OpEd

Shteti bimë

Shteti i Kosovës nuk ia ka dalë që farën dhe bimën t’i shohë jashtë biologjisë, në kontekstin ekonomik. Derisa për 20 vjet ka tkurrur tokën bujqësore duke mos e trajtuar prodhimtarinë si bosht të zhvillimit ekonomik, ka importuar miliona euro në vit produkte që ka mundur lehtësisht t’i prodhonte vetë

Ruajeni tasin e plastikës pasi ta keni pirë jogurtin. Lajeni dhe mbusheni deri në gjysmë me dhe. Vendoseni aty një kokërr fasuleje dhe ujiteni. Lëreni atë afër dritares dhe prisni.
Udhëzimet e mësueses i patëm ndjekur me përpikëri. Do të rrinim me ditë pranë tasit. Gëzimi ishte i madh kur shpërthente sythi. Pastaj silleshim andej edhe disa ditë derisa ai rritej e merrte formë. Dikur na mërzitej dhe vazhdonim me përditshmërinë tonë.
Sado që përpiqem ta kthej kujtesën, nuk më bie në mend se ku dhe si ka përfunduar fasulja ime. Me siguri në bërllok.

***
Përgjatë viteve këtu në “Kohë” kemi raportuar për sfida të ndryshme të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Luftën. Përzënien e njerëzve nga shtëpitë. Paqen. Kthimin e tyre në tokat e veta.
Pastaj pati qenë rindërtimi. Term ky që u kuptua tekstualisht. Nisi ndërtimi fizik. Gjithandej. U zunë njëherë hapësirat e përshtatshme. Edhe qoshet. Vazhdoi ngado në tokat e të kthyerve dhe të tjera. Pa plan. Pa leje. Pa strategji. Pa kontroll.
Kosova u bë vendi i objekteve masive, i lagjeve e i rrugëve. Ushqimin nisëm ta blinim jashtë.

***
Mësuesja na pati mësuar për bimën. Se si një farë jep një produkt bimor. Baziken e shkencës së biologjisë. Kureshtja fëmijërore na u pati shfrytëzuar deri aty. Nuk patëm mësuar përtej saj. Mbase nuk ka qenë në planprogram.
Mendoj që ka qenë gabim.
Një fëmije që ka trurin e etur për të ditur përtej asaj që sheh, do të ishte dashur t’i tregohej se bima nuk është veç një bimë. Një fëmije do të ishte dashur t’i tregohej për bimën jashtë kontekstit të biologjisë.

***
Përveçqë Kosova u bë vendi i asfaltit, tullave e betonit, milionat e buxhetit u keqpërdorën përmes kontratave sekrete; pazareve të tanëve e të huajve; shpëlarjes së parave. U raportua. Askush nuk u arrestua. Të përfshirët qenë profesionalë në këtë proces, që formalisht do të quhej i rindërtimit dhe zhvillimit. Gjatë kësaj kohe Kosovës po i jepej një kah tjetër i funksionimit. Ajo po shndërrohej në parajsë të importit. Thuhej se qëllimi ishte komunikimi e shkëmbimet tregtare. Por jo. Rrugët, ndërtesat e lagjet nuk janë gjë që eksportohet.

***
Pas mësueses, në klasën e pestë, nisëm mësimin me arsimtarë. Në lëndën e biologjisë mësuam më gjerësisht për bimët. Për klorofilin. E mbaj mend fotografinë në librin e nuk e di së cilës klasë ku ilustrohej qarku rreze dielli, bimë, tokë, rrënjë, ujë. Me kujtohet edhe fytyra e zëri i arsimtares tek na i shpjegonte. Por, bima mbetej nocion i izoluar në biologji.
Pati qenë atëherë koha kur gjenerata ime për herë të parë qe njoftuar me termin demokraci. Përpiqeshim ta kuptonim fjalën që hyri shpejt në diskursin e asaj kohe. Dhe shumë shpejt u bë preokupim yni. Ishim në fillore.
***
Njëherë “rindërtimi” i pasluftës na dukej gjë e mirë. Dhe kjo nuk zgjati pak. Dikur nisëm ta merrnim vesh se asfalti e betoni e hëngrën tokën edhe ku nuk hahej. Dhe, vaji i tokës ende nuk po dëgjohet mirë. Mbase edhe nuk do të dëgjohet derisa nuk do të vijë ajo që ekspertët e bujqësisë sot e definojnë si “krizë në sigurimin e ushqimit”. Nga degradimi i tokës bujqësore, konstatojnë ata, efektet do të ndihen shumë shpejt. Një shembull konkret: Më 2012 mbi 102 mijë hektarë sipërfaqe janë mbjellë me grurë. Më 2019, 50 mijë hektarë sipërfaqe është e mbjellë me grurë. Janë shifra zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Në vitet ‘90 Kosova ka pasur 577 mijë hektarë tokë bujqësore. Deri më sot 164 mijë hektarë janë shkatërruar ose ridenstinuar. Niveli për kokë banori ka rënë nën kufirin minimal.
***
Në fillore, kur u patëm njoftuar me termin demokraci, nuk pati shkuar edhe shumë kohë dhe prindërit na u përzunë nga puna e ne nga shkollat. Kishte krizë. Ndiheshim të sigurt kur e siguronim një thes miell. U pata mësuar të gatuaja bukë. Gëzohesha kur merrja lëvdata. Por akoma bimën e shihja si bimë. Demokracinë si një koncept që nënkuptonte liri e zhvillim. Që dikur, pas një kulmimi, do ta arrinim. Tani, jo veç që nuk mësonim në shkollë për bimën në ndonjë kontekst tjetër, por nuk mërziteshim për të fare. Me rëndësi ishte që kokrrat e fasules t’i siguronim për të ngrënë.
***
Ndërkohë që Kosova tashmë ishte e çliruar dhe demokracia kishte ardhur, tensionet politike u ruajtën dhe mbetën preokupim qytetar. Kjo ndihmoi që rindërtimi, i kuptuar tekstualisht të lulëzojë. Tokës iu kushtua vëmendje e posaçme. Më së shumti pësoi ajo bujqësore. Ajo u ridestinua, u fragmentizua dhe u privatizua. 34 euro për një ar, apo në rastin më të mirë 75 euro. Nga mbi 46 mijë hektarë tokë shoqërore që AKM/AKP ka marrë nën menaxhim më 2002, rreth 30 mijë tashmë janë privatizuar. Kosova, sipas statistikave të vitit 1989, ka pasur mbi 82 mijë hektarë tokë bujqësore në pronësi shoqërore. Institucionet e Kosovës asnjëherë nuk kanë gjetur sqarim për përgjysmimin e kësaj sipërfaqeje ndërmjet viteve 1989-2002.
***

Kulmimi, që ishte lufta dhe pastaj intervenimi i NATO-s, erdhi. Meqë edhe demokracia supozohej që tashmë ishte punë e kryer, bima megjithatë mbeti brenda biologjisë. Dhe kjo jo veç për fëmijët e fillores. Ashtu e ka parë edhe shteti. Ai nuk ia ka dalë ta vë farën e fasules në kontekstin ekonomik. Derisa ndër vite është tkurrur toka bujqësore duke mos u trajtuar prodhimtaria si bosht i zhvillimit ekonomik, Kosova sot importon 105 milionë kilogramë grurë në vit; 48 milionë kilogramë misër; mbi 16 milionë kilogramë mollë, ftonj dhe dardha; 4 milionë kilogramë rrush; 5.1 kilogramë tranguj... Ose, nga këndvështrimi monetar, paguan 5.2 milionë euro në vit për domatet e Shqipërisë, Maqedonisë e Serbisë.

Edhe më keq qëndron nga aspekti i përpunimit dhe ai i politikave karshi bujqve vendorë. Në Kosovë janë zënë rrugët me patate ku bujqit protestues i kanë hedhur ato, meqë nuk kanë pasur ku t’i shesin. Është derdhur qumështi para Qeverisë. Të pakënaqur ndër vite kanë qenë edhe vreshtarët. Ndërkohë që produktet e huaja të patateve, të bulmetit e rrushit kanë zënë raftet e dyqaneve.

Bima në Kosovë sot ende është veç bimë. I tillë ka mbetur edhe shteti!

brikenda@koha.net