Lugina e Preshevës këto ditë ishte temë e nxehtë në Parlamentin e Kosovës dhe një dush i ftohtë në Qeverinë e Serbisë.
Institucioni më i lartë i pushtetit qendror në Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme ka debatuar për çështjen e Luginës së Preshevës, mirëpo për shkak të mungesës së kuorumit, votimi i Rezolutës është zvarritur.
Nuk është hera e parë që Kuvendi Republikan i Kosovë debaton për Luginën e Preshevës. Ai ka debatuar dhe ka miratuar një rezolutë para 6 vjetësh, pikërisht në vitin 2013, me të cilës qe hapur një zyre në Gjilan dhe asnjë nga pikat e saj nuk u realizua më për të mirën e bashkëkombësve të saj në Serbi, e aq më pak për shqiptarët e asaj pjese që jetonin në Kosovë, në cilësinë e të dëbuarve nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.
Pavarësisht këtyre rezolutave për Luginën e Preshevës, shqiptarët e kësaj krahine vazhdojnë të përballet me problem të shumta, qoftë në Serbi, qoftë në Kosovë. Me këto veprime, në njëfarë mënyre, lëre që nuk është ndihmuar çështja shqiptare në Luginë, përkundrazi ajo është komplikuar dhe dëmtuar njëkohësisht.
Lëmosha
Nuk zgjidhet problemi shqiptar në Serbi me një ndihmë deri 500 mijë euro, siç u cek në Parlamentin e Kosovës, por me një angazhim më të fuqishëm në zgjidhjen e kauzës shqiptare në Serbi.
Lugina e Preshevës nuk ka nevojë për lëmoshë financiare dhe kërkesat e shqiptarëve të saj nuk drejtohen te faktorët relevantë shqiptarë në Prishtinë e Tiranë, vetëm për të krijuar një Fond zhvillimor për Luginën në infrastrukturë dhe kulturë, por me një qasje profesionale dhe institucionale të zgjidhjes së problemit shqiptar në Serbi.
Ajo që ra në sy gjatë debatit të këtyre ditëve për Luginën e Preshevës, në Parlamentin e Kosovës, ishte mungesa e kuorumit të deputetëve si dhe mosprania e përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, ashtu siç ishte dikur, gjatë vitit 2013-të.
Ky veprim dhe kjo sjellje e deputetëve të Kosovës dhe përfaqësuesve të Luginës së Preshevës, përveç zhurmës politike dhe propagandës së Beogradit nuk ka ofruar tjetër gjë për shqiptarët e Luginës, në këto ditë me vapë tropikale.
Ironizimi
Në të njëjtën ditë, kur debatohej çështja e Luginës së Preshevës në Parlamentin e Kosovës, shefi i Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë erdhi për një vizitë në jug të Serbisë, siç i pëlqen Beogradit ta quaj Luginën e Preshevës.
Ai, si gjithherë, me fjalorin e tij cinik, ironizoi me zhvillimet e fundit në Luginë të Preshevës dhe me theks të posaçëm rreth seancës së jashtëzakonshme të Parlamentit të Kosovës, duke u shprehur:
“Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë qenë, janë dhe do të jenë pjesë përbërëse e Serbisë, këtë e kam thënë me miliona herë, ndërsa ata që nuk kanë çka të thonë flasin për shkëputje, bashkëngjitje përfshirë edhe territorin e Kosovës dhe Metohisë”, ndërsa sa i përket ndihmës material, ai tha se do të ishte falënderuese nëse ajo do t’i kontribuojë një mirëkuptimi ndërmjet qytetarëve të Prishtinës dhe qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, dhe mjetet e paralajmëruara të shpenzohen për të mirën e qytetarëve të këtyre tri komunave.
Trupi Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është një miniqeveri për Luginën e Preshevës, një dorë e zgjatur e Beogradit për këto komuna, i cili qe 19 vjet nuk udhëhiqet nga shqiptarët, edhe pse është formuar për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve të trashëguara në periudhat e regjimeve të ndryshme serbe.
Presheva, Bujanoci dhe Medvegja administrohen nga Serbia dhe ndihmohen nga buxhetet komunale, qeveria e Serbisë dhe Trupi Koordinues dhe organizatat e ndryshme ndërkombëtare dhe liderët e saj institucionalë, kohëve të fundit, harxhojnë energji duke kërkuar ndihmë përmes një Fondi zhvillimor dhe ngatërrohen dhe përçahen se kush nga komunat më shumë do të përfitoj nga këto donacione.
Masat
Këta liderë institucionalë ngatërrohen për vezën dhe e lënë pulën të ikë. Apo, thënë më ndryshe për një konservë e japin kaun, të cilin e meritojnë ngase janë taksapagues në Serbi, i kryejnë detyrimet ndaj shtetit dhe Serbia është e detyruar t’i përmbushë obligimet ligjore e financiare ndaj qytetarëve shqiptarë. Por, duke parë veprimet e këtyre liderëve tek angazhohen të përfitojnë si serbët në Kosovë, ajo me masa restriktive dhe represive i vë ata para një sikleti institucional.
Shoqëria civile në Luginë të Preshevës me kohë i ka paralajmëruar këto dukuri, të cilat më shumë i sjellin dëm dhe kokëçarje, sesa kontribuojnë për zgjidhjen e drejtë të qëndrueshme dhe afatgjate të kësaj krahine të stërmbushur me probleme të shumta të natyrës politike dhe ekonomike.
Vullneti
Shqiptarët e Luginës së Preshevës gjatë vitit 1992 e kanë shprehur vullnetin politik përmes Referendumit me të drejtë bashkimi Kosovës, pastaj e bënë një luftë çlirimtare gjatë vitit 2000-2001 dhe arritën një Marrëveshje paqësore që njihet si Marrëveshja e Konçulit dhe nxorën disa deklarata politike.
Vullneti politik i shqiptarëve për ta zgjidhur çështjen e tyre kombëtare vazhdon. Në këtë drejtim presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë kësaj historie, siç e shohim ne, po mundohet që çështjen e Luginës së Preshevës ta vërë në binarë të drejtë e të duhur për ta çuar kauzën e saj përpara, përmes korrigjimit të kufijve me Serbinë, i cili duhet të kryhet si sot si nesër, sa më parë aq më mirë.
(Autori i këtij opinioni është publicist dhe koordinator i Shoqërisë civile nga Lugina e Preshevës)