Veriu i Kosovës - një vrimë e zezë në vrimën e zezë të vrimës së zezë

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 05 June 2019 08:23

Nëse Ballkani i lënë anash nga BE-ja është një vrimë e zezë në Evropë, atëherë Kosova është vrimë e zezë në rajon me popullatën e cila nuk ka liberalizim vizash, ndërkohë që krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk luftohen me vullnetin e duhur. Veriu i Kosovës është një vrimë e zezë në Kosovë. Krejt kjo situatë është rezultat i hezitimit, apo edhe mungesës së vullnetit të bashkësisë ndërkombëtare për të vendosur rendin dhe ligjin në tërë territorin e Kosovës. Sjellja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Ballkanit, e cila sakrifikon edhe demokracinë, edhe sundimin e ligjit për hir të stabilitetit politik, tashmë ka marrë epitetin e “stabilokracisë”. Për shkak të “stabilokracisë” BE-ja dhe NATO-ja, e të mos flasim për OKB-në e OSBE-në, i kanë partnerë kryesorë politikanët që kanë faj për gjendjen e krijuar e jo ata që duan ndryshime

Sikur para 15 vjetësh, 10 apo para 5 vjetësh, edhe kësaj radhe Komisioni Evropian në pakon e zgjerimit dhe raportet e progresit për vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dha një përshkrim jo të mirë. Pavarësisht disa përparimeve, kryesisht në miratimin e ligjeve apo të planeve të veprimit, vendet e këtij rajoni kanë probleme, si: korrupsionin e përhapur, krimin e organizuar, mangësi në sundimin e ligjit dhe elemente të kapjes së shtetit. Kështu mund të tingëllojnë edhe raportet e progresit edhe pas pesë apo dhjetë vjetësh, sepse nuk shihen në horizont ndryshimet. Edhe nëse ndryshojnë pushtetet, qeveritë nuk do të ndryshojnë qeverisjen.

Ata që nuk janë në pushtet duan të vijnë në pushtet për të vepruar ashtu siç veprojnë ata që sot janë në pushtet. Edhe kur ishin në pushtet, ata që sot nuk janë në pushtet vepronin pak a shumë ashtu siç veprojnë sot ata që janë në pushtet e më parë nuk ishin. Ata që janë në pushtet gjithmonë mohojnë apo relativizojnë problemet me krimin e organizuar dhe korrupsionin, gjejnë arsyetime pse rezultatet, edhe pse shumë të mira, nuk janë të shkëlqyeshme. Ata që janë në opozitë gjithmonë bëjnë akuza për lidhjen e pushtetit me krimin. Ka dallime në stil dhe gjuhë, me Shqipërinë kampione padyshim për nga fjalori i politikanëve, por në parim sjelljet janë të njëjta në të gjitha shtetet e rajonit. Dhe prandaj BE-ja i fut të gjitha në një thes, duke gjetur aty-këtu ndonjë veprim të mirë për ta lavdëruar, siç është tashti rasti i Marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë për emrin apo rezultatet në reformën e drejtësisë në Shqipëri, që ka parandaluar disa njerëz me të kaluar të dyshuar që të bëhen prokurorë dhe gjykatës.

I tillë çfarë është rajoni është shumë larg BE-së. Jo pse BE-ja nuk ka brenda vetes shtetet që kanë problem me korrupsion, por ndoshta edhe pikërisht për këtë arsye. Sepse, nëse kanë gabuar, nuk duan të gabojnë prapë. Nëse i kanë në familje katër apo pesë shtete që kanë probleme serioze me sundimin e ligjit, pse t’i kenë dhjetë të tilla. Prandaj, arsyetimet që dëgjohen në Serbi se “Bullgaria dhe Rumania janë më keq se ne” apo në Shqipëri se “Holanda i ka të legalizuar prostitucionin dhe drogën e nuk mund t’i japë leksione Shqipërisë”, nuk ndihmojnë shumë që të përmirësohet as imazhi i vendeve të Ballkanit e as gjasat e tyre për një integrim më të shpejtë në BE. Kështu Ballkani Perëndimor është dhe do të mbetet edhe një kohë të gjatë një vrimë e zezë në Evropë. Askujt nuk i pëlqen ky epitet, por si të tillë këtë rajon e përshkruan vetë BE-ja në raportet e veta të progresit.

Nëse Ballkani i lënë anash nga BE-ja është një vrimë e zezë në Evropë, atëherë Kosova është vrimë e zezë në rajon me popullatën e cila nuk ka liberalizim vizash, ndërkohë që krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk luftohen me vullnetin e duhur. Veriu i Kosovës është një vrimë e zezë në Kosovë. Krejt kjo situatë është rezultat i hezitimit, apo edhe mungesës së vullnetit të bashkësisë ndërkombëtare për të vendosur rendin dhe ligjin në tërë territorin e Kosovës. Sjellja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Ballkanit, e cila sakrifikon edhe demokracinë, edhe sundimin e ligjit për hir të stabilitetit politik, tashmë ka marrë epitetin e “stabilokracisë”. Për shkak të “stabilokracisë” BE-ja dhe NATO-ja, e të mos flasim për OKB-në e OSBE-në, i kanë partnerë kryesorë politikanët që kanë faj për gjendjen e krijuar e jo ata që duan ndryshime.

