OpEd

Fushata, slogane, gallata dhe mejdane

Lexuesve, miqve dhe përcjellësve të mi të shumtë në Facebook më duhet që t'iu kërkoj falje që as në këto zgjedhje ambasada ime në Facebook nuk do të jetë në gjendje t’i fasilitojë zgjedhjet dhe votimet për diasporën. Edhe kësaj radhe, ato do të bëhen përmes paraqitjes në KQZ dhe më pas votimit me postë

Gjendemi në vrullin e fushatave zgjedhore të partive politike kosovare për zgjedhjet e jashtëzakonshme të cilat do të mbahen më 6 tetor 2019.

Lexuesve, miqve dhe përcjellësve të mi të shumtë në Facebook më duhet që t’iu kërkoj falje që as në këto zgjedhje ambasada ime në Facebook nuk do të jetë në gjendje t’i fasilitojë zgjedhjet dhe votimet për diasporën.

Edhe kësaj radhe ato do të bëhen përmes paraqitjes në KQZ dhe më pas votimit me postë.

Në këto votime numri i votave nga diaspora do të arrijë numrin prej 40.000 sosh dhe të cilat mund lehtësisht të bëhen ato që në fund ta bëjnë edhe ndryshimin.

Të gjithë jemi dëshmitarë të denigrimit të debateve në studiot televizive deri në sulme fizike. Debate të përcjella me tensione, ngritje zërash, nxehje gjakrash, ofendime nga më të ndryshmet. Përderisa kam menduar se debatet politike nuk do të mund të devalvonin më shumë sesa ato që kishin devalvuar tashmë në zgjedhjet e kaluara, janë politikanët tanë të dashur ata të cilët ma çudisin edhe pikëçuditjen se lëre më të mos i devalvojnë debatet edhe për një nivel më të lartë. Tashmë jemi në “Expert Level” në terma të videolojërave.

Tema me të cilën vendosa që të merrem në ditarin tim kësaj radhe, ka të bëjë me sloganet e partive politike gjatë kësaj fushate. Është ai deformimi profesional i imi, i cili kohë pas kohe kërkon pak vëmendje dhe të dalë në sipërfaqe. Apo thënë me atë zhargonin urban, “kapak lyp me u fry”.

Në atë sinopsisin dhe skenarin e partive politike në mbarëvajtjen dhe identifikimin e fushatave të tyre zakonisht angazhohen agjenci marketingu për t'ua konceptuar fushatën për imazhin që një parti dëshiron ta përçojë tek votuesi, si dhe sloganin përcjellës të asaj partie. Zakonisht këto shërbime të agjencive të marketingut kushtojnë rreth 200.000 euro dhe natyrisht ato në vete nuk mbërthejnë edhe kostot individuale të pretendentëve për deputetë për kostot dhe shpenzimet e tyre vetjake për reklamimin e vetes së tyre.

Përveç kostos së KQZ-së për organizimet e zgjedhjeve, që supozohet se shkon diku në 6 milionë euro, së paku edhe disa milionë të tjerë shpenzohen nga partitë dhe pretendentët për deputetë.

Ajo e cila mendoj që ka shënuar progres tek të gjitha partitë është skenografia gjatë paraqitjeve të tyre qendrore. Mendoj se janë mjaft reprezentative dhe të këndshme për sy. Sigurisht edhe lëvizja e kamerave me anë të kraneve e arrin atë efektin dinamik dhe dramatik, dhe në këtë aspekt mendoj se gjërat kanë ecur mjaft përpara pozitivisht. Në zymtësinë e gënjeshtrave dhe frazave boshe e premtimeve shterpe së paku vizualisht duken rrena të bukura, të mbështjella mirë sikur ato bonbonierat e Turqisë. 1kg ambalazh për 20gram çokollatë diku aty-aty në mesin e bonbonierës.

Partia Demokratike në këto zgjedhje na paraqitet me sloganin “Ndërtojmë të ardhmen”. Sa më përket mua, kjo parti mund të vijë edhe me fjalë magjike që e hapin edhe shpellën “Sesam të Ali Babës”, por këta vazhdojnë të mbeten vetëm ata hajdutët e Ali Babës, por tashmë me misionin për ta “luftuar korrupsionin” në krye me Kadri Veselin, të nominuarin e kësaj partie për kryeministër. E shihni se çfarë magjie bëjnë agjencitë e marketingut.

Na dalin Kadriu, Migjeni dhe Eliza në “Kurrizin” e famshëm dhe na flet Kadriu për përndjekjet të cilat dikur ua bënte policia serbe të rinjve shqiptarë aty. Jam i sigurt se asokohe Kadriu andejpari as që i ka rënë ndonjëherë, por ja, si informatë e ka marrë nga Migjeni ose Eliza. “Ndërtojmë të ardhmen” kuptohet si oksimoron kur vjen nga Partia Demokratike. Një parti që duart e saj të krimit i ka të futura në secilën pore të organizimit shtetëror dhe shoqëror institucional në Kosovë. Jo nuk jam defetist, rezultatet shihen në çdo cep. Shëndetësi, arsim, ekonomi, infrastrukturë, përveç rrugëve të paguara me çmime astronomike për të mbushur xhepat dhe kontot bankare periferike të politikanëve të kësaj partie.

Mbrojtja e tyre vjen në formën tashmë shumë të dëgjuar, “nëse keni prova dërgojini në gjykatë, ne tash jemi shtet ligjor”. Por ja që ai shtet ligjor është i kapur dhe po i dërguat ato prova, gjasat janë që mund të kthehen kundër jush. Si me rastin e kidnapimit të 6 shtetasve turq. Formohet komisioni parlamentar, ku rezulton se presidenti “nuk ka ditur asgjë”, “kryeministri nuk ka ditur asgjë” dhe “kryeparlamentari nuk ka qenë në ngjarje”. Në fakt, shtetit të brishtë të Kosovës i është bërë një puç nga brenda ose një mini-invazion nga jashtë, ndërsa shteti ligjor merret me ngritje të aktakuzave për 10 policë që kanë zbatuar urdhra. Ja, këta njerëz dëshirojnë të ma ndërtojnë të ardhmen. Jo, ju faleminderit, ju kisha sugjeruar që të mësoni se si ndërtohen “Kulla e Ajfelit” ose “Big Beni” me kokrra të qibritëve, sepse në një të ardhme të afërt do t’ju duhet. Do të keni mjaft kohë të lirë e kjo do të ishte një mënyrë kreative për qetësimin e nervave të juaja.

Lidhja Demokratike na vjen me sloganin “Beso”. Qysh? “Beso”?

A nuk ishte ky po i njëjti slogan, të cilin ju e përdoret edhe në zgjedhjet e vitit 2010? Premtuat qindra e mijëra vende pune, e çka jo tjetër, por çka ndodhi? Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, ju e befasuat votuesin tuaj, duke bërë koalicion me PDK-në për të bashkëqeverisur. Tash 9 vjet më pas, kreativiteti i juaj apo i agjencisë të cilën ju e keni angazhuar shkon deri aty saqë slogani të jetë “Beso” përsëri a? Mua personalisht më ngrihen mornicat nga kërkesa juaj që t’ju besojmë. Fundja ju vendosni për sloganet e juaja, ndërsa ne vendosim për votën tonë. Por mos mendoni se mund të krijoni “Deja muuu” nga populli dhe të mos ndëshkoheni për këtë gjë. Mendoj se votuesit do të jenë më kreativë se që ishin në vitin 2010.

Vetëvendosje na vjen me sloganin “Erdhi dita”. Romantikët e skenës politike kosovare. Nga slogani i fushatës së zgjedhjeve të fundit të tyre “Me zemër”, tash në “Erdhi dita”. Siç duket, djaloshi i “disiplinuar” dhe i “durueshëm” më në fund do ta marrë shpërblimin e përkushtimit të tij ndaj dashurisë dhe do t’ia japë përqafimin, si dhe puthjen e parë karriges kryesore të qeverisë. Ishte rrugëtim dhe ëndërr e gjatë kjo, “Erdhi dita”. Nga libri filozofik “Kama Sutra”, djaloshi i lexuar mund t’i nxjerrë një mori mësimesh se si mund ta duash shtetin nga karrigia në shumë mënyra. Nga përvoja 20-vjeçare e asaj karrigeje dhe paraulësve të tjerë në të, në raport me ne votuesit, ishte i vetmi film të cilin ne e pamë “KosovaBelle Young European”.

Koalicioni AAK/PSD na vjen me sloganin “kreativ” “100% shtet”. Për hir të korrektësisë, duhet t'ia rikujtojmë votuesit historikun e origjinalitetit se si lindi ky slogan. Fillimisht, Ramush Haradinaj atëherë në pozitë të kryeministrit e pagëzoi si 10% taksë për Serbinë. Dikush i mençur dhe inteligjent më pas propozoi që taksa të rritej dhe të pagëzohej 20%. U tha, u bë. Legjenda thotë se kryekuvendari i kishte thënë Serbisë nga karrigia e tij “ma hangsh” dhe se taksa do të quhet 100%. E pasi që arushës ia la në këmbë duart e Ramushit, ky i fundit e mbajti këtë emërtim si slogan për koalicionin e partisë së tij, AAK dhe PSD. Në anën tjetër, në interpretimin e kuptimit të sloganit 100% nga ana e PSD-së, ata e interpretojnë si sienergji, 50% muskuj dhe 50% tru. E di që mësueset e mia të matematikës tash do të mburren me mua, sepse 50% muskuj dhe 50% tru nuk bëjnë 100% diçka. Njëjtë 100 molla dhe 100 dardha bëjnë një sallatë pemësh prej 100 molladardhash. Edhe këtu mendoj se gjatë votimit të qytetarëve në kutitë e votimit kreativiteti nuk do të mungojë 100%.

Tani unë si ekspert i kësaj fushe do ta konceptoj sloganin më adekuat për këto zgjedhje të parakohshme. Duke pasur parasysh historikun se si arritëm deri te kjo pikë për t’u mbajtur këto zgjedhje dhe duke qenë koshient për sfidat të cilat do ta presin Kosovën në një të ardhme të afërt, unë erdha në formulimin e sloganit adekuat dhe ai është si vijon: “Beso se erdhi dita të ndërtohet e ardhmja 100%”.

Unë besoj se secila nga partitë i ka së paku 5 burra dhe gra që më të vërtetë kanë çfarë të ofrojnë aty në Kuvend dhe e duan këtë vend dhe posedojnë me kapacitetet dhe vullnetin për t’i shtyrë proceset përpara. Të mbetet ty i nderuari votues që t’i identifikosh ata, të urtit, të mençurit, jo idhnakët, jo shantazhuesit e debateve, jo devalvuesit e debateve, jo fytyrat e njëjta, të cilat nuk ofruan asgjë përveç gënjeshtrave dhe servilitetit të tyre të skajshëm ndaj shefave të tyre partiakë.

Unë do të doja të shihja se si një simpatizant i një partie të caktuar është në gjendje të bëjë një listë nga 5 persona profesionistë që mund t’i takojnë partisë kundërshtare, dhe debatet e politikanëve tanë të jenë të shëndosha dhe garuese në kualitet, dhe ofertë me program realizues politik. Shihemi në kutitë e votimit!