Jeta e Bill Clintonit

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 15 June 2019 08:13

Presidenti i 42-të amerikan u kthye në 20-vjetorin e mundjes së Milosheviqit, në vendin qytetarëve të të cilit ua kishte ndryshuar jetën, për ta parë edhe një herë vetveten të përjetësuar – shtatoren dhe bulevardin e tij – në Prishtinë. Një jetë që shpëtoi shumë jetë të tjera e i dha jetë lirisë së një populli të shtypur

“BASHKËQYTETARË TË MI amerikanë, sot forcat tona të armatosura u janë bashkuar aleatëve tanë të NATO-s në sulmet ajrore kundër forcave serbe, të cilat janë përgjegjëse për tmerre në Kosovë.

Po veprojmë për të mbrojtur mijëra qytetarë të pafajshëm të Kosovës nga një ofensivë e madhe ushtarake.

Po veprojmë për të parandaluar një luftë më të madhe, për të çmontuar fuqinë e barotit në zemër të Evropës, e cila ka shpërthyer dy herë të tjera përgjatë këtij shekulli me rezultate katastrofale.

Po veprojmë për të qëndruar bashkë me aleatët tanë të paqes. Duke vepruar tash, ne po i ruajmë vlerat tona, po mbrojmë interesat tona dhe po përparojmë në kauzën për paqe”.

Ky fjalim i presidentit të 42-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i mbajtur më 24 mars 1999, në ditën kur filloi fushata bombarduese e NATO-s kundër forcave serbe, ishte fjalimi më i pëlqyer të cilin e kishin dëgjuar ndonjëherë në jetë shqiptarët e Kosovës.

Pas thuajse një shekulli shtypjeje e vuajtjeje, pas fushatës vrastare të forcave serbe në Kosovë muajve të fundit, s’kishte më rrugë tjetër. Milosheviqi do ta pësonte. Gjithsesi, se ai s’do të rrinte duarkryq dhe do të bënte edhe shumë krime të tjera, mirëpo të gjithë e kishin të qartë. Ky ishte fillimi i fundit. Jeta e secilit do të ndryshonte.

Do të ndryshonte jeta e shqiptarëve të Kosovës, do të ndryshonte jeta e kasapit të Ballkanit... dhe vetë jeta e Bill Clintonit.

“BASHKËQYTETARË TË MI amerikanë, sonte, për herë të parë pas 79 ditësh, qielli mbi Jugosllavi është i qetë. Ushtria dhe policia serbe po tërhiqen nga Kosova. Një milion burra, gra dhe fëmijë të dëbuar nga toka e tyre, po përgatiten të kthehen në shtëpi. Janë pranuar kërkesat e bashkësisë së tmerruar dhe të përbashkuar ndërkombëtare”.

Bill Clinton po i adresohej edhe një herë popullit amerikan. Serbia kishte nënshkruar Marrëveshjen e Kumanovës, e cila i dha fund fushatës 78-ditëshe të bombardimeve të NATO-s.

Ky do të ishte fjalimi më i mirëpritur i shqiptarëve të Kosovës, në ata muaj të vështirë. Mirëpo, një pjesë e madhe e tyre nuk po e dëgjonin. Ashtu siç do ta përmendte edhe presidenti Clinton, më 11 qershor 1999, rreth një milion prej tyre tashmë ishin të zhvendosur dhe të dëbuar nga shtëpitë – ishin bërë refugjatë. Rreth 10 mijë ishin vrarë, qindra e mijëra kishin mbetur pa kulm mbi kokë. Jeta e tyre kishte ndryshuar ata muaj. Jeta e tyre po ndryshon sërish. Nga ajo ditë e tutje.

Po fillonte liria.

KËTË 12 QERSHOR u bë hera e tretë që presidenti Bill Clinton vizitoi Kosovën.

Që në vizitën e parë, më 1999 në Ferizaj, qytetarëve të Kosovës i ka mbetur në kujtesë fjalia e tij testament: “Ne e fituam luftën, ju fitojeni paqen”.

Herën e dytë, në vitin 2009, një vit pas shpalljes së Pavarësisë, kur u zbulua edhe shtatorja dhe bulevardi i tij në Prishtinë: “Ne ndajmë një planet të vogël midis nesh, të kërcënuar nga terrorizmi, sëmundjet, ngrohja globale dhe kriza financiare. Ndajmë edhe ëndrrat për fëmijët tanë. Duhet të vendosim mbi diçka shumë të thjeshtë, qoftë në Kosovë apo kudo tjetër në botë, nëse do të përqendrohemi tek e nesërmja apo e djeshmja, tek ajo që na bashkon apo ajo që na ndan”.

Sot, në vizitën e tretë, Kosova është shumë ndryshe prej dy vizitave të tij të para. 20 vjet nga liria, jeta e qytetarëve të Kosovës vazhdon të ketë sfida të ndryshme, vazhdon të sfidohet ende nga Serbia, por ka edhe sfidat e brendshme të udhëheqjes politike dhe të përparimit ekonomik.

“Atë ditë thashë atë që duhet ta them prapë, 79 ditë të sulmeve e kanë fituar këtë luftë, por vetëm qytetarët e Kosovës mund ta fitojnë paqen. Pas 20 vjetësh mendoj se ju keni arritur ta fitoni paqen”, tha presidenti Clinton në shesh.

Mijëra qytetarëve të mbledhur për ta parë, qytetarëve të cilëve ua kishte ndryshuar jetën, ua dha shpresën. Ashtu siç kishte bërë edhe më 1999.

“JETA IME” mban titullin libri voluminoz, të cilin Bill Clinton e shkroi pasi që e përfundoi mandatin e dytë si president i SHBA-së. Një pjesë jo të vogël në këtë libër ai flet edhe për Kosovën.

“Pavarësisht sfidave përpara, u ndjeva tepër i lehtësuar dhe i kënaqur. Fushata e përgjakshme 10-vjeçare e Slobodan Milosheviqit për të shfrytëzuar dallimet etnike dhe fetare në mënyrë që ta zbatojë vullnetin e tij në ish-Jugosllavi kishte marrë fund. Djegia e fshatrave dhe vrasja e të pafajshmëve i përkiste tashmë historisë. E dija se ishte çështje kohe kur një ditë edhe Milosheviqi do t’i përkiste historisë”, shkruan Clinton, në faqen 860 të librit për jetën e tij (botimi në anglisht).

Kishte të drejtë. Jeta e Milosheviqit kishte përfunduar, si i burgosur në qelinë e Scheveningenit.

Jeta e shqiptarëve më nuk varej nga jeta e Milosheviqit dhe e Milosheviqëve të tjerë.

Kosova është pjesë e jetës së Bill Clintonit, njësoj siç Bill Clinton është pjesë e jetës së kosovarëve.

Presidenti i 42-të amerikan u kthye në 20-vjetorin e mundjes së Milosheviqit, në vendin qytetarëve të të cilit ua kishte ndryshuar jetën, për ta parë edhe një herë vetveten të përjetësuar – shtatoren dhe bulevardin e tij – në Prishtinë.

Një jetë që shpëtoi shumë jetë të tjera e i dha jetë lirisë së një populli të shtypur.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi