Vështrime

Asnjë nismë e re nuk e zgjidh problemin kryesor të rajonit-njohjen e Kosovës nga Serbia

Për rajonin e Ballkanit ka aq shumë nisma, saqë është vështirë t’i mbash në mendje të gjitha. Por tejkalimi i problemeve përmes bashkëpunimit në nismat rajonale nuk është i mundur pa zgjidhjen e pengesës kryesore - njohjen e Kosovës nga Serbia. Nismat rajonale nuk mund të hidhen poshtë me besimin se më mirë është të integrohemi në BE, sepse as integrimi në BE nuk është afër.

Se para një nisme rajonale ekziston ideja e krijimit të një “Jugosllavie të re” është dëgjuar që nga viti 1999, kur u nis ideja e Paktit të Stabilitetit në Samitin e Kolnit, që u kurorëzua më vonë në Samitin e Sarajevës. Vazhdoi pastaj kur u lansua procesi i Stabilizim-Asociimit, që rezultoi me Samitin e Zagrebit në vitin 2000. Pastaj kur u lansua iniciativa e bashkëpunimit në Evropën e Mesme, më vonë kur u krijua Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal me seli në Sarajevë, si dhe krijimi i një lloj rrjeti të tregtisë së lirë përmes CEFTA-s e kështu me radhë. Pasi Sllovenia ishte nisur e para në rrugëtimin e integrimeve në BE dhe në NATO e Kroacisë i ishte mbyllur dera, Zagrebi ishte ai që më së shumti kundërshtonte idetë e tilla. Në Kroaci ekzistonte bindja se prapa nismave të tilla ekzistonte ideja e krijimit të një “Jugosllavie të re”. Presidenti i parë i Kroacisë Franjo Tugjman, e quante këtë “Formula 6 +1-1”. Pra, që ish-republikat e Jugosllavisë, pa Slloveninë, por me Shqipërinë, të krijonin një “bashkësi”, që do t’i ngjante ish-Jugosllavisë. Në atë kohë Kosova përmendej vetëm si çështje e pazgjidhur. Ndërsa Kroacia, e bindur se e ka vendin në Evropë e jo në Ballkan, ishte kundër ideve të tilla.