Harmonika e çakorduar

Flaka Surroi Flaka Surroi 16 July 2019 08:09

Fakti se secila parti që e bën koalicionin aktual e ka agjendën e vet, po dëshmon se është duke u përgatitur për zgjedhjet që tashmë edhe të huajt po i paralajmërojnë. Për më tepër, jo pak të huaj edhe flasin për lëvizje pak më të vendosura të Speciales, të cilën ka kohë e kishin lënë mënjanë. Ajo që po shihet është se duket të kenë ardhur muajt e fundit ku partitë e ndryshme do të mundohen të sigurojnë sa më shumë të hyra, sepse duhet siguruar shumë votues për t'ia vazhduar vetes pushtetin.

Lajmi i cili pa dyshim më la mbresa vinte nga Ballkani, konkretisht nga Greqia: në zgjedhjet parlamentare me 10 milionë votues, prej të cilëve rreth 60% kishin votuar, rezultatet u bënë të ditura po atë natë -- pra katër-pesë orë pas mbylljes së vendvotimeve. Kryeministri, i cili në formën më parlamentare dhe demokratike e kishte udhëhequr nxjerrjen e Greqisë nga kriza e thellë ekonomike, i humbi ato në po aq mënyrë demokratike. Po atë natë Tsipras e pranoi humbjen, kurse të nesërmen u konstituua qeveria e re me kryeministër të ri. Pikë.

E krahasoja me cirkun e zgjedhjeve që ndodh te ne tradicionalisht - një Kosovë e vogël, siç kanë qejf ta quajnë politikanët tanë kur flasin për lidhjet familjare me ata që i punësojnë nëpër institucione, nuk ia del t'i numërojë as 300-400 mijë vota për tri javë, e as të konstituojë qeveri për nja dy muaj. E kur merr e i krahason, flasim për shtete ballkanase, me mentalitet, me javashllëk dhe me papërgjegjësi për shpenzimet publike përafërsisht të njëjtë.

Dua të besoj se do të vijë dita kur edhe ne do ta përjetojmë një bartje të lehtë të pushtetit. Edhe pse po e di se me gjasë do të duhet të kalojë ende kohë që kjo të ndodhë.

Krejt me nga një dajre në dorë

Pra, Greqia e emëroi kabinetin e vet qeveritar me një zëvendëskryeministër, 17 ministra dhe zëvendësministra përkatës, duke i mbledhur gjithsej 51 zyrtarë politikë. Krahasuar me ne, shteti që mban vendin e 51-të në botë për nga GDP-ja (Kosova është e 145-a), angazhon trefish më pak politikanë për ta udhëhequr ekzekutivin. Ndërkohë, ne ende nuk e dimë sa zëvendësministra marrin rroga, për kot, nga tatimet tona.

Harmonika e quajtur qeveri, me 20 ministri, ku secili i bie dajres ashtu siç ia merr mendja, nuk ka qenë kurrë më e çakorduar seç është dëshmuar në javët që shkoi.

Tashmë u raportua javën e kaluar se MPJ-ja kishte marrë vendim për t'ua ndaluar hyrjen politikanëve serbë, vendim të cilin e kontestoi vetë kryeministri. Më pas u raportua edhe për një takim "sekret" në Berlin ndërmjet ambasadorit në Emirate (sic!), Avni Arifi, me Marko Gjuriqin, i cili shkaktoi pezmin e Limajt, bashkëkryesuesit të mbetur të delegacionit me mandat kundërkushtetues, që i ka ftohur raportet mes AAK-së dhe NSD-së. Më pas u raportua për nismën e dytë, me gjasë njësoj të dështuar, të Kadri Veselit, tash për komisionin hetimor parlamentar për veteranët, që kundërshtohet madje edhe nga partnerja e koalicionit, AAK.

Por këto me gjasë janë gjëra të vogla krahasuar me atë që ndodh në dikasteret e tjera. Më skandalozja ndodh në Ministrinë e Drejtësisë me provimin e noterëve të rinj. Fillimisht, pasi që mediumet tona i shpalosën emrat e kushërinjve dhe të afërmve të jo pak politikanëve dhe personave të tjerë me ndikim, shoqëria civile dhe opozita kërkuan që procedura të anulohej. Për më tepër, komisioni përkatës në Kuvend e ftoi ministrin që t'i raportonte, kurse ky refuzoi, duke thënë se kjo është ndërhyrje politike në proces.

Sikur të mos mjaftonte, ministri tha se opozita po tentonte ta mbante monopolin e noterëve në Kosovë, thuajse bëhet fjalë për një njeri që i kontrollon krejt noterët e Kosovës, dhe shtoi se ky proces deri tash nuk do të thotë se këta që e kalojnë provimin edhe do të licencohen për të punuar si të tillë.

Dhe fakt është se ky proces nuk i ka licencuar, porse ky arsyetim bajat i ministrit është edhe një në vargun e ofendimeve që ua bën truve tanë ende në gjendje për të menduar. Nuk vyejnë shumë mend për të ditur se nuk mund të licencohen ata që nuk e kalojnë provimin edhe me gojë, edhe me shkrim. Pra, mund të licencohen vetëm bashkëshortet, djemtë e xhaxhallarëve, shoqet e ngushta, asistentet, fëmijët e noterëve e të ngjashëm, që në mënyrë krejt jotransparente e kanë kaluar procesin e testimit, i cili për shkak të konotacionit të theksuar nepotik është dashur të anulohej, pa e zhvilluar pjesën e dytë të testit.

Se sa është i rëndësishëm ky profesion, më së miri e shpjegon miku im Agron Demi në një postim në FB: "Noterët janë të parët dhe të vetmit që, sipas një raporti të SIGMA-s, kanë qasje në të gjitha bazat e shënimeve të shtetit. Ata mund të nxjerrin çfarëdo informacioni për secilin qytetar të Kosovës. Duke e mbushur noterinë me militantë partish, e gra politikanësh, edhe po të dilnin nga pushteti, partitë do të kenë qasje në informacionet personale të të gjithë neve".

Ja pse ky konkurs duhet anuluar. Dhe ja pse këta që i kanë kaluar provimet siç i kanë kaluar nuk do të duhej të licencoheshin, para se provimi të përsëritej nën mbikëqyrjen profesionale të të huajve. Se tanëve s'ke si iu zë besë.

Dhurata për shefin

Mbase hiç më pak skandaloze nuk qenë veprimet e ministres së Integrimeve Evropiane. Javën e fundit, pas një heshtjeje të gjatë, u duk - fillimisht për të raportuar para Komisionit parlamentar për punë të jashtme për të folur për temën tonë evergreen: liberalizimin e vizave.

Natyrisht, siç nuk do të pritej ndryshe, Hoxha fajin për mosliberalizim ua hodhi Francës dhe Gjermanisë se nuk po arrijnë konsensus për ta qitur çështjen në votim. Ndërkohë janë edhe shtete të tjera që dyshojnë nëse i kemi plotësuar kushtet (Holanda e Belgjika) dhe insistojnë që kriteret të rishikohen nëse janë plotësuar - ngase fakti qëndron se asnjë zyrtar i lartë politik nuk ka qenë i përfshirë në "rastet e shënjestruara" që supozohet se duhen dëshmuar luftimin e korrupsionit.

Fakti se Hoxha vazhdon ta shikojë çështjen e liberalizimit si punë teknike (u plotësuan kriteret në letër) e jo përmbajtjesore (njëmend po luftohet korrupsioni) tregon se kjo qeveri dhe këta zyrtarë nuk e kanë seriozisht. E se nuk e ka seriozisht as sistemi i drejtësisë e dëshmon krahasimi i këtyre dy momenteve: të arrestuarit për dallavere me patentë shoferë që të gjithë u çuan në arrest shtëpiak. Ndërkohë për dy qytetarë, që dyshohet se i kanë vjedhur 15 pula dhe 2 gjela, prokuroria kërkon paraburgimin, ngase "çfarëdo masë tjetër do ta rrezikonte gjykimin". Pikë.

E meqë as në Agjendën për Reforma Evropiane nuk është se e ka arritur ndonjë sukses të jashtëzakonshëm, ministrja Hoxha zgjodhi të merret me gjetjen e një firme konsulente amerikane "për nevoja të lobimit", për të cilën thuhet se do ta ketë Kadri Veselin për person kontakti. Pra, firmë lobuese amerikane, për kinse çështje evropiane, ku personi i kontaktit është shefi i saj partiak dhe teknikisht shefi i trupit mbikëqyrës i ekzekutivit. Pra, i shtyllës tjetër të pushtetit, që ka buxhet të vetin për këto punë. Por, me gjasë, gjithë ato shpenzime luksi e kanë shterur buxhetin e Kuvendit, dhe është gjetur mënyra më e lehtë për t'u kamufluar: me nevoja të lobimit. Porse nuk e dimë të lobimit për kë, apo për çka.

