“S’ka mini-Shengen pa maxi-Scheveningen ballkanik!”

Asdren Rrahmani Asdren Rrahmani 18 November 2019 08:19

Edi pse nuk e kërkove një maxi-Scheveningen si kundërpërgjigje dhe ekuivalente e burgut të Kombeve të Bashkuara në Holandë për krimet e luftës. Një fqinjësi e mirë do të duhej të ndërtohej mbi premisën ku fillimisht Serbia si agresore do t’i sillte të gjithë kriminelët e luftës nga ana e saj në këtë maxi-Scheveningenin ballkanik, pse jo edhe Bosnja, e edhe Kosova po patën të tillë

Edhe javën që e lamë pas e patëm përplot me kabllograme prej më të ndryshmeve diplomatike. Unë kësaj radhe do t’i vë theks të veçantë atij kabllogramit në lidhje me takimin dhe nënshkrimin e njëfarë mini-Shengeni nga ana e kryeministrit Edi Rama, kryeministrit të Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

U shkrua dhe u tha mjaft gjatë këtyre ditëve edhe në lidhje me këtë temë, mirëpo mua më nevojitet për hir të kontinentit të ngjarjeve dhe përshkrimit të tyre në ditarin tim, si dhe vështrimin tim prej diplomati në lidhje me këtë çështje. Ashtu si edhe në takimin e mini-shengenistave në Novi-Sad, edhe kësaj radhe Kosova u anashkalua, Mali i Zi e konsideron humbje kohe këtë iniciativë, Bosnjë-Hercegovina, gjithashtu, nuk mori pjesë. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të frustruarat e Ballkanit Perëndimor pas refuzimit që iu bë që të dyjave nga ana e Bashkësisë Evropiane për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e tyre në BE, tashmë sillen si fëmijë të llastuar dhe i hedhin të gjitha lodrat me të cilat luajtën deri më tani. Serbia, kjo dhelpër dinake e vjetër, mëton që të arrijë shumë gjëra përnjëherësh me anë të kësaj iniciative.

E përmbyll problemin me shqiptarët me një marrëveshje për qarkullim të lirë të mallrave dhe njerëzve, ndërsa Kosova injorohet, tipike për mentalitetin ballkanik ku nuk pyetet për mendimin e fëmijës e aq më pak që ky fëmijë ishte i abuzuar nga ana e Serbisë. Jo, nuk aludoj që Serbia ishte prind i Kosovës dhe ka abuzuar si prind, historikisht ajo vetëm e ka kidnapuar Kosovën, kidnapim që me rastin e pafuqisë së nënës për ta mbrojtur pastaj forcat e mëdha edhe e legjitimuan si kujdestare. Por kjo kujdestare ishte dhunues sistematik i vullnetit, dëshirave dhe aspiratave të të kidnapuarit të saj për dekada me radhë. Ato kulmuan me vitet e aparteidit të viteve ’90, si dhe me luftën e viteve ’98-‘99.

Ndodhi ndërhyrja e aleancës së NATO-s në mënyrë që kidnapuesen, të kthyer në kujdestare të papërgjegjshme, ta shporrë njëherë dhe përgjithmonë nga mundësia e abuzimit me të.12.000 viktima, 1.000+ trupa të pagjetur, 20.000 gra të dhunuara, qindra miliona dëme materiale në infrastrukturën dhe ekonominë kosovare, fondet pensionale të plaçkitura, kursimet bankare të plaçkitura. Po si ore Edi Rama mund të hysh në këso lloj bisedimesh dhe iniciativash, duke ia ofruar Serbisë Carde blanche për krimet e saja në Kosovë. Edi ti fitoren e fundit tënde dhe partisë sate e fitove me sloganin “Rilindje”.

Për cilën dhe çfarë ”Rilindje” e ke pasur fjalën? Rilindjen e lugetërve dhe të kasapëve të Ballkanit dhe amnistimin e tyre me një lëvizje të dorës sate prej magjistarit të Ozit? Rilindjen e namit tënd prej lideri regjional në llogari të Kosovës së përvuajtur? Ti mund të kesh të drejtë kur thua se nuk ka pasur Kosova establishment me të cilin ti ke mundur ta sfidosh inteligjencën tënde. Ne edhe ju kemi nënçmuar kur ua kemi dërguar Ramiz Lladrovcin për ambasador të shtetit tonë tek ju. Jemi tallur edhe me veten tonë, e edhe me juve. Por të gjitha këto, sado të vërteta të hidhura që janë, nuk ua japin juve të drejtën që aq kollaj të shkelni mbi historinë dhe vuajtjen tonë si bashkëkombës tuaj nga kthetrat e regjimit të Serbisë fashiste. Sfidën e inteligjencës tënde do të mund ta zbatoje edhe me rastin e kësaj iniciative për mini-Shengenin ballkanik. Çfarë pajtimi mund të ketë me xhelatët dhe vrasësit që ende sillen lirshëm nëpër Serbi përkundër krimeve makabre, të cilat i kanë kryer?

