Mbyllja gojën gruas!

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 08 June 2019 08:17

Pse është kaq e vështirë që të kemi më shumë gra dhe vajza të marrin pjesë në debatet televizive dhe publike?

KA KOHË QË një pyetje ia shtroj vazhdimisht vetes: Pse po është kaq e vështirë që të kem më shumë gra dhe vajza të vijnë në “Rubikon”? Shpesh këtë pyetje ma bëjnë edhe të tjerët – zakonisht gra dhe vajza në sferën publike – por me një ton që tingëllon edhe si qortim: Pse s’po fton më shumë gra në emision?

Tash, duket se asnjëherë, përgjigjet nuk mjaftojnë. Unë përpiqem t’ua shpjegoj se si bëj përpjekje që në secilin emision, nëse nuk mund të kem numër të barabartë të mysafirëve të të dyja gjinive, atëherë luftoj që të kem së paku një grua paneliste. Fatkeqësisht, jo gjithmonë ia dal. Kurse, me një ndjenjë triumfaliste vishem, sa herë që në “Rubikon” kam më shumë gra se burra, ose kur gjithë panelin e kam me gra ose vajza.

Mbi të gjitha, e zë veten në një situatë sikleti, me idenë se çka do që unë, në këtë rast si burrë, do të rrekem të sqaroj, s’ka se si t’i ikën rrëshqitjes në të padëshirueshmen – mansplaining. Dhe, natyrisht, gjithmonë do të jesh humbës. Për shkakun kryesor se, pavarësisht fakteve, përgjithësisht në televizion e edhe te unë në emision, më shumë flasin burrat se gratë.

KA PASUR GRA që i kanë vënë vetes për detyrë që të më ndihmojnë në këtë drejtim. Në dy raste, më kanë dërguar lista të shkruara me gra dhe vajza të suksesshme në atë që bëjnë, të cilat do të duhej të flisnin publikisht më tepër. I falënderoj! Në njërin rast, kjo listë ka përfshirë mbi 170 emra të përveçëm profesionistesh të ndryshme dhe të zonja. Rezultati – jo shumë ndryshim. Hiç gratë me pozita politike - si deputete dhe ministre – duke i shkuar listës nga fillimi e deri në fund, nuk kemi pasur sukses me më shumë se 20 prej tyre, ndoshta as aq.

Pse?

A ka pasur ndikim ligjërimi mashkullor, i cili daton rreth 3000-4000 vjet më parë, që kur autori i Iliadës dhe Odiseut, Homeri, lamentoi të folurit si punë e burrave, kurse dramaturgu grek, Sofokliu, shkroi se heshtja është petku i gruas?

Besoj se do të duhej thelluar më tepër në këtë debat edhe në shoqërinë tonë.

duke mos pasur një përgjigje të saktë se pse gratë janë më pak të përfaqësuara në debatet publike, ka një kohë që jam duke lexuar se në çfarë përfundimesh kanë ardhur të tjerët që janë marrë gjatë dhe seriozisht me studimin e kësaj çështjeje. Disa nga gjetjet do t’i shkruaj në vazhdim.

NË NJË STUDIM të fundit të Universitetit të Cambridge-it (https://journals.plos.org/plosone/article?id=10.1371/journal.pone.0202743) del se gratë janë të prira dy herë e gjysmë më pak se burrat që të bëjnë pyetje publike në qarqet akademike. Hulumtimi ka përfshirë 250 seminare akademike me 35 shkolla në 10 shtete, ku përfaqësimi gjinor ka qenë përgjithësisht i barabartë.

Në pyetjen se pse ato nuk shtrojnë pyetje edhe kur janë të interesuara për shpjegime, përgjigjet më të shpeshta të dhëna nga gratë janë përmbledhur kështu: nuk ndihemi mjaft të ditura; ndihemi të shqetësuara; ose, frikësohemi ta kemi keqkuptuar përmbajtjen.

Në anën tjetër, Deborah Tannen, autore e librit “Ti je e vetmja të cilës mund t’ia them” (Ballantine Books, 2017), tregon se krahasuar me burrat, gratë shoqe flasin shumë më tepër me njëra-tjetrën, më gjatë se burrat dhe për tema më personale se burrat; që i bie se në ligjërim privat gratë flasin më tepër se burrat, por kjo nuk përkthehet edhe në sferën publike.

Tutje, Joushua Gunn nga Universiteti i Tecasit, në esenë e tij “Mbi të folurit dhe kumtimin publik” (https://www.jstor.org/stable/41940491?mag=gender-and-public-speech&seq=1#metadata_info_tab_contents), duke analizuar fushatat presidenciale të Barack Obamas dhe të Hillary Clintonit të vitit 2008, ka ardhur në përfundimin “problematik” se popullata e vlerëson dhe e respekton më tepër të folurit mashkullor, i cili shihet edhe si standard. Toni i ulët dhe ligjërimi bindës, të cilët e karakterizojnë zërin e një burri nënkuptojnë arsye, kontroll dhe autoritet të përshtatshëm për sferën publike; kurse zërat femërorë janë me ton më të lartë, të ngjashme me djemtë e papjekur, dhe me më shumë shprehje të emocioneve, gjë që në shoqëritë perëndimore shihet si e pakontrolluar dhe jo e mirë, ka shkruar ai.

Një studim nga doktoresha e psikologjisë, Victoria L. Brescoll, (http://gap.hks.harvard.edu/who-takes-floor-and-why-gender-power-and-volubility-organizations), ka gjetur se senatorët burra me më shumë pushtet flasin më tepër sesa kolegët e tyre të rinj burra, gjë që në të njëjtën kohë nuk vlen edhe për senatoret gra, të cilave nuk iu ndikon pushteti në mënyrë që të flasin më shumë.

Tutje, një hulumtim i Universitetit Brigham Young (https://www.sciencedaily.com/releases/2012/09/120918121257.htm) flet se gratë brengosen më tepër për “pasojat negative” nëse janë më të zëshme dhe për këtë shkak ato flasin trefish më pak se burrat. Ky studim ka vërtetuar se kjo frikë e grave të pushtetshme ka bazë, për shkak se dëgjuesit - si burra ashtu edhe gra - janë më të prirë të vlerësojnë se këto gra janë shumë agresive dhe flasin tepër, teksa burrat që e bëjnë të njëjtën zakonisht lavdërohen.

Gjithashtu, ka studime të ndryshme që tregojnë se gratë përgjithësisht janë më të ndjeshme kur kanë të bëjnë me ndërhyrjet dhe se në masë të ndjeshme gratë ndërpriten gjatë fjalimeve shumë më tepër se burrat, madje edhe nga vetë gratë.

TË GJITHA GJETJET e mësipërme mund të shërbejnë si bazë për të ndërtuar debatin e shëndoshë edhe në shoqërinë tonë të mbisunduar nga ligjërimi i burrave. Ose: sidomos në shoqërinë tonë, ku deri vonë institucioni kryesor i debatit ka qenë Oda e Burrave, ku gratë nuk janë lejuar as të hyjnë.

Për këtë arsye, kësaj pune duhet t’i përvishemi bashkë sinqerisht, gra dhe vajza, burra dhe djem.

Pa përfshirjen e të dyja gjinive në debat, debati asnjëherë s’mund të jetë i plotë!

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Adriatik Kelmendi