E fundit, dhe jo më pak e rëndësishme, qe letra, të cilën e mohoi ta ketë nisur (e të cilën gazeta megjithatë e gjeti për ta publikuar), drejt në Bruksel për të kërkuar që mjetet e dedikuara për ndërtimin e sallës së koncerteve në Prishtinë të ridestinohen për dekomisionimin e "Kosovës A". Paratë e sallës shkuan në TC-në më të moçme që kemi, sepse po del në fund se e gjithë kjo punë është shumë më e thellë sesa një debat i kotë për lokacionin ideal për ta ndërtuar sallën. Thuajse salla u bë objekt gare se kush kujt do t'ia luajë lojën, duke mos e marrë fare parasysh interesin e përgjithshëm kulturor. Po qe se kjo sallë vërtet kushton 15 milionë, moti kemi mundur ta ndërtonim vetëm prej parave kot që i kemi paguar për "lobim", nga i cili kanë përfituar vetëm ata që i kanë porositur këto shërbime.

Shuplaka e fusnotës

Porse përshkrimi i kaosit buxhetor që e ka kapluar këtë vend nuk do të kompletohej po të mos ishte edhe kryetari i shtetit, i cili tashmë është i njohur për nga fakti se më së shumti ka përfituar nga firmat konsulente të angazhuara për lobim dhe për reklamë - ngase ato kryesisht kanë punuar për interesat e tij.

Sidoqoftë, nga fillimi i javës së shkuar deklaroi se refuzonte të shkonte në Sarajevë, në një takim rajonal, ngase kishte marrë ftesë "denigruese" nga Dodiku. Kurse shefi i shtetit që nuk na e ka njohur pavarësinë, në fakt vetëm e ka zbatuar një mundësi për të cilën vetë Thaçi bëri aq shumë trysni para shtatë vjetësh: që të pranonim të quheshim Kosovo* (pa paragjykim për pozicionin e palëve për statusin, në përputhje me 1244 dhe Opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës).

Në kohën kur e kundërshtonim këtë vendim të tij, të zbatuar nga Edita Tahiri, së cilës ende nuk i është shfaqur ngrohja globale për ta shkrirë "fjollën", na quante antiamerikanë. Tash ftesën me emrin që vetë e pranoi e quan denigruese. Kaq për parimësi.

Por tashmë e dimë se kryetarin e shtetit e kemi njeri me njëqind fytyra dhe me deklarata që i ndryshon ashtu siç i konvenon. Për më tepër, e njohim edhe si njeri që e do fuqinë absolute dhe që merr vendime politike sërish ashtu siç u konvenon atij dhe dostave të vet. E kështu ishte rasti edhe me mosdekretimin e anëtarëve të KQZ-së pas zgjedhjeve të shkuara parlamentare.

Njerëzve që u kishte skaduar mandati moti, dhe të tjerëve që duheshin zënë vend në këtë trup sipas çelësit të përcaktuar qëmoti, nuk ua dorëzonte vendimet për të përligjur se kush kishte të drejtë të mbante kolltuk aty. Për pasojë, KQZ-ja rrafsh nëntë muaj u ka paguar paga dhe beneficione të tjera njerëzve të cilëve u kishte skaduar mandati, në vlerë prej rreth 115 mijë eurove (nja dhjetë shtylla të sallës koncertale ishin bërë me to). Natyrisht, këtu faji është edhe i KQZ-së, e cila edhe pse ishte lënë në ajër, është dashur të dinte se pa kontrata nuk ka bazë për pagesë. E mira e së mirës do të ishte po qe se këta njerëz do të detyroheshin t'i kthenin paratë dhe t'i kompensonin së paku karburantet e harxhuara sa herë i kanë marrë veturat zyrtare për t'u shëtitur.

* * *

Rrëfime si këto janë mbase një milion. Edhe po t'i kishim një milion gazetarë me gjasë nuk do t'i zbulonim të gjitha. Për shkak se kemi dëshmuar se jemi njerëzit që më së paku e duam vendin tonë dhe se krejt çka na intereson është se si të mashtrojmë dhe si të pasurohemi në krah të tjerëve.

Fakti se secila parti që e bën koalicionin aktual e ka agjendën e vet, po dëshmon se është duke u përgatitur për zgjedhjet që tashmë edhe të huajt po i paralajmërojnë. Për më tepër, jo pak të huaj edhe flasin për lëvizje pak më të vendosura të Speciales, të cilën ka kohë e kishin lënë mënjanë. Ajo që po shihet është se duket të kenë ardhur muajt e fundit ku partitë e ndryshme do të mundohen të sigurojnë sa më shumë të hyra, sepse duhet siguruar shumë votues për t'ia vazhduar vetes pushtetin.

E duket se ka kohë edhe pak që kjo të ndodhë. Tash është kohë e pushimeve. Tamam për të bërë plane për vjeshtën.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi