OpEd

Vlerësim i Shoqërisë Civile për Institutin Albanologjik të Prishtinës (7)

Ky artikull është pjesa e shtatë e ndarë nga raporti “Instituti i Vetizoluar - Vlerësim i Shoqërisë Civile për Institutin Albanologjik të Prishtinës”. Ky vlerësim, me autor Shkëlzen Gashin, është fuqizuar nga “Integra” dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS)

GJETJET KRYESORE ME REKOMANDIME (2)

4. Mbi 90% të punimeve të botuara në të tria revistat e IA-së janë nga autorë shqiptarë dhe vetëm në gjuhën shqipe. Përgjegjësit e të gjitha revistave thonë se kanë ‘double blind peer review’, mirëpo ato nuk i përmbushin kriteret e kërkuara për një revistë me recensim të këtij lloji:

a) asnjëra prej këtyre revistave nuk figuron në databazat serioze ku indeksohen revistat me ‘double blind peer review’, si SCOPUS ose WOS, e as në ndonjë databazë tjetër serioze të fushës së ngushtë;
b) në asnjërin prej artikujve të këtyre revistave nuk figuron emri i redaktorit që e ka përcjellë procesin e vlerësimit të artikullit;
c) në asnjërën prej këtyre revistave nuk ka të dhëna për datën e dërgimit të punimit në revistë dhe datën e pranimit të punimit nga redaktori i revistës, në mënyrë që të dihet se sa kohë ka marrë publikimi i atij punimi.

Këto revista nuk kanë ISSN (kod të pranuar e të njohur ndërkombëtarisht për publikimet serike), që është kriter teknik për revista. Po ashtu, asnjëra prej këtyre pesë revistave nuk i ka numrat online e të qasshëm nga publiku, që po ashtu është kriter teknik për revistat.

Revistat e IA-së duhet të pajisen me kode ndërkombëtare; të publikohen online të gjithë numrat e revistave, dhe të kenë patjetër ‘double blind peer review’, si dhe të përmbajnë tekst edhe në gjuhën angleze, sepse kjo, ndër të tjera, e bën më të lehtë regjistrimin në databaza.

5. Në të gjitha konferencat, simpoziumet, tryezat e tubimet shkencore, të organizuara nga IA, shumica dërrmuese e pjesëmarrësve janë shqiptarë. Të gjitha publikimet nga këto konferenca, simpoziume, tryeza e tubime shkencore botohen vetëm në shqip dhe pa ‘double blind peer review’.

Në konferencat, simpoziumet, tryezat e tubimet shkencore të IA-së duhet të ketë edhe autorë të huaj dhe të gjitha publikimet nga këto konferenca, simpoziume, tryeza e tubime shkencore të botohen edhe në anglisht dhe të kenë ‘double blind peer review’.

6. Që nga viti 2008, kur IA-ja është ndarë si linjë e veçantë buxhetore, e sidomos prej vitit 2012, kur buxhetin vjetor e ka mbi gjysmë milioni euro (buxheti për sivjet është gati një milion euro), prej dy projekteve të mëdha ka finalizuar vetëm «Vepra e Rexhep Qosjes». Projektin «Vepra e Anton Çettës», që është dashur ta përfundonte para dy vjetësh, nuk e ka përfunduar ende.

Duhet sqaruar se cila është vlera shkencore e veprës së Rexhep Qosjes dhe e veprës së Anton Çettës. Po ashtu, duhet sqaruar se pse është e nevojshme të botohen komplet veprat e këtyre dy ish-punonjësve të IA-së, e pse jo (edhe) veprat e të tjerëve. IA-ja duhet të ketë kritere të përcaktuara qartë për botimin e kompleteve të veprave të punëtorëve e ish-punëtorëve shkencorë të IA-së.

7. Të gjitha projektet e IA-së janë projekte kombëtare. IA-ja nuk ka asnjë projekt ndërkombëtar. IA-ja duhet të angazhohet edhe për projekte ndërkombëtare.

8. Nga 36 punonjës të rregullt të IA-së, 31 sosh i kanë përfunduar studimet e nivelit BA në Universitetin e Prishtinës, tre në Universitetin e Zagrebit, një në Universitetin e Tiranës dhe një në Universitetin e Shkupit. Nivelin MA, 28 punonjës e kanë përfunduar në Prishtinë, gjashtë në Tiranë, një në Zagreb, një në Lumiere Lyon. Nga 25 punonjës me PhD, 12 e kanë kryer në Prishtinë, tetë në Tiranë, një në Tetovë, një në Shkup, një në Zagreb dhe një në Vjenë. Në përgjithësi, nga 36 punonjës të IA-së, 31 sosh i kanë të gjitha nivelet e studimeve të përfunduara nëpër universitetet shqiptare, e vetëm pesë e kanë përfunduar të paktën një nivel në universitete në gjuhë të huaja.

Nga 36 punonjës të rregullt të IA-së, 31 i kanë të gjitha nivelet e studimeve të përfunduara nëpër universitetet në gjuhën shqipe, e vetëm pesë e kanë përfunduar të paktën një nivel në universitete në gjuhë të huaja. Do të ishte mirë që IA-ja të hapej edhe për ata që kanë kryer studimet BA, MA dhe PhD në universitete në gjuhë të huaja.

9. Prej vitit 2012 kur u bë zë i veçantë buxhetor, e deri më 2019, sipas të dhënave të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, IA-ja ka marrë nga Buxheti i Republikës së Kosovës mbi 5 milionë euro. Rreth 2/3 e tij janë ndarë për paga dhe mëditje.

Buxheti duhet të riformulohet, duke u ridrejtuar për shkencë, e jo për paga, që do të thotë se duhet të përdoret mekanizmi ‘research based’, i cili nënkupton që pagat për punonjësit e IA-së të jenë të bazuara në punimet e tyre shkencore. Përveçse nga buxheti i Kosovës, IA duhet të kërkojë donacione edhe nga jashtë, e për këtë duhet që IA-ja të hapë llogari bankare sa më parë. Është absurde që IA-ja deri më tani nuk ka llogari të veten bankare dhe për rrjedhojë është detyruar që mjetet e një donacioni nga Ambasada e Norvegjisë t’i pranojë në llogarinë bankare private të një zyrtari të vet. Po ashtu, IA-ja duhet të jetë transparente edhe në pasqyrën e shpenzimeve.

10. Në bazë të Ligjit për Veprimtari Kërkimore-Shkencore, për titullin bashkëpunëtor shkencor kërkohet së paku një punim shkencor, në ndonjë revistë relevante ndërkombëtare në kuadër të fushës; për bashkëpunëtor të lartë shkencor kërkohen së paku tri punime shkencore në revistat relevante ndërkombëtare në kuadër të fushës; për këshilltar shkencor kërkohen së paku pesë punime shkencore në revistat relevante ndërkombëtare në kuadër të fushës. Pagat mujore janë si vijon: bashkëpunëtor shkencor 1239 euro; bashkëpunëtor i lartë shkencor 1379 euro; këshilltar shkencor 1622 euro.

11. Nga 36 punonjës shkencorë të IA-së, shumica dërrmuese e tyre (31) i kanë të publikuara CV-të e veta në faqen e internetit të IA-së, por nuk i kanë të përditësuara me publikimet nëpër revistat akademike vendore e ndërkombëtare. Pasi IA na i ofroi CV-të e përditësuara të 36 punonjësve shkencorë të IA-së, kërkuam në platformat ‘Scopus’ dhe ‘Web of Science’ për të parë nëse kanë publikime nëpër revista akademike ndërkombëtare. Nga kërkimi i titujve të punimeve, numrave të ISSN-së dhe emrave të publikuesve në të dyja platformat, rezulton se prej 36 punonjësve të IA-së, asnjëri nuk ka punime të publikuara në revista akademike ndërkombëtare të listuara në këto platforma.