Ndotja e ambientit në Kosovë është dramatike. Po aq dramatike është sa gati askush nuk mërzitet për këtë situatë. Të sëmurët nga kanceri tashmë shikohen si diçka krejt normale.
Së fundi në një kronikë të radios publike gjermane një mjek nga Obiliqi tregonte se 80 për qind e rasteve të të sëmurëve nga kanceri në këtë komunë janë si pasojë e ajrit toksik që e shkaktojnë termocentralet dhe se në tremujorin e parë të këtij viti janë regjistruar 29 raste të kancerit, shumica kancer në mushkëri. Në kronikë më tutje njoftohej se në një raport të Bankës Botërore termocentrali “Kosova A” përshkruhet si “burimi më i madh individual i ndotjes së ambientit në Evropë” dhe se në vitin 2018 Banka Botërore u tërhoq nga plani për të përkrahur ndërtimin e një termocentrali të ri në Kosovë, duke thënë se energjia nga qymyri është tepër e shtrenjtë. Në të ardhmen Banka Botërore dëshiron të financojë vetëm energjinë e ripërtritshme.
Prishtina është ndër qytetet me ajrin më të ndotur në Evropë. Sipas një raporti të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (WHO) qyteti me ajrin më të ndotur në Evropë është Tetova, që pasohet nga Vizebsku (një qytet në veri të Bjellorusisë) dhe Batmani në Turqi. Në vendet ku ndjeshmëria dhe vetëdija për problemet ambientale janë të ulëta, ndotja është më e madhe, andaj jorastësisht vendet e Ballkanit dhe Turqia kryesojnë listën me qytetet më të ndotura.
Një raport i OKB-së, i botuar në mars të këtij viti, nënvizoi se një e katërta e të gjitha sëmundjeve dhe vdekjeve të parakohshme shkaktohen nga ndotja dhe shkatërrimi i ambientit. Ndotja e ajrit dhe ujit dhe shkatërrimi i sistemit ekologjik dëmtojnë hapësirën e jetesës të miliarda njerëzve. Sipas OKB-së, ky është studimi më gjithëpërfshirës mbi ambientin në 5 vjetët e fundit. Mbi 250 shkencëtarë dhe ekspertë nga 70 vende kanë dhënë kontributin e tyre. “Ose do ta përmirësojmë mbrojtjen e ambientit në mënyrë drastike, ose miliona njerëz në qytete dhe rajone të Azisë, Lindjes së Mesme dhe Afrikës do të vdesin para kohe nga mesi i këtij shekulli”, thuhet në studim.
Sëmundjet e zemrës, sulmet në tru, rastet e kancerit në mushkëri janë në të shumtën e rasteve pasojë e gjendjes së mjerueshme të ambientit - kjo vlen sidomos për Kosovën. Një raport i WHO-së nga viti 2017 theksonte se Ballkani është rajoni ku vdesin më së shumti njerëz në Evropë si pasojë e ajrit të ndotur. Shumë qytete të Ballkanit ua kalojnë edhe qyteteve të Kinës sa i përket ndotjes. Dhe ka gjasa që situata të mos përmirësohet në vitet e ardhshme. Diktatura kineze qëndron pas shumë projekteve për termocentrale të reja në Ballkan. Sipas organizatës joqeveritare “Bankwatch Network” ndërmarrjet kineze dhe bankat po financojnë ose duan të financojnë pesë termocentrale që planifikohen të ndërtohen në Bosnjë-Hercegovinë dhe Serbi. “Asnjë nga këto projekte nuk është në përputhje me standardet aktuale të BE-së për ambientin”, thekson “Bankwatch Network”.
Kosova supozohet të ketë rreth 15 miliardë tonelata qymyr. Kjo është më shumë se rezervat që mendohet se posedon Kina. Më 2017 Kosova nënshkroi një marrëveshje me firmën private amerikane “ContourGlobal” për ndërtimin e një termocentrali të ri. Politika këtë e ka prezantuar si investim gjigant. Për të arsyetuar projektin përdoret edhe retorika bajate sikur ky na qenkësh një “investim i Amerikës që na ka çliruar” dhe jo investim i një firme private me seli në Cayman Islands, dikur një vatër e piratëve, sot një oazë e firmave të dyshimta që u ikin tatimeve. “ContourGlobal” ka biznese kryesisht në Ruandë, Kolumbi dhe Armeni, Bullgari - të gjitha këto jo patjetër kampione të mbrojtjes së ambientit.
Projekti për termocentralin e ri afër Prishtinës është kritikuar nga komuniteti ende i vogël i aktivistëve për mbrojtjen e ambientit në Kosovë. Organizata ndërkombëtare “Energy Community” po ashtu kritikoi kushtet e njëanshme të kontratës, e cila gati të gjitha rreziqet e projektit ia ngarkon Kosovës dhe rrjedhimisht taksapaguesve kosovarë. Megjithatë, opinioni i gjerë në Kosovë duket se nuk është i alarmuar për tmerrin që e pret. Gjatë gjithë këtyre viteve pas çlirimit e kemi parë se si qeveritë e Kosovës punët i bëjnë shkel e shko, gjithnjë të koncentruara në përfitime për klanet politiko-mafioze të Prishtinës. Qeveria kosovare, për shembull, është zotuar të blejë prodhimin e përgjithshëm të fabrikës në 20 vjetët e ardhshëm. Ekziston rreziku që pronari të rrisë çmimin e energjisë sipas qejfit dhe kështu t'ia pijë edhe më shumë gjakun popullit të varfër të Kosovës.
Kontrata favorizon një prodhues, pra “ContourGlobal”, dhe dëmton prodhuesit e tjerë. “Të themi se Qeveria kosovare ka bërë një gabim të tmerrshëm, do të ishte një nënvlerësim”, ka thënë Pippa Gallop nga organizata joqeveritare “Bankwatch Network”, sipas një raporti të kallxo.com. “Çfarëdo që e shtyri atë të nënshkruajnë këtë kontratë absurde, u takon parlamentarëve të Kosovës, organeve publike kosovare dhe ndërkombëtare, si Komuniteti i Energjisë dhe Komisioni Evropian për të siguruar që ajo të mos ratifikohet, për hir të konsumatorëve dhe taksapaguesve të Kosovës”. A ka Kosova parlamentarë që e dëgjojnë këtë thirrje?