Fake News

Drenusha Zajmi-Hoxha Drenusha Zajmi-Hoxha 07 July 2019 23:57

Dalëngadalë po mbyllen disa kapituj kosovarë, gjatë të cilëve na u bë zemra grusht, shpirti ngushtë e mendja doli krejtësisht jashtë funksionit, edhe ashtu minimal.

Ishim aktorë të skenave plot krim e horror, gjuajtje te shtrigave në formë arushe, patëm mundësi për të shikuar masovikisht pornografi në pikë të ditës e të Ramazanit ( Haj’r e bëftë Zoti!) , u bëmë dëgjues të bisedave të fshehta nëntokësore e shikues të dokumentarëve plot fajde e para të pista, dhe, pas një sulmi në Mitrovicë, ku askush nuk e di çfarë ndodhi dhe pse, ia dolëm ta qesim kokën sërish këndej pari, të gëzuar me çmendurinë tonë dhe indiferencën si brend të përbashkët. Veç na munguan kokoshkat dhe syzet 3D për t’u kompletuar në këtë budallaki kolektive, si copa mishi me dy këmbë dhe dy sy, sa për të qenë të verbër me to.

Dhe nuk e di pse u hallakat ky milet për atë fotografi pornografike e e qiti filhall në turrë të druve gruan që e valëviti si dokument të kahershëm. Po mendoj, ky popull edhe ashtu kurrsesi nuk po e kalon fazën e pjekurisë seksuale , duke ofruar sende të nxehta çdo sekondë. Prej mediave e portaleve që na servojnë vithet e kësaj e asaj, teksteve krejt eksplicite, fotot e këngëtareve dhe twerkun live e shlirshëm para kamerës, juve ju turbullohet arsyeja nëse është televizori juaj apo të pasmet e saj sa 40 inch plazma.

Shqiptarët, të cilët nëpër përralla e legjenda na mësuan se janë trima me fletë dhe që respektuan motrën, nënën, femrën,gruan, fëmijën dhe plakun, si duket janë lodhur duke qenë shembull i nderit, besës dhe fjalës së dhënë e moralit gjoja të lartë. Mjafton një postim i padëshirueshëm i filan fistekut dhe pasojnë sharjet që i tejkalojnë kufijtë e imagjinatës patologjike. O t’i bëfsha robtë, nënën, motrën, familjen, gruan, është gati si të thuash a do një copë bukë e djathë. Bile, shqiptari nuk ndalet me kaq, jo. Ai ia “bën” edhe kojshisë fëmijët në djep dhe bile edhe listën e dasmës! Shiko sa kreativ dhe potent që janë! Për lakmi. Definitivisht Viagra po shitet si hallva. Prite ndonjë ditë kur prej ngjyrës së kaltër ta bëjnë edhe atë kuq e zi!

Epoka e bronzit

Si qershia mbi tortë, na erdhën edhe festa e 20-vjetorit të Çlirimit dhe dita e Lidhjes së Prizrenit. Të mësuar me festa për secilën ditë kombëtare, çlirimtare, legjendare, fetare dhe ..are, are, tjera, mësimdhënësit e patën goxha zor të mbajnë mësim, aq më pak ndonjë leksion për Kosovën dhe ditët e saj të vështira në luftë. As ju qiti sivjet kush ndonjë drekë si kacidhe politike. Përkundrazi, këto ditë as nuk u shpallën asnjëherë festa zyrtare, karshi p.sh. Ditës së Evropës, të cilën askush tjetër në Evropë nuk e feston dhe asaj të Një Majit, kur krejt bota proteston , e Kosova kallë goma dhe vallëzon si të kishte popullin më punëtor dhe me shkallën më të lartë të punësimit në botë. E pse jo, na e do qejfi sefallakun, që thonë.

E që po them, na vizituan ca liderë të mëdhenj shtetesh, që na kanë ndihmuar dikur dhe sot, për të festuar bashkë me ne këtë ditë çlirimi.

Për znj. më të respektuar Allbright u zbulua një bust, që dorën në zemër më pëlqeu tepër. Bukuri e rrallë. Zonja ishte pa duar si skulptura e Helenës dhe e rrafshët, diçka si tip androgjen, pa gjini. Tepër moderne. Ajo që më së shumti më preku në zemër ishte fytyra e saj si binjake e Titos, me vetulla të ngrysura dhe të mërrolta, me t’i fut ethet natën. Sikur mendueshëm. Sikur të thoshte: “Eh moj Kosovë, ta kishim ditë sa hajnin, spiunin e budallain e ke rritur...! “Kështu , bashkë me skulpturën e atij djaloshit me dorën e ngritur si “Heil” kah shkon gëzueshëm në shkollën SS, e që ia dedikuan dikur Klintonit, këto të dyja u bënë pjesë e epokës së bronzit, që na ka kapluar si epidemia e bunkerave të Enverit.

E nuk kanë edhe aq faj qeveria e çobanët e saj pse skulpturat na dalin për faqe të zezë. Ku do t’i marrin paratë për art më të shtrenjtë e më kreativ, si për shembull farë fontane në emër të atyre që ranë, ndonjë skulpturë- libër, Allbright që qeshet apo së paku ngjan në njeri, Klinton e Hillary në mesin e fëmijëve, etj. Etj.? Gjithë ato para të vjedhura, gjithë ato rroga të zv ministrave, gjithë ato delegacione koti, ekipe negociatash farsë , gjithë ata këshilltarë badihavxhinj dhe gjithë kjo rrjetë me fajde, ryshfet, tendera e mashtrime, duan buxhet pasha loçkën. Nuk dalin për ca gjëra koti që nderojnë ata që na falën lirinë. Tekefundit, hajde de, e shkuar e harruar, bën vaki ishim liruar edhe vetë, secili për vete duke ia ngulur tjetrit thikën në shpinë. Sporti më i dashur për shqiptarin qysh në histori e deri në ditët e sotme.

Bile po thonë që edhe këto skulptura qenkan paguar shtrenjtë. Shiko, shiko! E çka paguam lirë ne deri sot bashkë me budallallëkun tonë?

Nuset me dron

Tash që erdhi vera e ia nisën edhe pushimet shkollore, gjërat besoj se do të rrjedhin më lehtë, meqë e kemi njëfarë “de zha vy”-je njëzetvjeçare.

Një herë përfundojnë ekskursionet e nxënësve, të cilat nuk nënkuptojnë vizitat e vendeve të caktuara të Kosovës (historike, arkeologjike, gjeografike), por drekën e mësimdhënësve në ndonjë restorant Istogu a Prevalle dhe ladrimi i nxënësve në po atë livadh për tri orë.

Pas këtyre lëshohet varg e vi diaspora, e cila menjëherë përballet me shpenzimet për kartonin e gjelbër, shpenzimet në Kosovë ( dentistët, frizerët e dasmaxhinjtë veç po fërkojnë duart), shpenzimet në detin patriotik ku trajtohen si mendjetrashë dhe bllokadës së rrugëve, që e shkaktojnë me vetura të shtrenjta dhe të shpejta.

Ndërkohë, bën vaki e ia dalim të shkojmë për disa ditë në bregdet dhe të fërgohemi si zhapinj aty, ku pavarësisht lekëve të mirë që japim, shtyhemi për një çadër si maçokët për truall. Lavdërohemi për taksën ndaj Serbisë, rrugës kur paguajmë taksën tonë dhjetë euroshe shqiptare, sa herë shkojmë e vijmë si turistë javorë ose ditorë.

Krisin dasmat, ahengjet, kanagjegjet e banketet , kush e kush më i miri, më i shtrenjti e me nuse nga më të bukurat. E pastaj historia vazhdon, cila nuse i pati zgjatimet më të mira të flokëve, grimin më të shtrenjtë, fustanin me stilist, vetullat tatoo dhe a erdhi me limuzinë, helikopter apo kushedi, sivjet mund t’i shkojë ndërmend dhe ta sjellë nusen me dron!

Dy muaj do të sillemi, pështillemi e zihemi në po këtë kazan njëzetvjeçar, duke kaluar nëpër të gjitha këto fazat verore me gojën plot ankesa, se edhe këtë vit nuk na u bënë vizat!

Ani sa lezetshëm pati festuar ai zotni ministri para disa viteve, duke hapur shampanjë e duke u përqafuar me koleget e kolegët , plot krenari e buzëqeshje i bindur se vizat na u dhanë aty për aty. Bile me kujtohet edhe ajo fjalia famoze kur pastaj para mikrofonit të dikujt tha kështu diçka: Ne si zyrtarë kemi mundur të shkojmë ku të duam, ama po gëzohem që po bëhet për ju! ( qytetarët e vdekshëm v. i.) . Shiko, shiko “xhemla” vogël. Sa i mëshirshëm dhe i kuptueshëm loçka. A unë më këtë trurin tim të vockël paskam menduar se ai në fakt, po e kryen punën për të cilën paguhet! Nga po këta qytetarët milingona. Por, megjithatë, faleminderit për asgjë. Vazhdoni pini dhe gëzoni për dështimet e ardhshme që pasuan dhe që na vunë poshtë kazanit, ku po na e zieni qullin më lëkurën tonë kaherë.

E deri atëherë, ju diasporë e dashur bëni qejf. Ejani këndej edhe ndonjë vit derisa vjen dita e t’ju lëshohemi si delet në shtëpitë tuaja nëpër Evropë. Punë jo, pare jo, kohë sa të duash, vijmë plot suxhuk e somborka për javë të tëra, ani se ju jeni nëpër punë. Punë e madhe fort, ne jemi në pushim.

Veç po presim edhe ndonjë kohë derisa këta “ burra” odash , të veshur në fasada stofi të shtrenjtë lodhen duke u shëtitur e llomotitur prej një konference për shtyp te tjetra e duke u ngutur pastaj tutje për ndonjë postim në Facebook. Pastaj yrysh se boll u ankuat për bukën e hidhur të mërgimit. Duam edhe ne një copë, hani ju qebapë po deshët.

Pa pyetje e argumente

Kështu si ndonjë gjendje krejtësisht normale vazhdon situata krejt me lule partiake, negociatë pas negociate, do farë deklaratash shtypi dhe qëllime “atlantiko – flia me mazë”, ndërsa populli i ndjek si masë amorfe, e budallepsur nga vizëllima e tallave-politikës dhe jetës në përgjithësi.

Askush nuk kërkon argumente, askush nuk shtron pyetje, nuk ka debat të mirëfilltë (pos ju keni bërë kështu, na kemi bërë kështu,) nuk ka turp, askush nuk kërkon përgjegjësi, mendim, këshillë, fakt, dokumente. Jemi njëfarë fisi primitiv, me një lloj kodi të heshtjes dhe nuk na trondit më as po na doli Sandokani në kopsht , i lyer e ngjyer me baltë Kosove.

Përkundrazi. Edhe po u bë shteti - shtet, edhe po qe se Qeveria jonë me një mrekulli do bëhej qeveri me merita, me pak ministri e me dy zv ministra për të gjitha, edhe po qe se do hiqen vizat nesër, do të ndërtohen biblioteka, salla operash, fabrika e hidrocentrale, spitale e shkolla. Kot. Edhe nëse një dorë magjike e zhduk përnjëherësh këtë tallava “cirkus”. Ne përsëri nuk tronditemi dhe nuk do ta besojmë, por vetëm do ta rrahim ajrin me dorë: Harroje, është Fake News!

Legjenda: Askush nuk kërkon argumente, askush nuk shtron pyetje, nuk ka debat të mirëfilltë (pos ju keni bërë kështu, na kemi bërë kështu,) nuk ka turp, askush nuk kërkon përgjegjësi, mendim, këshillë, fakt, dokumente. Jemi njëfarë fisi primitiv, me një lloj kodi të heshtjes dhe nuk na trondit më as po na doli Sandokani në kopsht , i lyer e ngjyer me baltë Kosove

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Drenusha Zajmi-Hoxha