Edi pse nuk e kërkove një maxi-Scheveningen si kundërpërgjigje dhe ekuivalente e burgut të Kombeve të Bashkuara në Holandë për krimet e luftës. Një fqinjësi e mirë do të duhej të ndërtohej mbi premisën ku fillimisht Serbia si agresore do t’i sillte të gjithë kriminelët e luftës nga ana e saj në këtë maxi-Scheveningenin ballkanik, pse jo edhe Bosnja, e edhe Kosova po patën të tillë. Një iniciativë për vënien e një drejtësie të tillë në Ballkanin e përvuajtur, gjithashtu, do t’iu bënte palë serioze pranë komunitetit ndërkombëtar. Pastaj kërkimfalja nga ana e Serbisë. Këta do të mund të ishin hapat e parë përpara se të fillonte ndonjë krijim i ndonjë zone të lëvizjes së lirë midis popujve të Ballkanit. Por jo, Edi ti e ke zgjedhur mënyrën më të keqe të mundshme për një iniciativë të tillë dhe nga ajo përfituese e skajshme mund të jetë vetëm Serbia dhe askush tjetër. Para syve të komunitetit ndërkombëtar është vetëm hedhje pluhuri syve të popujve tuaj të përvuajtur për dështimet e njëpasnjëshme në ndërtimin e shteteve tuaja ligjore.

Në këtë trenin e çmendurisë tënde je i vetmuar Edi. Edhe makinisti ka zbritur nga lokomotiva. Gent Cakaj nuk të kryen punë këtu me fjalitë e tija të koklavitura në strukturë përherë, por asgjëthënëse kurdoherë. Mallkimi i Kosovës së përvuajtur është i rëndë Edi. Jo nuk besoj në besëtytnitë, mirëpo as natyra nuk e do padrejtësinë sidomos kur ajo i vjen nga bijtë e saj.

Treni i çmendurisë sate ecën i vetëm me ty si pasagjerin e vetmuar me destinacion theqafjen tënde politike. E fillove me gënjeshtrën e “Rilindjes” dhe do ta përfundosh me mini-Shengenin e kazanit ballkanik.

***

Në Kosovë vazhdojmë me zhagitjen e përmbylljes së rezultateve finale të zgjedhjeve. Sa më shumë që po kalojnë ditët aq më tepër populli e kupton se këto zgjedhje në fakt nuk kanë të bëjnë asgjë për Kosovën dhe popullin e saj, me problemet e tyre të shumta të grumbulluara. Gjithçka sillet rreth egove vetjake dhe plotësimin e egove, dhe ambicieve vetjake politike dhe këtu nuk përjashtohet asnjëra parti.

Akuza të ndërsjella e ku mollë sherri mbetet Lista Serbe dhe pafuqia e partive politike kosovare që të ndërronin sistemin votues, në mënyrë që tani problemet dhe akuzat e tilla të mos bëheshin në koston e vonesave të certifikimit final të rezultateve dhe formimin e Qeverisë. Përkundrazi, luhen lojëra të pista nga ata të cilët deri dje bashkëpunuan me Listën Serbe si partner të koalicionit dhe dhunohet inteligjenca e secilit votues kosovar. Ata thirrën në 44.000 votat e tyre, për të cilat personalisht mendoj se një pjesë e madhe e tyre janë dhënë si pasojë e presionit për vendin e punës, studimeve, pozitës në ndonjë institucion publik. Mos të harroj të shtoj se përveçse janë dhunues të inteligjencës së votuesit kosovar, këta janë edhe dhunuesit e dëshmuar të buxhetit publik në Qeverinë e Kosovës, prandaj me aq ngulm nuk dorëzohen dhe insistojnë se e kanë kaluar pragun për të qenë pjesë përbërëse e Kuvendit të Kosovës. Prezenca e NISMA-s, e AKR-së dhe e PD-së asnjë të mirë nuk ia sjellin Kuvendit, si dhe popullit të Kosovës. Dëshira ime mbetet që këta të shkojnë aty në plehun historik dhe që asnjëherë të mos përmenden më qoftë edhe me gjithë ato 44.000 votat e tyre.

POST-MORTEM - Arzana Kraja

Ishte lajm shumë i trishtë për të gjithë komunitetin artistik, miqtë e shumtë të saj e sidomos edhe për familjen e saj, vdekja aq e hershme dhe e befasishme e Arzana Krajës.

Komuniteti artistik e humbi një regjisore të re dhe shumë të talentuar, e cila premtonte aq shumë pasi që ishte në moshën e saj më produktive artistike. Personalisht nuk jam njohur për së afërmi me Arzanën, mirëpo po të takoheshim në lokal do të përshëndeteshim ashtu me një tungjatjeta, si dy fytyra që e njihnim njëra-tjetrën nga ai qytet. Sigurisht se ne e humbëm edhe një talent të ri, e edhe një ikonë të atij asfalti të Prishtinës. Pushofsh e qetë dhe në paqe Arzana.

P. S. Albin ndoshta nga fëmijëria të kujtohen filmat me Bud Spencerin? I luftonte i vetëm aq shumë njerëz në të njëjtën kohë. Jo ti nuk i ngjason atij, sepse ai ishte shumë më i madh dhe korpulent me trup apo edhe i plotë thënë më së buti, por halli yt ashtu si je nuk je duke i kursyer njerëzit që të janë vërsulur nga të gjitha anët hiç më pak se Bud Spencerit. Me aq sa unë po arrij ta lexoj situatën, ata janë duke arritur vetëm kundërefekt me këtë qasje ndaj teje. Ke filluar të bëhesh figurë e akceptueshme edhe në sytë e skeptikëve në raport me ty dhe Vetëvendosjen. Mos harro që në ndonjë prezantim tëndin të radhës nga aspekti ekonomik ta përmendësh faktin se Kosova tash njihet si prodhuesja më e madhe e mjaltës në regjion e edhe më gjerë. Dëshmitë janë ngado nëpër postimet e shumta në Facebook me asortiman të gjerë mjalti, si produkt vendor.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Asdren Rrahmani