AAK, LDK, LVV dhe PDK të garojnë pa koalicione

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 27 July 2019 10:11

Nëse do të ndodhin sërish koalicione të minutave të fundit, të cilat pastaj – siç u pa – shemben, varësisht sa joshëse do të jenë ofertat, do t’i bie tradhti e trefishtë e aktivistëve që nuk hynë në lista për shkak të vendeve që duhej lëshuar kandidatëve të partive të tjera, votuesve të partive respektive, e në fund – më e dhimbshmja - gjithë popullit. I bie: qytetari dikë e favorizon, dikë tjetër e voton, dhe në fund krejt dikush tjetër udhëheq

SA HERË QË shpallen zgjedhjet, mendohet në qeveri të re, vizion të ri, qasje të re. Përveçse në Kosovë. Ka kohë që në Kosovë është bërë praktikë që sa herë që flasim për zgjedhje të reja, mbi të gjitha, mendja të shkon te një bllokadë e re politike.

Kështu ndodhi me zgjedhjet e parafundit parlamentare, kur u formua koalicioni paszgjedhor LAN e më vonë edhe VLAN, vetëm për t’u prishur pas gjashtë muajsh, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Pastaj, në zgjedhjet e fundit, duke dashur të marrin mësim nga përvoja e bllokadës paraprake, partitë ngarendën që në ditën e fundit të afatit për dorëzim të listave zgjedhore të bënin koalicione parazgjedhore, për të na dërguar edhe në një situatë të bllokadës politike.

Tash, kur pritet që vendi të shkojë edhe në një palë zgjedhje të parakohshme, pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj, kanë filluar edhe kalkulimet: kush me kë?

Mirëpo, a duhet vërtet të ketë koalicione parazgjedhore?

NËSE PYETET qytetari, që do të thotë votuesi, nuk do të duhej të kishte koalicione parazgjedhore. Partitë politike gjatë gjithë kohës sa janë në Kuvend përpiqen ta kenë subjektivitetin e vet të veçantë, të promovojnë ide, të shtyjnë iniciativa, të kenë pikëpamje dhe të ofrojnë individë, të cilat dallojnë nga simotrat e tyre rivale.

Bile, në Kosovë, siç u pa edhe me qeverisjen e koalicionit PANA, edhe vetë subjektet politike që qeverisin bashkë synojnë të dallohen në secilin aspekt nga njëra-tjera, në radhë të parë duke e menduar votuesin të cilin do ta joshin në zgjedhjet që do të pasojnë.

Kështu që, s’ka pse futet në lajthitje një qytetar votues “i përpunuar” dhe të vihet para aktit të kryer vetëm disa ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, kur për vite është orientuar dhe ushqyer me qasjen e një subjekti të caktuar politik.

Aq më tepër, koalicionet parazgjedhore po i vënë në lajthitje edhe vetë kandidatët për deputetë, siç ndodhi edhe në fushatën e kaluar zgjedhore. Atëbotë partitë e PAN-it kishin dështuar keqas edhe me debatet televizive, për shkak se ngulnin këmbë që në secilin prej tyre të ishin nga tre përfaqësues, gjë që nuk pranohej nga LDK-ja dhe Vetëvendosje!

Në anën tjetër, listat zgjedhore - në të cilat në çastet e fundit nga 110 kandidatë të një partie, u desh të bëhej vend për vetëm nga 30-40 kandidatë - bënë që edhe të demotivohej baza votuese e partive të caktuara. Në mendjen e aktivistëve që mbetën jashtë listës së partisë së tyre, për shkak se në çastet e fundit ishte bërë një koalicion parazgjedhor, siç ishte PAN-i, bëhej kalkulimi: Pse të mobilizohem unë për vota të partisë, kur mua më lanë jashtë listës për t’iu bërë vend kandidatëve nga partitë me të cilat deri më sot na kanë thënë se i kemi kundërshtare të zjarrta?! Ose pse unë t’i mbledh vota një kandidati për kryeministër, i cili deri më sot nuk ka lënë gjë të zezë pa thënë për liderin e partisë sime.

Njësoj nuk është fer edhe ndaj partive të tjera, të cilat marrin pjesë të vetme në zgjedhje, siç ishte rasti me Vetëvendosjen! Në ato zgjedhje Vetëvendosje! doli subjekti më i votuar, kurse kandidati i tyre për kryeministër, Kurti, individi më i votuar, por sërish më shumë vota kishte mbledhur koalicioni i PAN-it, i cili zyrtarisht në vete kishte më se 10 parti.

AKTUALISHT KA katër parti të cilat pretendojnë se do të dalin të parat në zgjedhjet e ardhshme.

PDK, LDK, LVV dhe AAK, që të gjitha kohëve të fundit pretendojnë se do të dalin të parat në zgjedhje, bazuar në sondazhe të kryera “për nevoja të brendshme”. Nisur nga ky fakt, do të ishte më së miri në përgjithësi për demokracinë në Kosovë, që së paku këto katër parti të garonin në zgjedhje pa bërë koalicione me parti të tjera.

Le të maten liderët e tyre, eventualisht kandidatët për kryeministra, si dhe kandidatët për ulëse të Kuvendit, 110 me 110 kokë më kokë.

Ndonëse nuk pritet që ndonjëra prej tyre të marrë më shumë se 50 për qind të votave, sidoqoftë do të dihej se për cilin opsion politik kanë votuar më së shumti qytetarë të Kosovës. Nisur nga kjo e dhënë mund të fillohej pastaj edhe për ndërtimin e koalicioneve, duke pasur parasysh afërsinë programore dhe qasjen e secilës parti ndaj problemeve të qytetarëve.

Ndryshe, nëse do të ndodhin sërish koalicione të minutave të fundit, të cilat pastaj – siç u pa – shemben varësisht sa joshëse do të jenë ofertat, do t’i bie tradhti e trefishtë e aktivistëve që nuk hynë në lista, për shkak të vendeve që duhej lëshuar kandidatëve të partive të tjera, votuesve të partive respektive e në fund – më e dhimbshmja - gjithë popullit.

I bie: qytetari dikë e favorizon, dikë tjetër e voton, dhe në fund krejt dikush tjetër udhëheq.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi