OpEd

Nga të fillohet

Aq do të jetë e rëndë sfida, sa në fund mbase do të përfundojmë të zhgënjyer, për shkak se probleme ka aq shumë, saqë vështirë është të besohet se bile disa do të ndreqen për një kohë relativisht të shkurtër. E përfundimisht nuk do të ndreqen po qe se shoqëria kosovare do të vazhdojë ta luajë rolin e vëzhguesit nga planeti tjetër.

Të dielën e shkuar Kosova e shënoi humbjen më të thellë në epokën e përzgjedhësit Challandes, dhe përfundimisht e vulosi mosarritjen e një caku që u dëshmua i largët për të: nuk ia doli të kualifikohej drejtpërsëdrejti në Evropian në përpjekjen e saj të parë.

Mungesa e përvojës dhe më shumë dëshira sesa shkathtësia e "dogjën" ekipin që na kishte bërë të ëndërronim për një sukses të paprecedentë. E sidoqoftë, nuk e besoj se kemi shumëçka për t'ua zënë për të madhe lojtarëve tanë. Ky është kapaciteti ynë aktual, i cili po pati edhe më shumë vendosmëri, mbase edhe do të na çojë përpara në dy ndeshjet eventuale që kanë mbetur për t'u luajtur në fazën nokaut.

Ndeshja e radhës do të jetë me Maqedoninë Veriore, me gjasë në Strumicë (ky do të ketë më pak përkrahës shqiptarë). Nëse kalohet kjo sfidë, do të pasojë edhe ajo me Ukrainën apo Gjeorgjinë, sërish jashtë Kosovës. Aty më pas do të na mbetej shpresa se Kosova do të mund të luajë në Evropian, me gjithë gjasat e vogla për të bërë mrekulli.

Sidoqoftë, të dielën e shkuar Kosova megjithatë doli fituese. Pritja absolutisht mbresëlënëse e ekipit kundërshtar dhe nderimi i jashtëzakonshëm që iu bë shtetit të Anglisë gjatë intonimit të himnit, në njëfarë forme qenë një kundërshpërblim për të mirën që na e kishte bërë Britania e Madhe gjatë luftës. Vendosmëria e kryeministrit të saj të atëhershëm, e shpëtoi Kosovën nga shkatërrimi i plotë.

I gjithë angazhimi që kjo lojë të shndërrohej në festë, pavarësisht rezultatit, ia vlejti. Nëse për asgjë tjetër, atëherë për kthimin e Kosovës në vëmendjen ndërkombëtare dhe kësaj radhe, vetëm për të mirë. Nuk u deshën firmat e huaja publicitare të shtrenjta për ta bërë këtë punë. Mjaftoi entuziazmi që si ortek u përhap në qytet për shumë pak kohë.

Ende në pritje

E orteku është ai i cili kërcënon NISMËN. Të pasigurt se mund ta kalojnë pragun as pas rinumërimit të votave, koalicioni NISMA/AKR/PD ka ngritur rastin para Gjykatës Kushtetuese për ta kontestuar vendimin e Supremes që e lejoi numërimin e votave të ardhura nga diaspora me vonesë, ani që ishin nisur shumë para kohe.

NISMA ka kërkuar masën e përkohshme, para se Kushtetuesja të vendosë po qe se kërkesa është e pranueshme ose jo. Në rast se kjo miratohet, gjasat janë se certifikimi i rezultateve mund të vonojë edhe disa javë.

Kushtetuesja ka mbetur thupra e fundit për të cilën mund të kapet NISMA, tashmë që kanë mbetur edhe nja 20% të vendvotimeve pa u numëruar. Informatat që vijnë nga QNR-ja janë se votat e Malishevës ende nuk janë rinumëruar, dhe gjasat janë se pikërisht në këto vendvotime mund të ketë pasur manipulime votash. Porse ajo që vlen të hetohet tutje është po qe se vonesa në arritjen e fletëvotimeve nga diaspora do të jetë shkaktuar edhe qëllimisht nga Posta e Kosovës. Kjo, duke e marrë parasysh tashmë famën e keqe që e ka "vëllai i madh" (Telekomi) i kësaj ndërmarrjeje publike për punësimet familjare dhe nepotiste - sepse pavarësisht faktit se funksionojnë ndaras, megjithatë ende kanë shumëçka të përbashkët.

Sidoqoftë, nëse Kushtetuesja nuk e pranon ankesën e NISMËS, do të kalojnë thuajse dy muaj pas zgjedhjeve e që më në fund t'i kemi rezultatet e certifikuara. Këto do të mundësojnë konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë, e cila duket thuajse është punë e kryer tashmë.

Detajet e fundit

Edhe pse që nga dita e zgjedhjeve zyrtarët e LDK-së thoshin se do të ketë takim mes krerëve të partive vetë pas certifikimit të rezultateve, takimi Kurti-Mustafa megjithatë ndodhi dje.

Këtij takimi i parapriu aktiviteti diplomatik i ambasadorit amerikan Kosnett, që e takoi Mustafën gjatë javës. Në deklaratën e LDK-së pas takimit u tha se Mustafa e kishte informuar Kosnettin për marrëveshjen në parim të arritur me VV-në, ndërkohë që VV-ja e bënte publike aderimin e deputetit të ardhshëm nga radhët e komunitetit egjiptian në grupin e tyre parlamentar.

Pas takimit me Mustafën, Kurti deklaroi se Qeveria do të ndërtohej 3-4 ditë pas certifikimit, kurse Mustafa se nuk kishte ende ndarje të posteve, por që të gjitha postet duhej të ishin objekt diskutimi.

Derisa ende numërohen votat, dakordimi mes ekipeve teknike për programin qeverisës do të vazhdojë. Dhe po bëhet përherë më e qartë se kjo Qeveri, po qe se NISMA e kalon pragun, do të formohet me ndihmën e deputetëve të komuniteteve joserbe. Në çastin kur të krijohet, do të nisë një epokë e re e qeverisjes - të një pushteti të paprovuar më herët në këtë kombinim dhe që do të ballafaqohet me aq shumë probleme, sa nuk do ta ketë lehtë të vendosë se nga t'ia nisë së pari.

Ndërkohë

Se cilat do të jenë veprimet e para të kësaj Qeverie, pritet të shihen. Porse probleme ka aq shumë sa veprimi frontal në disa drejtime mbase do të jetë i domosdoshëm për ta realizuar një goditje të efektit dhe për të fituar fuqinë e nevojshme për të vepruar tutje.

Derisa të gjithë ende po merren me futbollin dhe me numërimin e votave, përfshirë edhe pyetjen hamletiane "a po kalon, a s'po kalon NISMA", nuk shkon ditë në të cilën nuk zbulohen skandalet e Qeverisë së shkuar, e cila ende po merr vendime jo pak të rëndësishme.

Java nisi me lajmin për një tokë shoqërore të tjetërsuar në emër të një borxhi të moçëm, në një lëmsh dokumentesh dhe në situatën kur mbikëqyrësi ligjor i pronave shoqërore, AKP-ja, nuk e kishte as idenë se bartja e patundshmërisë kishte ndodhur.

Vijoi me informatën se kryeministri, për dy vjet mandat, kishte shpenzuar mbi gjysmë milioni në dreka, darka e udhëtime - informatë ndaj së cilës reagoi ashpër Zyra e kryeministrit në dorëheqje, duke thënë se shpenzimet kanë qenë të lidhura me shumë punët që i kanë kryer, dhe se paraqitja e këtyre shpenzimeve si "dreka-darka" ishte tendencioze. Fakti është se qasja në dokumentet e këtilla ka qenë e ndaluar deri në çastin kur menaxhimi i tyre iu la në duar shërbyesve civilë, pra pas dy vjetësh. Mbase po të ishin zbuluar shpenzimet në muajt e parë të mandatit, ato edhe do të mund të kufizoheshin. Mbase.

Të nesërmen doli informata se këshilltarët e tij, një çetë prej 40 përcjellësish, i kishin shpenzuar po aq para në udhëtime e mëditje. Me paratë publike ishin paguar edhe shërbimi në dhomë, e edhe ushqime ekzotike, bileta dhe hotele. Po të jepej qasja në secilën faturë të dorëzuar për arsyetim, nuk do të çuditesha po të dilnin edhe faturat për goma dimri a pagesa autobanash në Perëndim, apo fatura "fjetjeje" nëpër piceritë e kushërinjve, apo edhe blerja e çantave e rrobave të shtrenjta. E kështu duhet të ketë qenë me të gjitha qeveritë paraprake - për shkak se ka ekzistuar siguria se ato letra nuk do të shpaloseshin kurrë.

E derisa ne po merreshim me grykësinë e zyrtarëve politikë, ndërkohë po dilnin emra njerëzish që po dërgohen në misione diplomatike e konsullore nëpër botë, në kohën kur MPJ-ja është me ministër të dorëhequr, por kur Kosova është me kryetar që ka kohë nuk është parë në publik, por që nënshkruan dekrete sa herë që të dojë, sepse mundet.

Dhe sikur të mos mjaftonte, doli lajmi se pas dorëheqjes "për shkaqe shëndetësore", Shpend Maxhuni do të kthehej me punë në Polici, aty ku e kishte ngrirë postin e vet kur kishte kaluar të bëhej shef i AKI-së. Maxhuni i njohur për mandatin me skandalet më të mëdha në Polici, përfshirë dëbimin e gjashtë shtetasve turq; vjedhjen e arit në dhomën e dëshmive të Policisë në Pejë; tenderin për pajisje që kurrë nuk iu sollën Policisë, etj., etj., tash do të ketë mundësi të kthehet aty ku ka pasur pushtet. Aty ku mund të mbulojë shumë gjëra që mund të komprometojnë zyrtarë shtetërorë, policorë e gjyqësorë.

E kur jemi te zyrtarët prokurorialë, për fund, si fjongo, na vjen edhe informata se Prokuroria Speciale ende nuk i shënjestëron rastet më eklatante për të cilat është folur në disa muajt e fundit si raste të profilit të lartë që duhet ndjekur jo pak urgjentisht. Ende mbeten thuajse pezull rasti i faljes së shumë milionëve "Bechtel Enkas", homologimi; grantet e Ministrisë së Bujqësisë; falja e hidrocentraleve e shumë raste të tjera - pavarësisht faktit se Policia tashmë po kërkon me ngulm që Prokuroria Speciale të merret me to në nivelin më të lartë. Arsyeja do të jetë ajo e përhershmja: që nga koha kur Kryeprokuror i Shtetit është zgjedhur Aleksandër Lumezi, nuk ka asnjë rast të profilit të lartë që të jetë zgjidhur deri në fund. Madje as që të jetë iniciuar si duhet.

* * *

Ndonjëherë po mendoj se si nuk u lodhëm më së dëgjuari për gjithë gjërat e këtij lloji ditë për ditë. Si është e mundur që qëndrojmë stoikë në pritje që gjërat të rregullohen që në çastin që gllabëruesit e gjithçkaje të jenë ngopur më me marrjen e asaj që nuk është e tyrja sado që besojnë se kjo u takon për një arsye ose tjetrën.

Nuk duhet pasur shumë mend për të kuptuar se gjërat nuk ndreqen ashtu vetë, vetëm pse ne kemi qejf. Do të nevojiten shumë mund e energji që gjërat të kthehen në shtegun e vet normal e, mbi të gjitha, do të ketë nevojë për vullnet të mirëfilltë nga sunduesit në ardhje që puna të ndryshojë për të mirë. E me gjithë vullnetin, kjo do të jetë një luftë shumë e madhe për garniturën e ardhshme politike, nëse e ka përnjëmend se do që të sjellë ndryshim pozitiv në këtë vend.

Aq do të jetë e rëndë sfida, sa në fund mbase do të përfundojmë të zhgënjyer, për shkak se probleme ka aq shumë, saqë vështirë është të besohet se bile disa do të ndreqen për një kohë relativisht të shkurtër.

E përfundimisht, nuk do të ndreqen po qe se shoqëria kosovare do të vazhdojë ta luajë rolin e vëzhguesit nga planeti tjetër.

flaka@koha.net