Për lirinë tonë dhe për hir të asaj që kemi përjetuar, na duhet një tjetër çlirim...

Ardiana Thaçi Mehmeti Ardiana Thaçi Mehmeti 12 June 2019 12:24

Filluam t'ua kishim lakmi kolonave të gjata të refugjatëve që po e braktisnin Kosovën. E ne ishim të ngujuar, nuk guxonim të largoheshim, po na mbanin si mburojë të gjallë, për t’u ikur bombardimeve dhe për një plan tjetër të spastrimit etnik ( të ngujuar në fshatrat buzë Drinit nga Çifllaku deri në Ratkoc).

Por në një mëngjes me diell të 12 qershorit 1999, rruga përtej mullirit ishte bërë e kaltër, me qindra tanke dhe autoblinda po iknin, për të mos u kthyer më. Disa gurë morëm në duar ne fëmijët e ngujuar dhe në fshehtësi, nga prapa mullirit, i gjuanim duke besuar në besëtytninë se kjo do të pengojë kthimin e tyre.

Këto foto janë të vetmet që më kanë mbetur nga përjetimet e një lufte gati dyvjeçare.

Image

Pasi babai kishte parë me sytë e tij se si po i digjej shtëpia dhe gjithë pasuria, për të cilën kishin derdhur djersën ai dhe vëllezërit e tij, vendosi të na kthente brenda atyre mureve të djegura e të rrënuara nga granatat....

Babai gjithnjë ka qenë njëri i librave dhe vëllezërit gjithnjë e kishin thumbuar me faktin se nuk ia donte asnjëherë punët e fshatit... por ja që në kohë lufte i bënte shumë mirë edhe ato... Ai vendosi ta improvizonte një dhomë mes atyre mureve të shkrumbuara, ku për muajt që do të vinin pas shtatorit të 1998-s, do të përjetonim shumë frikë, ankth e gëzime njëkohësisht.

Ca dyshekë te dhuruar ishin bërë shtretër për mua, motrën, dy vëllezërit dhe babën e nënën. Rrobat na mungonin. Kishim mbetur me ato që na kishte zënë ofensiva, por nga një palë të tjera na i dhuruan disa kushërinj dhe po ia dilnim mbanë me to.

Dritaret i kishim izoluar me batanijet që po ashtu na ishin falur. E kishim bërë ketë duke mos lejuar që të depërtonte drita jashtë tyre, ani pse shpeshherë me frikë i largonim për të parë rrethimin, flakët rreth e rrotull, por edhe ëndrrën për lirinë.

E në oborr lulet kishin mbetur të verdha ashtu siç ishin. Çuditërisht, ato i kishin mbijetuar flakës dhe tymit po ashtu. Ua kisha zili qëndresës së tyre.

Nga një radio e vogël çdo ditë informoheshim për tmerrin rreth e rrotull, për vrasjet, spastrimin etnik e dhunimet që po i bënin çetnikët.

Për muajt në vazhdim pritëm e përcollëm me mijëra refugjatë.

Unë tashmë kisha muaj që shëtisja poshtë e lart gërmadhave të shtëpisë sime për të gjetur valët, në mënyrë që nga radio e vogël të dëgjoja për luftën rreth nesh. Vetëm 200 metra larg saj ndodhej postblloku famëkeq i Kramovikut.

Ishte 24 mars, terri ende nuk kishte rënë. Babi u kthye nga shkolla, ajo tashmë ishte bërë shtëpi për qindra të shpërngulur nga vatrat e tyre për të shpëtuar familjet. Siç e kisha zakon, i tregoja çdo mbrëmje atij për atë çka kisha arritur të dëgjoja nga kutia e vogël. Unë ende nuk i kisha mbushur 13 vjet, isha ende fëmijë dhe nuk po arrija të kuptoja se çfarë po përjetonim e as të ndjeja frikën.

Më kujtohen frikët e të gjithëve e në veçanti frika e motrës sime. Albana ishte vetëm 3 vjet më e madhe se unë, por, për dallim nga unë, ajo gjatë gjithë luftës asnjëherë nuk qeshte, kishte shumë frikë. Madje, edhe atë ditë kur ne po festonim për ndërhyrjen e NATO-s, ajo kishte shkuar në bodrumin e djegur të shtëpisë dhe gjithë kohën na thërriste t’i bashkoheshim.

Një aparat na e kishte sjellë daja nga Zvicra dhe me të po dokumentonim jetën tonë pas 4 shtatorit të 1998-s. Baba kërkoi ta bënim një foto, pasi bombat e para kishin rënë në Golesh (unë atëkohë nuk e kisha idenë se ku i binte Goleshi, por ashtu e dëgjova në kutinë e vogël) sikur donte ta memorizonte atë moment gëzimi. Nga dritarja e dhomës sonë të vetme shihej maja e Sukës, e cila po bombardohej, e ne po e ndjenim lirinë.

6 ditë me vonë na përfshiu një tjetër ofensivë. Ikëm serish nga dhoma jonë, por kësaj radhe babi nuk erdhi me ne dhe unë për herë të parë pata shumë frikë.

Shiu nuk pushonte, shtëpi tani kishim traktorë e çadra najloni të vendosura buzë Drinit, i cili që egërsuar.

Ditët ishin net, e netët edhe me të errëta. Mungonte çdo gjë që nga ushqimi e deri te fryma.

Të shpeshta i kishim vizitat e çetnikëve, grabisnin çdo gjë dhe kërcënonin çdonjërin. Filluam t'ua kishim lakmi kolonave të gjata të refugjatëve që po e braktisnin Kosovën. E ne ishim të ngujuar, nuk guxonim të largoheshim, po na mbanin si mburojë të gjallë, për t’u ikur bombardimeve dhe për një plan tjetër të spastrimit etnik ( të ngujuar në fshatrat buzë Drinit nga Çifllaku deri në Ratkoc).

Por në një mëngjes me diell të 12 qershorit 1999, rruga përtej mullirit ishte bërë e kaltër, me qindra tanke dhe autoblinda po iknin, për të mos u kthyer më. Disa gurë morëm në duar ne fëmijët e ngujuar dhe në fshehtësi, nga prapa mullirit, i gjuanim duke besuar në besëtytninë se kjo do të pengojë kthimin e tyre.

Unë isha rritur dhe po e ndjeja lirinë.

(Autorja është gazetare e Kohavisionit)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Mergim Smajlaj12/06/2019 16:30

Të Lumtë... Nuk kam qfar të them përveq të lumtë.

Shto koment