OpEd

”Z-Mobile” është “taksa” që krimi i mbrojtur nga shteti ia ka vënë Telekomit të Kosovës

“Z-mobile” është 100% mekanizëm për plaçkitje të fondeve publike, është 100% produkt i krimit të organizuar, ekziston me dijeni 100% të prokurorit të shtetit dhe plaçkitja vazhdon 100% e papenguar nga Qeveria. 

Kjo është “taksa” që krimi i mbrojtur nga shteti ia ka vënë Telekomit të Kosovës. Përfituesit e vërtetë të kësaj “takse” janë individë që me fondet e plaçkitura e sundojnë këtë vend. 

Ky është shkaku që kryeministri thotë se NUK KA GUXIM për të marrë “ndonjë vendim arbitrar” për të ndalur plaçkitjen, duke lënë të kuptohet se kontrata me “ZMobile” do të vazhdohet dhe “taksa” do të mbetet në fuqi. Në të njëjtën kohë, ai shpalos planin e tij për nxjerrjen në pazar te Telekomit të Kosovës në mënyrë që edhe ai, sikurse në rastin e punësimeve, të marrë hisenë e vet nga shitja e Telekomit të Kosovës. 

Dhe për realizimin e këtij plani kryeministri tregoi se ka ndërmend ta përdorë BERZH-in si maskë, gjoja në përgjigje të rezolutës së Kuvendit. Natyrisht, rezoluta e Kuvendit nuk ka lidhje me një plan të tillë. Rezoluta e Kuvendit e obligon atë të shpëtojë e jo ta tjetërsojë Telekomin e Kosovës. Rezoluta shprehimisht e ngarkon të emërojë ekipin e krizës dhe bordin mbikëqyrës, të përbërë nga profesionistë të dëshmuar të kësaj fushe. 

Në vend të kësaj ai e “zbatoi” rezolutën duke sjellë militantët e vet në krye të Telekomit dhe BERZH-in për t’i ndihmuar në tjetërsimin e Telekomit. Kjo, sepse kryeministri llogarit në perceptimin publik për BERZH-in si institucion i besueshëm dhe kompetent për çështjet zhvillimore. Mirëpo e vërteta është se BERZH-i nuk është këshilltar as i paanshëm e as kompetent për punët që kryeministri mendon t’ia besojë. Bile për këto punë BERZHi mund të ketë konflikt interesi. Për kompetencën e BERZH-it në fushën e telekomunikacionit kam një përvojë personale, jo fort të mirë, në një vend në regjionin tonë. 

Aty, veç tjerash, kam parë angazhime nga ana e BERZH-it të individëve krejtësisht jokompetentë (kur them jokompetent lexo: krejtësisht jashtë fushës së telekomunikacionit) dhe heqje dorë në mënyrë arbitrare nga projekti në rastin kur “ekspertët” e tillë nuk ishin në gjendje të kryenin punën për të cilën ishin angazhuar, duke dëmtuar kështu interesin e atij vendi. Që ishte edhe më skandaloze, di për rastin kur zyrtarë të BERZH-it kanë angazhuar kompanitë e veta private, në projekte te financuara nga BERZH-i. (BERZH-i në Kosovë mund të mos jetë në dijeni, por le të interesohet për rastin e zyrtarit O. H. dhe grupit të tij). Shkurt, me kualitete të tilla, BERZH-i vështirë se do të ishte ideal për përfshirjen në punët rreth Telekomit dhe nuk do të duhej të kishte vend në asnjë punë në Telekomin e Kosovës. 

Nëse përkundër kësaj ndodh që të përfshihet, ne paraprakisht e dimë se rekomandimet e BERZH-it do të jenë ashtu siç i ka porositur kryeministri. Telekomi i Kosovës ka ekspertë që mund ta kryejnë gjithë punën për të cilën kryeministri mendon ta angazhojë BERZH-in. 

Kryeministri duhet ta dijë se krejt ajo që ekziston në Telekomin e Kosovës është ngritur nga ekspertët kosovarë, pa ndihmën e askujt nga jashtë. Shumë ekspertë janë eliminuar, por një numër prej tyre janë ende aty. Nuk i pyet kush për asgjë, por janë aty. Në të vërtetë eliminimi dhe mënjanimi i tyre është shkaku kryesor që Telekomi i Kosovës është në gjendjen që është. 

Jam absolutisht i sigurt se ata mund të kryejnë çdo punë që do t’u besohej, më mirë se çdo ekspert që mund të sjellë BERZHi. Krejt çka duhet është t’u jepen termat e referencës që i janë dhënë BERZH-it dhe të lihen të lirë të punojnë. Rekomandimet e tyre, jam i sigurt, do të jenë ato që i duhen Telekomit të Kosovës. Kryeministri duhet të bëjë atë që duhet për shpëtimin e Telekomit të Kosovës urgjentisht, duke hequr “taksën” dhe duke krijuar ekipin e krizës me ekspertë vendorë. 

Në mungesë të veprimit nga ana e tij, do të jenë të domosdoshme veprime e tjera, përfshirë edhe refuzimin nga ana e Telekomit të Kosovës, të zbatimit të kontratës me “Z-Mobile” dhe refuzimin nga ana e Kuvendit të ratifikimit të kredisë me BERZH-in për këtë projekt. Telekomi i Kosovës duhet të shpëtohet me çdo kusht.

Autori është profesionist i telekomunikacionit