumbulluese nëpër qytetet e ndryshme, ku mblidheshin ndihmat në veshje e ushqim, e prej nga planifikohej të dërgoheshin me transporte vullnetare në vendet e goditura nga tërmeti.

Njëkohësisht nisi grumbullimi i mjeteve financiare nëpërmjet disa nismave online, të cilat vazhduan të shtoheshin deri në çastin kur Qeveria e Shqipërisë doli për t’i publikuar llogaritë bankare nën kontrollin e saj, dhe ku bënte ftesë për ndihmë. Ende as pa e pasur idenë më të vogël se cila është madhësia e dëmit në njerëz dhe në godina të shkatërruara, bindja megjithatë qe se sa më e madhe ndihma, aq më i shpejtë reagimi për zgjidhjen e problemit imediat, me të cilin ballafaqohej popullata e kapluar nga frika.

Prishtina tashmë ishte veshur me flamujt kuqezi, dhe ishte përgatitur për të qenë nikoqire e edhe të një festimi mbresëlënës të Ditës së Flamurit, atmosferë të veçantë të cilën e gjen vetëm në kryeqytet. Atë ditë, megjithatë, flamuri mbeti në rend të dytë. Krejt mendjet ishin kthyer nga përpjekjet se si t’u ndihmohet atyre që i kishin humbur thuajse të gjitha.

Hallakama

Mbledhja e ndihmave u bë pak si në hallakamë dhe pa ndonjë klasifikim të duhur të teshave dhe gjërave ushqimore që po bëheshin gati për t’i dërguar andej nga Durrësi. Shumica do të kenë besuar se klasifikimin do të mund ta bënin ekipet e emergjencës në Shqipëri, që do të duhej të dinin se ku i kanë strehuar njerëzit dhe sa sish, si dhe për çfarë kishin më së shumti nevojë. Por, sipas përshkrimit të ekipit tonë të gazetarëve, që për disa ditë e përcollën situatën nga epiqendra e tërmetit, doli se shumëçka zhvillohej në formë paksa kaotike – sepse nuk dihej as ku duhej, e as kujt duhej dorëzuar materialet e grumbulluara. Jo pak sish mbaruan të shkapërderdhura para kampeve të improvizuara, para grumbujve të njerëzve të larguar nga banesat e tyre tashmë të shndërruara në rrezik.

Sido që të jetë, Plisat qenë mbase të parët që shkuan në vend, dhe kthyen prapa njerëz që nuk kishin ku të strehoheshin. Për pasojë, nisi aksioni i dytë vullnetar: ai i ofrimit të strehimit të njerëzve në nevojë këtu në Kosovë, deri në zgjidhjen e situatës në të cilën u gjendën pas kësaj tragjedie. Në mesin e atyre që shkruanin në FB u gjendën edhe të tillë që e krijuan një listë nikoqirësh të gatshëm për t’i pranuar njerëzit nga Durrësi dhe Thumana; ndërkohë, Qeveria e Kosovës ofroi mundësinë e strehimit të tyre në Qendrën e Inovacionit në Prizren, dikur kazermën e trupave gjermane të KFOR-it, me kapacitet prej 500 vetash.

Vullneti i madh për të ndihmuar, në një eufori të paparë qëmoti, nisi të krijojë një rrëmujë dhe një valë të re kërkesash për ndihmë nëpërmjet rrjeteve sociale, përderisa MPB-ja insistonte, dhe me të drejtë, që njerëzit që vinin për t’u strehuar në Kosovë të regjistroheshin fillimisht.

Sido që të jetë, tri ditë që nga tërmeti katastrofal, rrjetet sociale po vlojnë me postime fotografish të nikoqirëve dhe mysafirëve të ardhur – me shpresën se më nuk do të gjenden më trupa të pajetë. Dhe mbi të gjitha, me dëshirën që dridhjet e tokës të ndalen, dhe që nga kjo përvojë e rëndë të nxirren mësime.

Ndërtimi shkel e shko

Tragjedia e zbuloi një gjë që mbase do ta kemi ditur e nuk kemi dashur ta pranonim: se territori i Shqipërisë u ekspozohet lëvizjeve tektonike të dy pllakave të mëdha, dhe se tërmetet do të duhej të ishin një fenomen i zakontë me të cilin duhet mësuar të jetohet. Porse, vetë fakti se ndërtesat e ndërtuara më vonë, pas rënies së sistemit të vjetër, kishin qenë më të prekurat nga dridhja e tokës, tregon edhe për cilësinë e keqe të ndërtimit, që ka pasur për rezultat këtë katastrofë. T’i humbësh 50 njerëz për 30 sekonda, është shumë tragjike, aq sa janë mbase po aq tragjike edhe traumat e familjarëve të mbijetuar pas gjithë asaj nëpër çka kanë kaluar.

U dëgjuan shumë kritika për arkitektët dhe inxhinierët e ndërtimtarisë – që mbase edhe do të kenë mundur të bënin gabime në projektim. Porse çelësi i një ndërtimi është statika adekuate e objektit dhe vetë procesi i përdorimit të materialit ndërtimor – nëse janë aplikuar sasi të duhura të armaturës, betonit, tullave, e çkamos tjetër. Ky, nga ana tjetër, duhet përcjellë nga një mbikëqyrje profesionale që të mos ketë shkarje nga projekti dhe përfundimisht edhe nga pranimi teknik që e autorizon përdorimin e objektit. Nëse të gjitha këto kanë munguar në lokacionet e goditura, atëherë mbase edhe jemi me fat që numri i viktimave të mos ketë qenë më i madh se kaq. Ky është thuajse përherë rezultat i ndërtimeve pa leje, nën kontrollin e mafive të ndërtimit, porse nga ana tjetër mund të jetë edhe rezultat i skamjes dhe i improvizimit të një çatie për ato familje që nuk kanë shumë opsione për t’ia zgjidhur vetes problemin e banimit.

Ndërkohë

Në vlugun e informatave që vinin nga Shqipëria, erdhi edhe një nga Gjykata Supreme, që vendosi të mos ia pranonte ankesën VV-së për zarfet e ardhura pas shpalljes së rezultateve përfundimtare më 7 nëntor. Me këtë, përfundoi thuajse plotësisht saga e rinumërimit më të gjatë që kemi përjetuar me rezultatin e synuar nga ata që bënë çmos që ta fusin veten në Kuvend: NISMA hyri në Kuvend dhe i mori gjashtë ulëse. Porse duket se edhe mbeti në opozitë përfundimisht.

Takimi i radhës i partive që synojnë ta krijojnë koalicionin qeverisës u mbajt para dy ditësh. Deklaratat pas mbledhjes treguan për dakordim mes partish dhe qëllimin që me formimin e Qeverisë të shkohej menjëherë javën që vjen. Kjo natyrisht, nëse Thaçi e thërret seancën konstitutive, për të cilën i ka edhe një javë (sepse Kushtetuta thotë 30 ditë nga shpallja e rezultateve përfundimtare, e jo atyre të certifikuara). Nëse këtë nuk e bën, Kuvendi e konstituon veten. Porse mandatarin duhet ta emërojë kryetari i shtetit, dhe këtu Kushtetuta nuk parasheh afat, pos që thotë “pas zgjedhjeve”, dhe po të jetë i disponuar për ende vonesa, mund të ndodhë që të mbetemi pa Qeveri edhe për një kohë.

Por sido që të jetë, ky proces do të mund të ketë vonim, porse shpëtim nuk ka. Dhe nuk duket se ekziston fuqia e partive të reja opozitare për ta prishur këtë balancë, përkatësisht për t’iu bërë trysni minoriteteve joserbe, që të mos bëhen pjesë e qeverisjes së re.

Thaçi do të mund të gjejë njëqind arsye që të mos e emërojë mandatarin, porse nuk e besoj se ky do të jetë një akt që do ta përkrahë kori diplomatik në Kosovë, e posaçërisht jo ngase sa herë e ka përsëritur se negociatat me Serbinë duhen vazhduar. E pa Qeveri e Kuvend ato nuk mund të vazhdojnë.

* * *

Zemërgjerësia e madhe kaotike që e dëshmuam në javën e fundit duhet të na mësojë edhe një mësim për politikën e Kosovës: se gjërat nuk duhet marrë me shumë eufori, sado që me zemërgjerësi, ngase mund të na shpijnë në kaos. Kaos më të madh se ky që e jetojmë qe dy dekada.

Punët nuk i kemi mirë, sado që treguam sukses të lakmueshëm në futboll dhe FSK-ja na dëshmoi se është strukturë e organizuar mirë, të cilën urojmë kurrë të mos e vëmë në përdorim për luftë. Kemi probleme të rrënjosura aq thellë dhe të formësuara si struktura të çelikta që kërkojnë shumë mund për t’i rrënuar, saqë vetëm kur të nisë shpalosja e tyre do t’ua kuptojmë edhe dimensionin e vërtetë.

E për t’i zgjidhur ato, do të na nevojitet shumë nga gjithë ai vrull me të cilin nxituam për të ndihmuar. Ka ardhur koha që ta ndihmojmë veten.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Bekim03/12/2019 15:11

Flaka gjithmone flake shkurt e shqip

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi