Pas refuzimit, aplikimi në konsullatën tjetër evropiane

Veton Surroi Veton Surroi 25 October 2019 08:15

Meqë Shqipëria e Maqedonia Veriore u bllokuan nga Franca, duhet të kërkojnë një kontratë të re evropiane. Mbase në Berlin?

1.

Është diçka që quhet e drejtë diskrecionale dhe që i bën zyrtarët administrativë konsullorë nëpër ambasada në botë të imagjinojnë për një moment se janë mbretër. Me këtë të drejtë, një zyrtar konsullor i një vendi (zakonisht të kamur, zakonisht të hemisferës veriore, e kështu me radhë) i thotë një qytetari që ka aplikuar (nga vendi, raca, hemisfera tjetër apo diçka që nuk i përngjet shtetit të zyrtarit konsullor) se viza e tij refuzohet.

Qytetari i refuzuar, që ndihet njëjtë keq si i refuzuari për pranim në punë apo i refuzuari në dashuri, fillon të arsyetohet para vetes dhe para zyrtarit konsullor se i ka përmbushur të gjitha kushtet, se nuk ka kurrfarë arsyeje të refuzohet, se si bëhet që ai të refuzohet ndërsa pala tjetër aplikuese - një person analfabet që hyn në intervistë me rroba të leckosura e me ndihmë të bastonit - e merr vizën?

Ky është momenti kulmor për të dytë. Zyrtari konsullor flet me shumësin mbretëror në emër të shtetit sovran i të cilit është: “Ne nuk jemi të detyruar të japim shpjegime për shkaqet e refuzimit”, ndërsa aplikuesi i refuzuar futet në thellësinë e historive dhe konspiracioneve, të ndërthurura e të ndërlidhura prej shekujsh dhe konstaton se arsyeja e vërtetë e refuzimit ka të bëjë me identitetin e tij kulturor/kombëtar. “Këtë kurrë nuk mund t’ia bënit qytetarit të Bontonisë apo të Shënmirës! Ma bëni mua, sepse jam ky që jam, i kombit që jam, i shtetit që jam”.

2.

Kështu disi tingëllonte, në analogji të vrazhdët, skena e javës së kaluar kur Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut u kumtohej nga Bashkimi Evropian se u refuzohej hapja e negociatave për anëtarësim. Për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut ishte skena si e të kthyerit në shtëpi pas aplikimit për vizë dhe shpjegimit se megjithëse i tërë dokumentacioni është në rregull, dhe rekomandimet e taksat e paguara dhe çdo gjë tjetër që është kërkuar (përfshirë raportin bankar personal e të familjes për pesë vjetët e kaluar), megjithatë u është refuzuar viza. Dhembja qe edhe më e madhe, ngase viza e refuzuar ishte për të hyrë në negociatat për anëtarësim, një gjendje evolucioni (ndryshimi të brendshëm) dhe jo gjendje statike (të drejtë për të qenë brenda shtetit/Bashkësisë).

Dhe refuzuesi i vizës, në kësi rasti Franca, ndjeu momentin e krenarisë jo aq me vizëkërkuesit e mjerë sa me shtetet e tjera anëtare të BE-së, të cilave u deklamoi se nuk mund të ketë kurrfarë “vizash” të reja pa e ndryshuar njëherë BE-në. Nga ky këndvështrim, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut morën një përgjigje të së drejtës diskrecionale: do t’ju tregojmë ne kur do të jemi të gatshëm ta trajtojmë aplikimin tuaj; tash për tash jeni të refuzuar dhe nuk ndiejmë nevojë t’ju japim më shpjegime.

Padrejtësi historike, do të flasin me një zë Shqipëria e Maqedonia e Veriut dhe do të bëhet brenda këtyre vendeve lista e gjatë e shpjegimeve të ndërlidhura historike e konspirative (“po të ishim shtetas të Bontonisë dhe Shënmirës nuk do të na trajtonin kështu”), një listë e gjatë për nevoja të brendshme, për të mos dalë të dështuar aplikuesit, por refuzuesi i aplikimit.

3.

Shqipërisë e Maqedonisë Veriore nuk u mungojnë argumentet për të treguar padrejtësinë që u bëhet. Shqipëria mund të ketë në shërbimin e vet policor individë që ndihmojnë krimin e organizuar, në veçanti atë të drogës, por Serbia, një vend që i ka hapur negociatat e anëtarësimit (me ndihmën e zyrtarëve të Kosovës) ka në shërbimin e vet policor strukturë të paprekur pjesëmarrësish në vrasje grash, fëmijësh e burrash në Kosovë. Në Shqipëri bëhen arrestime të zyrtarëve që ndihmojnë kalimin e papenguar të ndonjë kamioni me kanabis; në Serbi është dekoruar e tërë struktura komanduese e forcave të sigurisë së Serbisë, e cila ka organizuar kamionët e kufomave të civilëve shqiptarë të ekzekutuar nga ushtria e policia serbe, dërgimin e tyre në varreza masive dhe fshirjen e këtyre nga kujtesa (me ndërtimin e kishës mbi vendin ku qenë varrosur civilët e vrarë të Mejës, për shembull).

T’i thuhet Maqedonisë Veriore se duhet ende të ushtrojë demokraci e rend dhe ligj për t’u bërë gati për në BE kalon në nivel talljeje, kur niveli i funksionimit të institucioneve të këtij shteti krahasohet me Bullgarinë e Rumaninë, dy shtete që tashmë janë anëtare të BE-së dhe të cilat po të kishin aplikuar sot për anëtarësim nuk do të ishin përpara Maqedonisë së Veriut në “screeningun” (matjen) e sundimit të ligjit e demokracisë.

Por këtu kemi të bëjmë me rastin, si atij të zyrtarit konsullor që nuk ka nevojë të japë shpjegime. Andaj, nuk duhet humbur kohë me shpjegime e vajtime mbi atë që në thelb është e drejta diskrecionale. Dy aplikuesit, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, nuk duhet të merren me zyrtarin konsullor e as me të drejtën e tij diskrecionale. Duhet ta ndërrojnë konsullatën ku aplikojnë ,dhe këtu nuk është assesi fjala për atë turke, ruse apo iraniane. Edhe pse është me vend frikësimi se këtë situatë do ta shfrytëzojnë aktorët joevropianë lindorë, si Rusia, Turqia apo Irani - si dhe vendet e Gjirit që propagandojnë islamin politik - Shqipëria dhe Maqedonia Veriore me shumicat e tyre politike kanë në formë konsistente një dhe të vetmen rrugë natyrore, atë integruese në NATO dhe BE.

Pra, po, do ndërruar konsullata, por për të njëjtin destinim, Bashkimin Evropian.

4.

Nëse lejohet analogjia e vrazhdët (dhe për nevoja të këtij shkrimi), prej javës së kaluar Evropa ka dy qasje sa i përket “vizës” për negociata. Njëra është ajo e manifestuar nga Franca, që thotë se nuk mund të bëhen hapa zgjerimi ndërsa nuk ka reformë të BE-së. Kjo reformë ende nuk është shpjeguar as si koncept, nuk janë dhënë afatet e as përafërsisht ideja se me cilin kut do të vlerësohet se kur është arritur caku i reformimit. Në këso qasjesh, dhe nëse Franca insiston në veto, “viza” mund të jepet vitet 2020, 2030 apo 2040 - është e drejtë diskrecionale e “zyrtarit konsullor”. Sot për sot nuk di kush se çfarë forme duhet të marrë BE-ja në mënyrë që të quhet e “reformuar”, rrjedhimisht e gatshme që t’u japë vizat për negociata çiftit të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Tjetra qasje është ajo e Gjermanisë, e manifestuar me qëndrimin e përbashkët të Bundestagut gjerman , në formën e tetë kushteve që duhet t’i përmbushë Shqipëria. Këto tetë kushte janë pjesë të një relacioni kontraktual mes Gjermanisë dhe Shqipërisë; nëse ato përmbushen, Shqipëria do ta ketë përkrahjen e Gjermanisë në integrim evropian. Nëse nuk ndodh integrimi evropian - për shkak të vetos franceze - atëherë do të duhej gjetur mekanizma të tjerë përkrahës për afrimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore me BE-në, apo me shtetet e BE-së që duan më shumë integrim. Njëri prej këtyre mekanizmave mund të jetë një pako e veçantë përkrahjeje financiare e teknike për eliminimin e barrierave për qarkullim (të katër lirive) mes Shqipërisë dhe fqinjëve të saj, e Maqedonisë Veriore dhe fqinjëve të saj. Nuk besoj se Franca do të mund të vinte veto ndaj një përkrahjeje të BE-së për të ndërtuar hekurudhën Fushë Kosovë - Durrës, për suportin e rrugës Tiranë-Dibër, për të hapur tunelin e Valbonës që do të lidhë Gjakovën e Shkodrën ; për shndërrimin e Maleve të Sharrit e Bjeshkëve të Nemuna si projekte të përbashkëta të turizmit malor të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi.

Nëse Franca mund të vërë veto ndaj integrimit të Shqipërisë e Maqedonisë Veriore, Gjermania dhe shtetet e tjera së bashku me Francën mund ta përkrahin anën tjetër të monedhës së integrimit, atë të këtyre dy vendeve me shtetet fqinje.

Në fund, kontrata që e mori Shqipëria nga Bundestagu ka të bëjë me shëndetin e vetë Shqipërisë, pati apo jo integrime. Dhe në fund, regjioni i Ballkanit Perëndimor ka nevojë për integrim të vetin, çfarëdo që të jetë shpejtësia e ristrukturimit të BE-së.

Meqë Shqipëria e Maqedonia Veriore u bllokuan nga Franca, duhet të kërkojnë një kontratë të re evropiane. Mbase në Berlin?

5.

Vetoja franceze ishte injeksion i fundit i realitetit në qasjen e “dialogut” Serbi-Kosovë. Tashmë është avulluar qasja se Serbia do të bëhet më bashkëpunuese rreth Kosovës sa më afër të jetë anëtarësimit në BE. Serbia ka të drejtë të besojë se nuk ka integrim në BE derisa atë ta prekë me dorë; ndërkohë i mbeten premtimet boshe. Kosova ka të drejtë të mos besojë asnjë gjë në relacion me “karotat” e BE-së: ende mbahet gjallë me premtimin për liberalizim të vizave; ja në mot, ja në tjetrin.

Në tavolinën e negociatave, pra, tashmë nuk do të jetë as premtimi i mjegullt për anëtarësim (të shpejtuar) në BE , në këmbim të marrëveshjes.

Rrjedhimisht, Kosova dhe Serbia duhet të mbërrijnë marrëveshje paqeje me merita të veta dhe për interes vetjak. BE-ja dhe NATO-ja mund të ndihmojnë me një përsëritje të konceptit amerikan për pajtimin e popujve evropianë, duke ndihmuar konkretisht lidhjen e tyre ekonomike, infrastrukturore e tjetër, nën një ombrellë të përbashkët të sigurisë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi