Serbia ka përdorur dialogun për t’i dëmtuar proceset e njohjes së Kosovës

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 21 August 2019 08:37

Ndoshta edhe është legjitime për Serbinë që të lobojë kundër njohjeve të Pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Por është dredhi dhe keqpërdorim që për këtë qëllim ta shfrytëzojë dialogun që është zhvilluar në Bruksel. Është gabim i BE-së që ka lejuar dhe disfatë e Kosovës që ka pranuar, që dialogu të paraqitet si vazhdimësi e procesit të negociatave për statusin apo, siç thotë Serbia “për çështjen e Kosovës”

Nga Kosova është dashur të mendohej më mirë kur ka hyrë në dialog me Serbinë nën “lehtësimin” e Bashkimit Evropian. Është dashur që Kosova të kërkojë nga BE-ja përgjigje të prerë në disa pyetje rreth këtij dialogu para se të futet edhe më thellë në të. Kosova është dashur ta ketë të qartë se dialogu nuk është për statusin, se statusi i Kosovës është zgjidhur me shpalljen e pavarësisë së saj sipas propozimit të Marti Ahtisaarit, se është shpallur në kufijtë e saj që i ka pasur si njësi federative e shtetit tashmë të shpërbërë të ish-Jugosllavisë. Pa garanci se ky dialog nuk e ka për qëllim hapjen e çështjes së statusit dhe kufijve të saj, Kosova nuk është dashur të pranojë vazhdimin e dialogut. Dhe kanë qenë disa raste kur Kosova është dashur të jetë më e vendosur, të reagojë edhe më ashpër e ndoshta edhe të largohet nga dialogu. Kur Serbia u ka dërguar shteteve të ndryshme kërkesa që ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, duke e krahasuar Kosovën me “Shtetin Islamik” dhe duke ofenduar me fjalët më të rënda. Kosova nuk është dashur të kënaqej me deklaratat nga BE-ja se “të gjithë duhet të përmbahen nga fjalët nxitëse”.

Kështu Kosova ka rënë në grackën e ndërtuar nga Serbia, e cila shfrytëzon rolin e BE-së, e cila është “neutrale ndaj statusit” dhe ndihmën e Rusisë, e cila është kundër Pavarësisë së Kosovës, si dhe të disa shteteve të tjera, si Spanja, për të penguar anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe jo vetëm për të penguar njohjet, por edhe për të arritur që disa shtete edhe të tërheqin apo pezullojnë njohjen e Kosovës.

Puna e Serbisë, ndonëse në kundërshtim me frymën e dialogut, është transparente. Ministri i Jashtëm i këtij shteti, Ivica Daçiq, tregon qartë se cilat argumente po i përdor. Ai thotë se, po të ishte e kryer çështja e statusit të Kosovës, pse atëherë Kosova merr pjesë në dialog. Serbia formalisht ka të drejtë kur thotë se “nuk ka marrë asnjë obligim me Marrëveshjen e Brukselit që të mos pengojë njohjen e Kosovës”. Këtë e thotë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili në Bruksel tha se “serbët mburren me lobimin kundër njohjes së Pavarësisë së Kosovës” dhe do të vazhdojnë këtë.

Për këtë qëndrim Serbia ka pasur edhe mbështetjen, herë të heshtur e herë të shprehur nëpër takime, edhe të Zyrës së Federika Mogherinit. Ata kanë sqaruar se, sipas Marrëveshjes Thaçi-Daçiq, kërkesat që të mos bëhen pengesa të ndërsjella kanë të bëjnë vetëm me pjesëmarrjen në nismat rajonale dhe “rrugën evropiane” e jo me anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare si shtet sovran. Ka pasur ide që kjo të jetë pjesë e Marrëveshjes, por Serbia nuk e pranoi, prandaj obligimi nga Marrëveshja ka të bëjë vetëm me “nismat rajonale” dhe “rrugën përkatëse evropiane”. Sa u përket “nismave rajonale”, Kosova është pjesë e CEFTA-s dhe e “Këshillit për Bashkëpunim Rajonal”, sepse kjo i konvenon edhe Serbisë. Sa i përket “rrugës përkatëse evropiane” kjo fjali nuk ka asnjë peshë, sepse është e paqartë, nuk e definon këtë “rrugë përkatëse” dhe as Kosova e as Serbia nuk janë anëtare të BE-së, prandaj edhe nuk mund ta pengojnë njëra-tjetrën edhe po të duan në këtë rrugëtim, nëse me këtë mendohet në procesin e anëtarësimit në BE.

Kjo situatë ka bërë që presidenti i Serbisë, Aleksnadar Vuçiq, kur u pyet në Bruksel se “a është në frymën e dialogut dhe normalizimit të raporteve pengimi i Kosovës” u përgjigj me shumë ironi dhe cinizëm, por formalisht me të drejtë: “Lëreni ju frymën! Më tregoni ku shkruan se Serbia nuk mund të pengojë njohjen e Kosovës”. Edhe pas kësaj deklarate BE-ja heshti e në disa raste i dha të drejtë Serbisë në këtë interpretim.

E më pas erdhi taksa, së pari 10 e pastaj 100 për qind për importet nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina. Kosova përnjëherë, pas shumë vitesh, u kujtua se është e fyer, e befasuar dhe e frustruar nga lobimi që po bën Serbia kundër saj. Sikur nuk e kishin ditur në Prishtinë se çfarë po bën Serbia deri atëherë. Dhe BE-ja pa hamendje kërkon nga Kosova të tërheqë këtë vendim. Madje BE-ja menjëherë e quajti këtë si “shkelje të CEFTA-s” (BE-ja nuk është pjesë e CEFTA-s fare dhe nuk ka formalisht kompetenca në këtë organizatë të tregtisë së lirë) dhe, që duhet lexuar me kujdes “në kundërshtim me frymën e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”. Pra, BE-ja në rastin e taksës së Kosovës ndaj mallrave të Serbisë u kujtua se, pa marrë parasysh detyrimet formale, ekziston dhe diçka që quhet “frymë” e marrëveshjeve dhe proceseve. Dhe nuk ka dyshim se sjellja e Serbisë është në kundërshtim të plotë me frymën e normalizimit të raporteve dhe me procesin e dialogut në Bruksel, edhe pse mund të jetë e vërtetë se Serbia nuk ka marrë obligim formal për të mos lobuar kundër njohjes së Kosovës.

Ndoshta edhe është legjitime për Serbinë që të lobojë kundër njohjeve të Pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare. Por është dredhi dhe keqpërdorim që për këtë qëllim ta shfrytëzojë dialogun që është zhvilluar në Bruksel. Është gabim i BE-së që ka lejuar dhe disfatë e Kosovës që ka pranuar që dialogu të paraqitet si vazhdimësi e procesit të negociatave për statusin apo, siç thotë Serbia “për çështjen e Kosovës”.

Është e kotë që tash partitë politike në Kosovë të grinden në fushatën zgjedhore rreth qasjes në dialog. Nga dialogu nuk mund të dalë Kosova, ndërsa obligimet që ka marrë duhet t’i përmbushë, por pa i shkelur ligjet dhe Kushtetutën. Do të ishte mirë, e mbase edhe e domosdoshme, që të ndërtohet një konsensus ndërpartiak në të ardhmen, apo pas zgjedhjeve, rreth qasjes në dialog në mënyrë që të mos pret Kosova që përmes dialogut ta forcojë shtetësinë e saj e ndërkohë Serbia të jetë e suksesshme në drejtimin e kundërt, në vënien në dyshim të shtetësisë së Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj