OpEd

Të vërtetat që s’mund të anashkalohen

Çdo dështim i ri në arsim e çon gjithë vendin një shkallë më thellë në humnerën e sundimit të injorancës. Dhe kjo injorancë më pas forcon nivelin e ulët, shpeshherë edhe kriminal, të qeverisjes së vendit. Sepse, dështimi në arsim nuk prodhon kolaps të shkollës – prodhon kolaps të shoqërisë dhe të shtetit

I.

Në zgjedhjet e para dy vjetëve, në qershor 2017, koalicioni që më pas e formoi edhe qeverinë premtonte reforma rrënjësore në arsim. Madje, siç e kishte thënë në një tubim zgjedhor njëri prej liderëve të koalicionit PDK-AAK-Nisma, ata ishin bërë bashkë, mes tjerash, edhe që “ta ruajnë arsimin vetëm në funksion të dijes dhe të punës”. Sot, pas gati dy vjet të qeverisjes “reformatore” të tyre, kemi situatën që ekspertët e fushës e konsiderojnë të jetë edhe më e keqe se që ishte në vitet paraprake.

Në arsimin fillor eksperimentet me tekstet shkollore dhe kurrikulën vazhdojnë, dhe prej shtatorit, kur nxënësit të kthehen nëpër shkolla, një pjesë e tyre do të ketë libra të rinj shkollorë përplot gabime faktike, logjike, gjuhësore e shkencore, derisa një pjesë do të vazhdojë me librat e vjetër që, përveçse i kanë gabimet e shumta, janë edhe në shpërputhje me kurrikulën.

Në të njëjtën kohë, politika e Qeverisë në sektorin e arsimit ka thelluar politizimin e nepotizmin në punësim dhe ka nxitur edhe më shumë klientelizmin e korrupsionin në ndarje tenderësh e kontratash.

Në arsimin e lartë për dy vjet Qeveria ka treguar një apetit të madh që të menaxhojë këtë sektor jo sipas rregullave e standardeve, por sipas preferencave dhe përfitimeve të njerëzve në qeveri dhe njerëzve të tyre të afërt në biznesin e madh me diploma universitare.

Loja me shkarkimet, emërimet dhe ndërhyrjet publike në vendime të Agjencisë së Akreditimit – siç bëri kryeministri Haradinaj kur paralajmëroi se do të veprojë kundër vendimit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë për mosakreditimin e tri universiteteve publike, për shkak se nuk i plotësojnë kushtet - është treguesi më i mirë se sa larg është qeverisja e deritanishme prej nocionit të mbajtjes së arsimit “vetëm në funksion të dijes dhe të punës”.

II.

Se Qeveria e dy vjetëve të kaluar e ka futur arsimin edhe më thellë në kthetrat e politikës, dëshmon deklarimi i ditëve të fundit i ministrit në largim, Shyqyri Bytyqi, i cili braktisi partinë e vet, Nisma, duke e akuzuar atë se e ka kapur sistemin e arsimit, duke pamundësuar çdolloj përmirësimi aty. Sigurisht, deklarimi i Bytyqit është skajshmërisht cinik, meqë ai, si ministër për gati dy vjet, ishte vegla kryesore e kapjes së sistemit të arsimit nga politika. Edhe më cinik ishte fakti që deklarimi i tillë publik bëhet në ditët e fundit të mandatit ministror. Por, ky cinizëm nuk e zhbën faktin se ajo që e ka thënë Bytyqi, i cili ishte gjithë kohën bashkëpjesëmarrës në krimin e kryer ndaj arsimit, është – e vërtetë!

Dhe kjo e vërtetë përbën një dëshmi – politike e juridike - që s’mund të anashkalohet.

III.

Derisa Qeveria në njërën anë ka treguar këmbëngulësi për të vazhduar me ndërhyrjen dhe politizimin e sektorit të arsimit, ajo ka treguar edhe dobësinë e saj përballë presionit publik, siç ishte rasti me grevën e arsimtarëve nga janari i këtij viti dhe refuzimin e mëpastajmë të Sindikatës që të zbatojë vendimin e Qeverisë për kompensimin e orëve të humbura.

Një diskreditim i tillë i vendimmarrjes qeveritare, që në esencë ishte akt i padëgjueshmërisë publike nga ana e Sindikatës ndaj Ministrisë/Qeverisë dhe institucioneve të shtetit (kishte edhe një vendim gjykate se orët duhej zëvendësuar). Kjo padëgjueshmëri sindikale, në kushte normale, do të ishte një veprim që dëmton shtetin. Por, në rastin kur shteti është i kapur nga një klikë politike, rezistenca sindikale më shumë doli të jetë dëshmi për rënien e fuqisë së kapësve të shtetit. Dhe kjo, në vetvete, është një shenjë e mirë.

IV.

Sigurisht, nuk është kjo qeveri e vetmja që ka bërë gabime në arsim. Politizimi e nepotizmi i skajshëm i sektorit të arsimit kanë ndodhur në mandatet e të gjitha qeverive të mëparshme. Problemet e shumta - prej atyre me tekstet shkollore, kurrikulë jofunksionale dhe menaxhim partiak të shkollave, deri tek niveli i ulët pedagogjik e profesional i një pjese (të madhe) të ligjëruesve, diplomat e kopjuara e të falsifikuara dhe vendimmarrja e cytur nga sundimi i mediokritetit dhe poshtërsisë – janë të pranishme prej kohësh, me vite e dekada tashmë.

Por, kjo nuk mund të jetë arsyetim për dështimin e radhës, meqë çdo dështim i ri në arsim e çon gjithë vendin një shkallë më thellë në humnerën e sundimit të injorancës. Dhe kjo injorancë më pas forcon nivelin e ulët, shpeshherë edhe kriminal, të qeverisjes së vendit.

Sepse, dështimi në arsim nuk prodhon kolaps të shkollës – prodhon kolaps të shoqërisë dhe të shtetit.

V.

Që arsimi të shpëtohet nga dështimi, ai duhet depolitizuar, profesionalizuar dhe reformuar. Por, kjo mund të arrihet vetëm nëse arsimi nxirret nga kthetrat e politikës dhe u kthehet profesionistëve.

Shkollat arsimtarëve. Universitetet profesorëve. Dhe arsimtarët e profesorët jashtë politikës.

Të tjerat janë veç fjalë të kota për vota.

agronb@kohaditore.com