Strukturat politike në rajon kanë arritur t’i bindin “miqtë” ndërkombëtarë se të korruptuar apo jo, të lidhur me krimin e organizuar apo jo, ata janë garantues të stabilitetit, dhe, si rrjedhojë, nëse preken ata, atëherë mund të rrezikohet edhe stabiliteti. E pafuqishme, e pavullnetshme apo thjesht naive, bashkësia ndërkombëtare e ka pranuar këtë lojë. Prandaj asgjë nuk ndodhi pas raporteve të progresit dhe asgjë nuk do të ndodhë, sepse nuk ka pasoja për strukturat e pushtetit për shkak të kritikave të tilla. Një herë në vit mund të durojnë edhe kritika në letër nga BE-ja, pasi sapo të vijnë në Bruksel apo t’i vizitojë dikush në Prishtinë, Podgoricë Tiranë apo Beograd, do të dalin duke buzëqeshur në fotot me përfaqësues të BE-së, dhe ato foto do të shiten si dëshmi të mbështetjes që ata kanë nga Brukseli. Madje, pamja do të mundë të marrë edhe kah tjetër, që porosia të dalë që liderët e rajonit u kanë dhënë leksione këtyre të BE-së se çfarë duhet të bëjnë.

Situata më e rëndë është në veri të Kosovës. Këtë e paraqet si të tillë edhe Komisioni Evropian në Raportin e progresit, duke pohuar në disa raste se “krimi i organizuar në pjesën veriore të Kosovës është sfidë e veçantë për agjencitë e sigurisë”.

Nëse do të ishte e sinqertë BE-ja, atëherë do të duhej ta kishte mirëpritur dhe mbështetur me të gjitha forcat veprimin e Policisë së Kosovës në veri. Do të duhej ta mbështeste edhe publikisht dhe ta qortonte udhëheqjen e Serbisë, nga presidenti e teposhtë, për pengim të luftës kundër korrupsionit dhe thirrje në rezistencë ndaj organeve të drejtësisë. Por jo. BE-ja, ndonëse zëdhënësja thuri një fjali ku kërkoheshin “veprime kundër krimit të organizuar, por duke ruajtur të arriturat e dialogut dhe presupozimin e pafajësisë”, nuk reagoi fare. Edhe ai reagim ishte përgjigje në pyetje të gazetarëve e jo reagim. Beogradi priste reagim që do të dënonte sjelljen e Policisë së Kosovës “kundër popullit duarthatë serb”.

E pyetur nga “Koha Ditore” se si mund të goditet ky krim në atë pjesë të Kosovës në rrethanat politike në të cilat Serbia kërcënon me ndërhyrje ushtarake kur policia bën veprime në luftë kundër kontrabandës, duke e quajtur si “sulm ndaj civilëve serbë”, siç ka bërë presidenti i Serbisë Vuçiq, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogherini, nuk u përgjigj, por e barti këtë çështje në nivelin e dialogut, duke thënë se “ngjarjet në veri të Kosovës janë dëshmi se status quoja nuk është e qëndrueshme” dhe bëri thirrje që të krijohen kushtet për vazhdimin e dialogut.

Ka shumë pyetje, dhe ato duken të logjikshme, se pse pikërisht tani ky veprim e jo më herët. Por ky veprime dhe një herë dëshmoi se Serbia tashmë mendon se e ka ndarë Kosovën dhe se veriu nuk është pjesë e Kosovës. Prandaj edhe e konsideron veprimin e Policisë së Kosovës sikur një ndërhyrje të një policie të huaj. E kur zihen ngushtë me ndonjë pyetje, sikur kur u pyet nga gazetarët në Bruksel se pse nuk po zbulohet vrasja e politikanit Oliver Ivanoviq, presidenti i Serbisë, Vuçiq, nuk heziton të thotë se “Kjo është kompetencë tërësisht e Policisë së Kosovës”. Ndërsa tash sfidohet autoriteti i kësaj policie në veri, edhe pse BE-ja mendon se duhet të ketë një strukturë të vetme policore dhe gjyqësore në Kosovë nën një sistem të vetëm.

Veriu i Kosovës në gjendje të tillë me siguri u shkon në favor shumë strukturave të krimit dhe të politikës. Dhe prandaj situata është e tillë që e bën si një vrimë të zezë në vrimën e zezë të vrimës së zezë. E nuk do të duhej të ishte ashtu. Nëse llogaritet sa para jep BE-ja për projektet në veri, sa jep Qeveria e Kosovës, sa ajo e Serbisë dhe sa shkojnë nga doganat, atëherë ajo pjesë do të duhej të dukej sikur një Lihtenshtajn në Ballkan e jo si një tokë e askujt ku nuk sundon ligji, ku qytetarët nuk e dinë se nga kush duhet të kenë më shumë frikë, ku ende shumica e veturave janë pa targa regjistrimi, ose me targa ilegale, dhe ku policia në vend që të luftojë krimin e organizuar ka në radhët e veta persona të përfshirë në krim.

Edhe bashkësia ndërkombëtare duhet ta kuptojë se duke flirtuar me krimin dhe njerëzit e lidhur me të, qofshin ata edhe politikanë që flasin mirë kur vijnë në Bruksel, nuk mund të ndërtohet stabiliteti i qëndrueshëm. Sepse nëse stabiliteti varet vërtet nga njerëzit e tillë, atëherë ai stabilitet është shumë, shumë i brishtë.

Po të donte vërtet që veriu i Kosovës të ndryshonte për të mirë, atëherë BE-ja dhe NATO-ja jo vetëm se do të mbështesnin më fuqishëm veprimet e Policisë së Kosovës në veri, por do t’u ndihmonin aktivisht, sepse situata e sotme është edhe dëshmi e dështimit të misionit të EULEX-it, i cili nuk pati as guxim e as vullnet të vepronte në veri, e deri diku edhe i NATO-s, ndonëse misioni i KFOR-it me karakter ushtarak nuk është përgjegjësi i parë për sfidat që nuk kanë të bëjnë me detyrat ushtarake, siç janë krimi i organizuar dhe korrupsioni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj