Tramvaji, përpjeta dhe diploma universitare

Veton Surroi Veton Surroi 19 July 2019 08:06

Universitetet publike dhe private që mbeten pa akreditim janë si skemat piramidale

1.

Kur u regjistruan shokët e mi në Universitet, në fund të viteve shtatëdhjetë, për njërin prej fakulteteve, atë të Arteve, thuhej një barsoletë që përmbante diçka të vërtetë në të, se aty nuk e merr diplomën vetëm nëse të shkelë tramvaji. Në mungesë tramvaji në Prishtinë, kushtet për ta marrë diplomën ishin optimale.

Pas dyzet vjetësh, për njërin prej universiteteve private (së voni degraduar në kolegj, ndonëse ende mban titullin mbretëror dhe Iliria) thuhej një barsoletë që mund të ketë pasur ndonjë dozë minimale të pavërtete, se vështirësia më e madhe për ta marrë diplomën është përpjeta e madhe e rrugës “Gazmend Zajmi” (ish-Dubrovniku), pra pengesa për të mbërritur fizikisht në të.

Gjysmëbarsoleta për Fakultetin e Arteve ishte e krijuar prej studentëve (e ndoshta edhe profesorëve) të fakulteteve të tjera, aty ku kishte më shumë studentë dhe një numër impresiv asi që mbeteshin për riprovime në shtator e një numër jo i vogël që edhe e përsëriste vitin.

Anekdota për vështirësinë e përpjetës së rrugës “Dubrovniku” është larg barsoletës, gjysmëbarsoletës apo çerekbarsoletës. Për fat të keq është përshkrim, ilustrim ndoshta jo vetëm i këtij institucioni, por i tërë sistemit të arsimit universitar në përgjithësi. Vështirësia më e madhe për ta marrë diplomën universitare në Kosovë nuk ka të bëjë me sfidat e të mësuarit. Ka të bëjë me sigurimin e parave (për institucionet private), ka të bëjë me përkatësinë klanore-partiake (në institucionet publike) dhe varësisht prej vendndodhjes, ka të bëjë me ndonjë përpjetë a udhëtim më të gjatë autobusi.

2.

Përse kjo rënie dramatike? Madje përse në vendin e vetëm evropian ku lindja e Universitetit para gjysmëshekulli ka qenë momenti i pjekurisë në rrugën e shtetndërtimit?

Ndoshta për faktin themelor se Universiteti pas çlirimit nuk u pa më si shtyllë e shtetndërtimit. Për kapësit e shtetit u pa si restorant dhe kafene, banesë e garazh – hapësirë që do zaptuar. Universiteti (dhe së shpejti universitetet e tjera publike) u panë të kishin edhe vlerë të mëtejme të shtuar: në të do të punësonin militantët si profesorë, do të regjistronin militantët si studentë dhe do të prodhonin militantët me diploma, sikur në shiritat e automatizuar industrialë.

Në sektorin privat, universitetet u panë po me kundrimin e njëjtë: kapacitetin industrial për të prodhuar diploma për të cilat do paguar kuota vjetore.

Pra, në një rrëfim të shkurtër universitetet janë biznes. Inputi janë të rinj të dalë nga një sistem shkollor, nga i cili shumica nuk i kuptojnë tekstet që i lexojnë dhe outputi janë diplomat e pavlerë, votuesit, titujt magjistrature e doktorature, shëmbëllimi i “intelektualëve”.

3.

Ky sistem në ekonomi quhet “balonë”, apo skemë piramidale. Është një rrëfim i rrejshëm, i cili jeton dhe zgjerohet në saje të krijimit të besimtarëve të rinj. Ajo që filloi pas lufte me Universitetin e Prishtinës, u vazhdua me universitetet private dhe më vonë me ato publike. Pra, me gjithë analizën se në mungesë të tramvajit në Prishtinë, Gjilan, Mitrovicë, Pejë, Prizren, Gjakovë, Ferizaj e kështu me radhë, çdo student i regjistruar do ta marrë një diplomë universitare me të cilën nuk është i gatshëm për tregun e punës, numri i studentëve dhe i universiteteve vetëm sa është rritur. Çdo universitet i ri dhe çdo student i regjistruar vetëm sa shtojnë besimin se sistemi është i mirë. Diçka si komshinjtë që shikonin njëri-tjetrin në Shqipëri dhe fusnin paratë në skema piramidale me arsyetimin e mendjes së shëndoshë: nëse këtë e bën filani e unë jo, do të mbetem pa profit.

Si në skemë piramidale, është i hollë numri i përfituesve nga balona universitare. Janë ata që bëjnë pjesë në klanin regjional-politik në pushtet. Diploma, cilado diplomë e cilitdo universitet a kolegj, do ta kryejë funksionin e vet dhe të fusë në punë “shteti”, në punë publike. Diku në administratë të shtetit, komunës, ndërmarrjeve publike, kudo që procedura kryhet me një telefonatë dhe përkatësi partiake. Të tjerët, jopërfituesit, janë ata që presin të jenë vala e re e emigrantëve, me e pa viza.

4.

“Balonat” ekonomike zakonisht ndeshen me një moment kthese. Këtë e bën tregu, duke shkaktuar shpërthimin e balonës: atëherë kur thjesht nuk ka më besimtarë në rrëfimin e rrejshëm dhe kur kërkohet profiti i premtuar. Apo e bën Rregullatori, një institucion si Banka Qendrore, e cila në një moment i thotë një banke që po vepron në formë të papërgjegjshme, po jep kredi pa mbulesë.

“Balona universitare” e Kosovës nuk ka shpërthyer nga tregu: ende lindin besimtarët e ardhshëm, që në mungesë të tramvajit dhe duke pasur kondicion për t’u ngjitur rrugës së “Dubrovnikut” do të paguajnë (me vota, para apo ardhmëri të çuar kot) diplomën e tyre. Fundja, makina ekonomike që e financon këtë gjendet jashtë, te diaspora. Sa më pak perspektivë me diploma të kota në Kosovë aq më shumë diasporë, rrjedhimisht edhe më shumë para për të paguar diplomat “mbretërore”.

Këtu hyn në punë Rregullatori, në këtë rast Këshilli Shtetëror i Cilësisë. Gjatë kësaj jave kjo agjenci e pavarur vendosi që disa prej universiteteve publike dhe disa private të mos kenë akreditimin për vitin e ardhshëm shkollor. Në gjuhën e “balonave” ekonomike atyre iu tha se nuk kanë mbështetje për letër-kreditë (fjala vjen prej credo-besimit), sepse fundja diplomat janë letër-besimi se bartësi i tyre ka njohuri të mjaftueshme për t’u quajtur i diplomuar.

Ndaj vendimit të Rregullatorit u çua Qeveria. Kryeministri i vendit i priu korit qeveritar, si në brutalitet ashtu edhe në mohim të pavarësisë së agjencisë për të kryer punën e vet. Në analogjinë ekonomike, do të ishte si t’ia tërhiqte vërejtjen Bankës Qendrore që të mos i prekte skemat piramidale, të cilat do t’u premtonin qytetarëve, e nëse i fusnin10 mijë euro pas gjashtë muajsh do t’u ktheheshin njëqind mijë euro. Vetëm se kryeministri bën dëm shumëfish më të madh se kaq: humbja e parave është pakrahasimisht më e lehtë sesa humbja e arsimit të një gjenerate të tërë.

5.

Sharra tash ka hasur në gozhdë. Këshilli Shtetëror i Cilësisë (i ndërtuar pasi kryeministri shkarkoi arbitrarisht të kaluarin), një grup njerëzish me integritet dhe devotshmëri ndaj detyrës së dhënë, si dhe ndaj idesë së arsimit, konsiderojnë se nuk mund të vazhdohet me “piramidat” universitare.

Qeveria e Kosovës ka mundësi që për çështjen e “sistemit piramidal” universitar (të cilin ç’është e vërteta nuk e ka krijuar gjatë mandatit të vet), të marrë një vendim që do ta vendosë në anën e drejtë të historisë: të heshtë. Çdo fjalë e kryeministrit të vendit dhe të ministrave të tij, çdo sulm kundër Rregullatorit dhe pavarësisë së tij, dhe çdo insistim që “balonat universitare” të vazhdojnë do të godasin integritetin e vendit me seriozitetin me të cilin këtë e bëjnë shtetet që punojnë kundër së tashmes dhe ardhmërisë së Kosovës. Do të vendoset kështu në anën e gabuar të historisë.

Arsimi në përgjithësi dhe Universiteti në veçanti duhet të kthehen lart në piedestalin e vlerave të kësaj shoqërie, aty ku kishin qenë gjithnjë, si shtetndërtues. Jo si pre e kapësve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi