OpEd

Na ishin dikur 20 vjet

Ende jetojmë me bindjen që shqiptari lind edhe politikan, edhe pilot, edhe Ajnshtajn, veç pse është shqiptar. E atë që e kemi dëshmuar në njëzet vjetët e fundit është se nuk mund të dalim nga mediokriteti në të cilin jemi ngujuar vetë.

Do të doja që kjo kolumne të ishte një nga e cila gufon vetëm gëzimi, ku rrezaton optimizmi dhe ku shpërthen emocioni i papërmbajtur që përcjell sukseset. Edhe do të mundë të ishte e tillë, po qe se do t'i mbyllja sytë dhe ta shlyeja kujtesën e mbledhur në këta njëzet vjetët e fundit. Dhe gjasat janë se do të ishte kolumne më e shkurtër seç kam zakon t'i shkruaj.

Njëzet vjet, janë fjalë që shqiptohen lehtë. Mbase edhe dikush do të mundë të thoshte se kanë fluturuar, ngase që prej atëherë na u ndryshua thuajse plotësisht dinamika e jetës, e punës, e kohës së lirë, e mundësive për dikë dhe e mangësive për një pjesë të madhe të njerëzve.

* * *

Para njëzet vjetësh liria e gjeti gjysmën e Kosovës jashtë tokës së vet. Eufori dhe gëzim më të madh kurrë nuk pata përjetuar se ditën kur u ktheva në Prishtinë, një ditë pas çlirimit. Qytetin e gjeta thuajse të zbrazur nga njerëzit, e përplot me të uniformuar serbë që i mbanin pikëkontrollet e shpërndara gjithandej në qytet. Kishte krisma të kohëpaskohshme, dhe qarkullimin nëpër qytet e kishim të kufizuar, ngase ushtarët britanikë të KFOR-it po hynin ngadalë për t'i zënë pozicionet strategjike, ashtu që të siguroheshin që të uniformuarit serbë të largoheshin prej qytetit në afatin e përcaktuar me Marrëveshjen e Kumanovës.

Tashmë serbët kishin bërë shumë dëm më 11 qershor, kur rusët e kishin zaptuar Aeroportin e Prishtinës, përderisa të ekzaltuar me ardhjen e tyre, këta kishin dalë të festonin, e trupat e tyre të vrisnin e plaçkitnin gjithandej qytetit, të cilin thuajse e kishin boshatisur për pak ditë. Prandaj edhe shumë ironike dhe e padrejtë më duket ende, që Prishtina ta ketë votuar 11 qershorin si ditë të çlirimit -- për shkak se ka qenë dita e cila u shndërrua në njëfarë nate të thikave të gjata.

* * *

Është dashur të ishim më të mençur e jo euforikë e të mësonim nga shembulli i "çlirimit" të Prishtinës nga UÇK-ja. Qe një rrenë e kulluar, dhe mbi këtë rrenë u ndërtua filozofia e sundimit të këtij vendi në këta njëzet vjet që sot, megjithatë, i kremtojmë. Sepse UÇK-ja nuk e çliroi Kosovën, me gjithë luftën që e bëri. Çlirimin dhe shpëtimin tonë fizik e solli NATO-ja. E NATO-ja nuk e di se sa ushtarë apo pilotë i ka pasur të angazhuar gjatë bombardimit, porse për të na siguruar paqen dhe mirëqenien i angazhoi 45 mijë ushtarë. Gjithsesi më shumë seç ka pasur UÇK-ja ushtarë të angazhuar ndonjëherë, ani pse tash, pa fije turpi, "fryhemi" me 60 mijë aplikacione dhe 43 mijë veteranë, prej të cilëve një prokuror, që u quajt "hajn i pulav", i ka identifikuar thuajse gjysmën si të rremë.

* * *

I mbyllëm sytë para plaçkitjes dhe uzurpimeve që iu bënë pronave të ndryshme gjithandej shtetit, e në veçanti në Prishtinë. I mbyllëm edhe sytë, edhe veshët ndaj vrasjeve që po ndodhnin dita më ditë. I mbyllëm sytë, veshët edhe gojën teksa e kuptonim se "e nxant UÇK" në fakt paska qenë qëllimi i luftës së një pjese të atyre që e udhëhoqën atë. Apo se thanë se e kishin udhëhequr -- krejt njësoj. Kjo metodë e veprimit ishte dhe vazhdon të jetë ofendimi më i madh që ka mundur t'iu bëhet atyre që vdiqën në luftë, ose pse luftuan, ose pse nuk kishte kush t'i mbronte, sepse ishin civilë të paarmatosur.

* * *

Më në fund ishim të lirë. Më në fund mund ta përdornim gjuhën tonë lirshëm. Më në fund mund të qarkullonim pa frikën nga uniformat, sepse tash kishim uniforma mike, që e rrezikonin jetën e tyre për rehatinë tonë. E, meqë nuk qemë në gjendje të çliroheshim vetë, na treguan se ishim të paaftë për t'u organizuar dhe udhëhequr këtë që do të duhej të ishte shteti ynë i shumëndërruar. Prandaj na e sollën një mision, e mandej edhe një mision, e mandej na mbikëqyrën, e mandej na udhëzuan si duhej udhëhequr punët -- na e dhanë formën, porse përmbajtjen në ne nuk mundën ta gjenin.

* * *

Iu gëzuam zgjedhjeve të para. Asi rreshti për të votuar e mbaj mend vetëm kur duhej të prisja për bukë në 3 të mëngjesit atëherë kur na e shuan autonominë. U besuam rrenave të të gjithëve: se do të bëheshim Zvicër, Suedi, Gjermani e çkamos, ani që bëhej fjalë për zgjedhje lokale. Fituam kryetarë komunash pa as idenë më të vogël se si dhe çka duhej bërë. Fituam me dhjetëra mijëra ndërtime pa leje dhe i shëmtuam qytetet edhe më shumë. U bëmë Kosovë - sui generis, dhe vend i pakrahasueshëm me asnjë vend tjetër, të cilin me superioritetin tonë të shpifur e përçmojmë.

Nuk ditëm, në asnjë rrethanë, ta mbronim votën tonë. Na plaçkitën edhe aty, sa herë që deshën, dhe ne heshtëm se na thoshin: "Shuaj se të huajt po thonë se mirë është puna". E puna po bëhej përherë më e keqe dhe jo, të huajt nuk po thoshin se mirë është puna, porse ne kishim dëshirë të besonim se ajo që na thuhej ishte e vërtetë.

* * *

Nuk i deshëm vendet e punës me rroga të vogla dhe nuk kuptuam se kështu e hapnim minierën e artë për punësimin e militantëve dhe kushërinjve që nuk e kishin hallin e rrogave të vogla -- sepse po bëheshin me pushtet, e me kontroll, e me para të buxhetit, që nuk kishte kush t'i ruante. Ishte hapur rrjedha e ujit që çonte nga mulliri i partive politike, që gradualisht po i çonin të dëgjueshmit edhe aty ku ishte e domosdoshme që të ndërhyhej në rast të ndonjë hetimi a gjykimi. U treguam fort naivë teksa besonim se njerëzit që po zgjidheshin në ato poste ishin profesionistë, e pse jo edhe patriotë, që do të luftonin deri në pikën e fundit për interesin e këtij vendi. Nuk e kuptuam me kohë që këta në fakt ishin shërbëtorët e veshur me petk zyrtar të grupeve të interesit.

* * *

E besuam se tash, kur u jepej shansi profesionistëve të vendit, do të ishim në gjendje ta forconim një sistem arsimor që vuajti një dekadë, dhe se më në fund do të bëheshim me një shërbim shëndetësor ku nuk do t'iu druheshim mjekëve që shpesh refuzonin të na ofronin ndihmën, sepse e flisnim gjuhën "e gabuar". Bëmë eksperimente deri në pafund, bëmë "reforma" që në fakt qenë "deforma", e shëndetin ua qitëm në shitje furnitorëve me barna.

Për punë të tjera nuk patëm kohë. Punën në bujqësi e shikuam si degradim i kapaciteteve tona intelektuale - pse të punohet kur kemi para sa të duash për të importuar mallin e gatshëm. Më askujt nuk ia "qiste" të gatuante bukë në shtëpi, kur kishte furra sa të duash, ani që kilogrami i bukës i ka vetëm 500 gramë. Për kulturë, u kufizuam të ngritje shtatoresh gjithandej, pa asnjë kriter as artistik e as logjik, tek-tuk do të jepej ndonjë grant për ndonjë film të papërfunduar; do të mbaheshin shfaqje në teatrot ku gufon kanalizimi, dhe Filarmoninë do ta mbyllnim në atë që dikur kishte qenë foshnjorja që e kisha vijuar para më shumë se 50 vjetësh.

* * *

Iu gëzuam Pavarësisë në atë ditë të acartë sa nuk dihet. Menduam, ja, për së dyti po na jepej rasti që të dëshmonim se jemi të aftë për ta ndërtuar dhe udhëhequr një shtet të cilin na e falën, e ngarendën për të na e njohur ata që na ndihmuan të mbijetonim. Edhe këto njohje nuk ditëm me i ruajt si duhet, sepse ende jetojmë me bindjen që shqiptari lind edhe politikan, edhe pilot, edhe Ajnshtajn, veç pse është shqiptar. E atë që e kemi dëshmuar në njëzet vjetët e fundit është se nuk mund të dalim nga mediokriteti në të cilin jemi ngujuar vetë.

Jemi kampionë në ndërtimin e autostradave më të shtrenjta në botë me para të gatshme. Harxhojmë para pa i dhënë hesap askujt dhe mendojmë se jemi shtet demokratik pse kemi Kuvend që fle, pse kemi Qeveri që formohet me vota të shitura nëpër kafehane, dhe një kryetar që mendon se është perandor. Jemi më se të sigurt se jemi demokratikë, për shkak se krejt politikën qytetare e zhvillojmë duke hëngër qebapë me qepë ose duke e dirigjuar debatin me lugët e makiatove nëpër dhëmbë. Sepse ky popull ka rënë në amulli, për shkak të rrenave, hajnisë, padrejtësisë, kur do të duhej të ishte e kundërta. Për shkak se jemi sui generis edhe këtu.

* * *

Shpresa e këtij vendi janë ata që me gjithë këtë hallakamë ia kanë dalë të ngjiten përmbi rrënojat e asaj që vetë kemi dështuar ta ndërtojmë. Janë ata të cilët me mundin dhe talentin e tyre ia kanë zbardhur fytyrën një vendi që nuk iu desh shumë kohë që t'i humbte simpatitë e botës. Të rinj që e kanë një vizion ndryshe për këtë shtet, dhe që do të mundë ta shndërronin atë në një vend të bukur e për lakmi. Por janë të rinj që nuk u jepet rasti që të shpërthejnë, për shkak se paraqesin rrezik për ata që mendojnë se do të jetojnë edhe 100 vjet të rrethuar me pasurinë që ia kanë vjedhur popullit.

E, megjithatë, nuk duhet çuar duar. Po t'i mblidhnim mendtë që i kemi shkapërderdhur në njëzet vjetët e fundit, do ta kuptojmë se këta nga paragrafi më lart nuk do të jetojnë edhe 100 vjet, dhe se 20 vjetët e fundit duhet marrë e analizuar për të ditur se si nuk duhet vepruar nëse duam të jetojmë më mirë.

Është e vërtetë se kjo është forma më e rëndë e nxjerrjes së mësimeve, ngase vetëm i marri mëson (nëse mëson) nga gabimet e veta. E unë po besoj se diçka do të nxjerrim nga ky mësim, diçka të mirë, sepse si secili produkt, edhe ky brezi i kumandantave e ka një afat të skadimit. E ky afat do të kryhet shpejt, sepse ky vend nuk i ka edhe 20 vjet në dispozicion për t'ua duruar teket.

flaka@koha.net