Liberalizojini vizat për fëmijët

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 20 July 2019 09:57

Evropa po e diskriminon Kosovën duke mos na liberalizuar vizat, vendimmarrësit tanë po i diskriminojnë qytetarët e vet, duke mos iu mundësuar liri të lëvizjes mijëra fëmijëve me aftësi të kufizuara

RRETH 2 MILIONË kosovarë janë mbyllur dhe jetojnë si në ghetto për shkak se vendet e Bashkimit Evropian ende nuk kanë vendosur që të liberalizojnë vizat për qytetarët e Kosovës. Kosova i ka përmbushur 95 kriteret e parashtruara nga Komisioni Evropian, më shumë se secili shtet në rajon, dhe kjo nuk ka mjaftuar që t’iu mbushet mendja disa qeverive në Evropë që t’i lejojnë kosovarët në Schengenin e Bardhë.

Kosova është i vetmi shtet në Evropë, i cili sot nuk mund të lëvizë lirshëm në shtetet e Schengenit.

Kosova është vendi më i diskriminuar në Evropë sot, padrejtësisht.

Të gjitha këto janë fakte. I ka dëgjuar deri më tash secili qytetar i Kosovës të vijnë nga politikanët dhe nga të gjithë njerëzit e tjerë publikë.

Pastaj, ka edhe polemika ndërmjet të politikanëve se a është vetëm diskriminim nga shtetet e BE-së, apo ka të meta edhe në shtetin tonë, për shkak të korrupsionit e keqqeverisjes. Ka edhe këtu mjaft të vërteta.

Mirëpo, që të gjithë pajtohemi në një pikë – Kosova nuk është më së keqi në Evropë sa u përket kritereve që kërkohen nga Brukseli dhe se sot ka shtete që gëzojnë prej shumë vjetësh liberalizimin e vizave, por që çalojnë në shumë fusha.

Tash, kanë çuar duart vendimmarrësit kosovarë, Prishtina s’ka çka të bëjë më tepër që kosovarët të lëvizin lirshëm dhe se varet nga shtete të caktuara në Evropë.

Edhe për këtë, thjesht, mund të pajtohemi. Tashmë është diskriminim.

PËR ÇKA S’KA se si të pajtohemi, madje duhet të vëmë alarmin dhe të turpërohemi, është se sa politikanët bëjnë për të mundësuar lëvizjen e lirë brenda vetë Kosovës. Llogaritet se mbi 70 për qind të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë sot nuk shkojnë në shkollë. Kjo shifër është tmerrësisht e lartë dhe, për të qenë situata edhe më e rëndë, nuk merr thuaja vëmendjen serioze të askujt.

Janë me mijëra e mijëra fëmijë në vendin tonë që sot ngujohen brenda shtëpisë, për shkak se nuk kanë ndihmën e duhur, nuk kanë mjete financiare, nuk kanë objekte dhe programe të përshtatshme, si dhe nuk iu ofrohet infrastrukturë e nevojshme për të qarkulluar të lirë.

Ka shumë familje të cilat janë dorëzuar përpara vështirësive dhe janë detyruar që fëmijët e tyre me aftësi të kufizuara t’i mbajnë brenda mureve të katër shtëpive.

Çka kanë bërë institucionet deri më tash për këto kategori? Pak shumë pak. Kurse mund të bëhej shumëfish më tepër me fare pak mund.

Më e rëndësishmja që mund të bënin, si në nivel qendror ashtu edhe në komuna, është të ndërgjegjësohen se ekziston një kategori shumë e brishtë shoqërore, për të cilën duhet angazhuar më tepër secili në shoqëri. Dhe se, thjesht, për dallim nga liberalizimi i vizave për kosovarët që varet nga shtetet e tjera, këtë liberalizimin e brendshëm e kanë vetë vendimmarrësit kosovarë në dorë.

Ka ligje të mira të cilat janë miratuar në Kuvend për t’u dalë zot fëmijëve me aftësi të kufizuara, por situata në terren tregon se pak është bërë në praktikë.

Ka shtatë qendra referimi në Kosovë, të cilat merren me fëmijët me aftësi të kufizuara, por në të njëjtën kohë këto qendra bëjnë që këta fëmijë të jenë të izoluar nga bashkëmoshatarët e tyre dhe shoqëria në përgjithësi.

Gjithashtu, ligjërisht shkollat obligohen që të kenë mësues asistentë për fëmijët me aftësi të kufizuara, diçka që ka hasur në fare pak zbatim, me arsyetime për mungesë fondesh.

Ndërkohë, ka shumë mësues të cilët hezitojnë t’i pranojnë nëpër klasat e tyre fëmijët e kësaj kategorie, teksa ka çerdhe të cilat i mbajnë krejtësisht të mbyllura dyert e tyre për këta fëmijë.

Në anën tjetër, komunat e Kosovës, me shumë pak përjashtime, nuk ofrojnë fare infrastrukturë rrugore të përshtatshme për të lëvizur me karroca, e të mos flasim për ndërtesat e shumta, në të cilat as në derë të hyrjes s’mund të hyhet me karrocë.

ÇËSHTJA ËSHTË se në përgjithësi në Kosovë ende mbizotëron bindja se zgjidhjet duhet të vijnë nga jashtë. Kështu harrohet se në secilën familje kemi, ose mund të kemi fëmijë me aftësi të kufizuara.

Ne mund t’i ndihmojmë ata. Ne duhet t’i ndihmojë ata. Duke e bërë secili punën që i takon. E më së tepërmi, politikanët duke e bërë punën e vet.

Teksa vazhdojnë të ankohen për diskriminimin që po na bën Evropa me mosliberalizimin e vizave, e kanë vetë në dorë të bëjnë liberalizimin e vizave për fëmijët e Kosovës me aftësi të kufizuara.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi