Mësimet nga Austria për vendet e Ballkanit

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 22 May 2019 08:18

Liderët e Ballkanit mosveprimet e tyre pas aferave korruptuese nganjëherë i arsyetojnë duke thënë se “ka edhe në BE raste të korrupsionit”. Por rasti i fundit në Austri, ku menjëherë pas zbulimit të skandalit dha dorëheqje zëvendëskryeministri dhe u shpallen zgjedhjet e parakohshme, dëshmon dallimin e madh. Në BE kur zbulohet ka pasoja. Në Kosovë dhe vende të tjera të rajonit jo. Fajësohen mediat, disa raste barten në gjykatë e ato gjykata janë nën ndikim politik. Kjo situatë, shumë e favorshme për lidhje të politikës dhe krimit të organizuar, me korrupsion dhe nepotizëm, po e mban dhe do ta mbajë rajonin larg BE-së dhe do të përdoret si argument për t’i mbajtur edhe shoqëritë e këtyre vendeve të izoluara.

Bullgaria është vendi më i pazhvilluar i Bashkimit Evropian nëse llogaritet për nga bruto prodhimi i brendshëm për kokë banori. Është vendi me rrogat më të vogla mesatare në BE. Por ka në këtë shtet shumë politikanë apo njerëz të lidhur me politikën, që janë bërë të pasur në këtë shtet jo edhe aq të pasur. Edhe pse ky vend është bërë anëtar i BE-së para 12 vjetësh, edhe pse ka shënuar një zhvillim marramendës krahasuar me fazën e paraanëtarësimit, edhe pse shoqëria e këtij shteti është zhvilluar, prapëseprapë probleme serioze kanë mbetur korrupsioni dhe krimi i organizuar. Kjo shfaqet përmes ndikimeve politike në gjyqësor dhe në shërbime publike. Këtë e thotë tash e 12 vjet me radhë Komisioni Evropian në raportet për Bullgarinë në kuadër të Mekanizmave të verifikimit dhe bashkëpunimit, që është një masë monitoruese specifike vetëm për Bullgarinë dhe Rumaninë. Kjo masë ishte vendosur në vitin 2007 si kusht që këto shtete të bëhen anëtare të BE-së, përndryshe nuk do t’i pranonin. Mendohej se ato do të jenë të përkohshme dhe shumë shpejt do të hiqen pasi këto dy shtete të dëshmojnë se janë të gatshme të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në këtë mënyrë do të bëheshin anëtare të barabarta me të gjitha shtetet e tjera të BE-së. Por këta mekanizma po mbahen ende në fuqi, sepse Brukseli ende dyshon se lufta kundër këtyre dukurive negative në këto dy shtete nuk është aq e sinqertë.

Bullgarinë është duke e tronditur një valë e aferave korruptuese. Mediat njoftojnë se njerëz të lidhur me politikën kanë ndërtuar vila me paratë e BE-së për zhvillim rural. Të tjerët kanë blerë banesa dhe toka me çmim shumëfish më të ulët sesa çmimi real në treg. Asgjë që nuk dihej edhe më parë. Por tash edhe në Bullgari po ndodh ndryshimi. Edhe në këtë shtet politikanët po japin dorëheqje. Diçka e panjohur deri më tash.

Në anën tjetër, aferat e tilla në Kosovë, Shqipëri, Serbi, Malin e Zi as që zgjojnë më ndonjë shqetësim në opinion. Janë mësuar se këto janë “gjëra normale” dhe se ata të cilët blejnë toka lirë e i shesin shtrenjtë, ata që korruptojnë për të fituar tenderët, janë vetëm biznesmenë të suksesshëm. Kur kapen në ndonjë aferë e për to raportojnë mediat, atëherë sulmojnë mediat. Apo gjejnë mediat të cilat do t’u dalin në mbrojtje. Apo i quajnë “shpifje” dhe në rastet gjithnjë e më të shpeshta mbështeten në “organet e drejtësisë”. Ata u besojnë organeve të drejtësisë. U besojnë se ato organe do t’i nxjerrin të pafajshëm, ose do ta zvarrisin aq shumë rastin saqë të vjetrohet lënda ose të japin ndonjë dënim simbolik. Kështu kemi një situatë absurde në rajon ku të akuzuarit kanë më shumë besim në organet e drejtësisë sesa qytetarët e thjeshtë. Ky absurditet nuk mund të sqarohet ndryshe pos me dyshimet se edhe drejtësia është e korruptuar dhe e kriminalizuar në një nivel të caktuar.

Liderët e Ballkanit mosveprimet e tyre pas aferave korruptuese nganjëherë i arsyetojnë duke thënë se “ka edhe në BE raste të korrupsionit”. Por rasti i fundit në Austri, ku menjëherë pas zbulimit të skandalit dha dorëheqjen zëvendëskryeministri dhe u shpallen zgjedhjet e parakohshme, dëshmon dallimin e madh. Në BE kur zbulohet ka pasoja. Në Kosovë dhe vende të tjera të rajonit jo. Fajësohen mediat, disa raste barten në gjykatë e ato gjykata janë nën ndikim politik. Kjo situatë, shumë e favorshme për lidhje të politikës dhe krimit të organizuar, korrupsion dhe nepotizëm, po e mban dhe do ta mbajë rajonin larg BE-së dhe do të përdoret si argument për t’i mbajtur edhe shoqëritë e këtyre vendeve të izoluara.

Në fundjavën e shkuar doli në media një skandal i madh i zëvendëskryeministrit të Austrisë, Heinz-Christian Strache. Doli dëshmia se si në një bisedë me një grua që paraqitej si mbesa e një oligarku rus shprehte gatishmëri për bashkëpunim, kërkonte blerjen e një gazete austriake me paratë e dyshimta. Sapo doli skandali vetëm brenda disa minutash, kryeministri Sebastian Kurz njoftoi se nuk ka më besim në Strachen dhe më vonë kërkoi shpërbërjen e qeverisë dhe zgjedhje të reja. Austria u trondit me këtë skandal.

Dorëheqjet për shkak të skandaleve të tilla në Ballkan janë diçka të panjohura. Sepse është i panjohur parimi i përgjegjësisë politike dhe morale. Në Austri nuk u prit që “organet e drejtësisë të zbardhin gjithë këtë aferë”. Sepse dëshmitë janë të nevojshme për gjykata e jo për përgjegjësi politike.

Skandali në Austri ka shumë të mira. Ka demaskuar të djathtën ekstreme dhe gatishmërinë e tyre për lidhje me faktorët e jashtëm, në këtë rast atë ruse. Ka demaskuar edhe kinse brengen e tyre për qytetarët. Ka demaskuar demagogjinë e tyre. Por ia ka dhënë një mësim edhe qendrës së djathtë, në këtë rast kancelarit Sebastian Kurz, se të flirtosh me njerëz të tillë vetëm për të mbetur në pushtet është një gjë e rrezikshme.

Ndikimi i zëvendëskancelarit të deridjeshëm Strache në Qeverinë e Austrisë nuk ishte i vogël. Ai, ndonëse nuk arritur ta bindë Austrinë që ta tërheqë njohjen e Kosovës, sepse ishte gjithmonë kundërshtar i kësaj pavarësie, ndikoi që Qeveria e Vjenës të shprehë gatishmëri për opsionet e ndarjes së Kosovës, duke dalë kështu edhe kundër Gjermanisë, që në politikën e jashtme nuk ndodh shpesh. Largimi i njerëzve të tillë nga pushteti është lajm i mirë edhe për Kosovën.

Por, kësaj radhe këtë rast duhet shikuar si një mësim të mirë se si në vendet e zhvilluara të BE-së pasojat janë të menjëhershme kur del dyshimi për përfshirjen e njerëzve të politikës në afera korruptuese. Kur ta kuptojnë këtë edhe në Kosovë, edhe në Shqipëri, edhe në vendet e tjera të rajonit, do ta dinë se pse nuk mund të mbështesin avancimin e shteteve të rajonit drejt BE-së. Sepse, nëse nuk i tolerojnë politikanët e korruptuar në vendet e tyre, pse t’i tolerojnë ata në Ballkan.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj