Vështrime

Gjasa të mëdha për Kosovën në “Euro 2020”, por jo për në BE

Falë talentit, punës profesionale dhe përkushtimit të lojtarëve dhe ekipit që qëndron pas tyre, Kosova në futboll po shënon përparim të madh dhe ka gjasa të kualifikohet direkt për “Euro 2020”. Politikanët që dështuan ta lëvizin Kosovën përpara po mundohen të përfitojnë nga sukseset në sport, thuajse ata kanë ndonjë meritë për to. Futbolli kosovar duhet të ketë kujdes, sepse me sukses vijnë edhe përfitimet financiare, edhe popullariteti, e kur janë ato aty është edhe potenciali për ndërhyrje politike dhe kriminale

Kush do të thoshte se më 10 shtator Kosova do të përballej me gjysmëfinalistin e botërorit, Anglinë, në një ndeshje ku do të vendoset se kush do ta ketë kreun e tabelës në grupin A për kualifikimet “Euro 2020”. Realisht këtë do ta thoshin të gjithë ata që e kanë përcjellë me vëmendje evoluimin e skuadrës kombëtare të Kosovës në futboll.