Turizëm pa dorën e shtetit

Elmaz Isufi Elmaz Isufi 30 June 2019 08:20

Drejtuesve të institucioneve që mjaftohen me ndarjen e 100 mijë eurove në vit për Zyrën e turizmit, kot u tregon se Kroacia, një vend në rajon, ndan 30 milionë euro e përfiton 12 miliardë në vit, e as që në Evropë është sektori i tretë me ndikim ekonomik. Më kot u tregon se ndikimi i tij është edhe social e integrues. Se vë në funksion shumë sektorë të tjerë e për rrjedhojë rrit numrin e të punësuarve, madje më shumë se KEK-u, PTK-ja, “Trepça”...

Turizmi nuk është në listën e prioriteteve të Qeverisë. Nuk është as në listën e gjerë të sektorëve më pak të rëndësishëm të zhvillimit e të ekonomisë. Pra, nuk është askund.

Turizmi, shikuar nga perspektiva e udhëheqësve të shtetit, është sektor kot. Është i lodhshëm, i shpërndarë gjithandej, që zhvillohet ngadalë ashtu si vijnë ngadalë edhe fitimet. Gjykuar me trurin e tyre, turizmi konceptohet vetëm shkuarja në det. E meqë s’kemi det, s’kemi nevojë as për plane, as për strategji e as për investime.

Bile kam bindjen se të njëjtit çuditen se si të huajt kanë kureshtjen e shtuar të vizitojnë malet, parqet, muzetë, bibliotekat, kishat e xhamitë, shpellat, urat e ujëvarat dhe atraksione të tjera të Kosovës. Për shijen e tyre, në mungesë të detit, vizitat do të duhej të kishin në fokus vetëm restorantet dhe hotelet, aty ku nisin dhe përfundojnë agjendat e tyre, edhe turistike, ashtu siç veprojnë edhe gjatë udhëtimeve jashtë vendit.

Në kushtet e menaxhimit të shtetit nga ata që vetëm menaxherë nuk janë, e vetmja zgjidhje është krijimi i politikave jashtinstitucionale nga grupe të caktuara, shoqata dhe njerëz të vullnetit të mirë. Fatmirësia e këtij sektori është se sot në Evropë e më gjerë ai shikohet si koncept global, me fuqinë e madhe për të ndryshuar kursin e ekonomisë, të aktivitetit social dhe sidomos të integrimit. Rrjetet ndërkombëtare të organizatave që merren me turizmin dhe mjedisin hartojnë dhe zbatojnë programe zhvillimore që prekin çdo cep të botës.

Sektorit privat në Kosovë, që promovon turizmin dhe mjedisin, i duhet që të bëhet pjesë e këtyre nismave, duke u nisur nga veprimet në nivelin lokal, më pastaj nacional dhe rajonal. Indirekt të bëhet autoriteti që përfaqëson dhe promovon vlerat turistike dhe mjedisore. Të fuqizohet në shkallën që ndikimi në ekonomi të tejkalojë nevojën për asistencën e shtetit.

Pra, të ndiqet modeli i sportit, që ka lëvizur kryesisht mbi bazat vullnetare. Janë dashur 30 vjet angazhim i sportistëve, i ekspertëve, e sidomos i donatorëve vullnetmirë që të ruhet struktura institucionale, edhe në kushtet e pushtimit e edhe të izolimit, në mënyrë që të vijë një ditë kur mediokrit e politikës të ndërgjegjësohen për nevojën e ndryshimit të politikave zhvillimore dhe për krijimin e kushteve elementare për këtë aktivitet. Klubet për shumë vjet janë detyruar edhe t’i menaxhojnë, edhe të investojnë në stadiumet që nuk janë të tyre dhe që më së paku ishin terrene sporti.

Të ndiqet, paralelisht me betejën kundër çmendurisë institucionale, edhe modeli i organizimit të qyteteve evropiane që në strategjitë zhvillimore i pranojnë përvojat dhe ndikimet përtej kufijve nacionalë. Krijimi i identiteteve të qyteteve të caktuara po mundëson zhvillimin e tyre si njësi të pavarura nga zhvillimi i shtetit. Numri i turistëve në disa qytete të mëdha evropiane arrin nga 15 milionë deri në 40 milionë brenda një viti, pra më shumë vizita turistike sesa numri i përgjithshëm i vendeve të Mesdheut. Ndërsa rreth 20 për qind e vendeve të punës lidhen me turizmin.

Ky trend dëshmon se qytetet janë duke diktuar zhvillimin e shoqërisë evropiane. Evropa tash është më shumë bashkësi qytetesh sesa shtetesh.

***

Drejtuesve të institucioneve që mjaftohen me ndarjen e 100 mijë eurove në vit për Zyrën e turizmit, të vetmen me firmë shtetërore, kot u tregon se Kroacia, një vend në rajon, ndan 30 milionë euro e përfiton 12 miliardë në vit, e as që në Evropë është sektori i tretë me ndikim ekonomik. Më kot u tregon se ndikimi i tij është edhe social e integrues. Se vë në funksion shumë sektorë të tjerë e për rrjedhojë rrit numrin e të punësuarve, madje më shumë se “asetet kombëtare” si KEK-u, PTK-ja, “Trepça”...

Atyre që nuk “ua lë shenjë kritika”, në vend të kësaj duhet sjellë në kujtesë një shans që mbase ushqen ambicien e tyre të sëmurë për popullaritet. Një strategji që nuk dëmton buxhetin më shumë se penaltitë për “Bechtel-Enkan”, apo edhe për të tjera skema abuzuese 50-milionëshe që janë në proces.

Nuk do të kalojnë dy javë kur do të na rikthehen pamjet e përvitshme të kolonave disakilometërshe të makinave në pikat e kalimit kufitar. Nuk do të jenë turistë austriakë, zviceranë, gjermanë, çekë, polakë, rusë.... Do të jenë shqiptarë, shumica e tyre, lindur e rritur në Kosovë, “turistët” më besnikë që mund t’i ketë një vend në botë. Turistët që nuk vijnë një e dy ditë, që lënë një qindëshe, por që shpenzojnë nga 3 mijë e deri në 300 mijë euro brenda vitit.

Dikush nga vizitorët do të ankohet për pritjet disaorëshe. Policia Kufitare e Kosovës do ta ritheksojë angazhimin e saj për lehtësimin e kalimit të bashkatdhetarëve tanë. Do të na rrëfejë se vonesat po i shkaktojnë kontrollet e stërzgjatura të vendeve të tjera fqinje.

Meqë Kosova ka vizitorë të huaj në numër gati të papërfillshëm, institucionet do të duhej që fokusin ta kthenin kah trajtimi me respekt i mërgimtarëve. Nuk duhen investime, projekte, agjenda shtesë që të përmbushin nevojat e tyre, se janë punë që nuk bëhen. Nuk besoj se është edhe ndonjë hata e madhe nëse Ministria e Diasporës për dy muaj rresht angazhon ekipet e saj (meqë nuk di çfarë punojnë në administratë të punësuarit aty), apo edhe ndonjë task-forcë (meqë janë në modë, në Kosovë) që të zhvendosen në kufi. Secili nga ta mund ta kryejë një shërbim të kombinuar - t’u urojë mirëseardhje mërgimtarit dhe familjes së tij, t’u ofrojë një shishe ujë, t’u ofrojë asistencë mjekësore atyre që kanë pasur vështirësi gjatë udhëtimit (me një shërbim mobil shëndetësor që mund të stacionohet afër aty), t’ua dorëzojë një guidë me të gjitha aktivitetet dhe potencialet turistike që ka Kosova, dhe, pse jo, në bashkëpunim me operatorët telefonikë, t’u ofrohet falas një pako modeste bashkë me një numër celulari.

Mund t’u duket bezdisëse, por krejt kjo procedurë është më e shkurtër sesa ajo e pagesës së sigurimit të veturës, për të cilën po ashtu duhet gjetur një zgjidhje elastike në mes Qeverisë dhe kompanive të sigurimit.

Të gjitha këto “produkte” nuk është se i bëjnë më të pasur mërgimtarët. Ata nuk duan lëmoshë, ata duan vetëm të ndihen dinjitozë, të rëndësishëm, të mirëseardhur, të paktën një herë në vit. Ata ia sjellin Kosovës afro 1.8 miliardë para kesh dhe investime. Janë këto 1.8 miliardë dhe afro 300 milionë të hyra nga eksporti që mbajnë në këmbë buxhetin prej afro 2 miliardësh.

Drejtuesit e shtetit le ta kryejnë “testin e parë” me mërgimtarët. E ne të lutemi që të mos e marrin vesh se çfarë janë përfitimet. Se po i ranë në fije, para se të ikin nga skena politike, vaj medet edhe për turizmin!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

ekremi04/07/2019 14:29

Megjithëse shumë tema të prekura, megjithatë emëruesi i përbashkët = TURIZMI. Të gjitha vlerësimet i shoh plotësisht me vend! Ne jemi duke e humbur edhe këta turistët tanë besnikë - mërgimtarët tanë. Qysh tani një pjesë e madhe e tyre shkojnë së pari në Shqipëri a Mal të Zi për pushime, e pastaj, për ti harxhuar edhe ato pak para që u kanë mbetur vijnë në Kosovë. Nëse shteti ynë dhe Departamenti i Turizmit (e jo Zyra siç po e quani ju), nuk merret shumë më seriozisht me turizmin dhe promovimin e tij, do ti humbim edhe këto 1,8 miliard të hyra (20% të GDP së Kosovës).

Shto koment

Tjera nga Elmaz Isufi